Tashmë janë bërë dy javë prej se presidentja Vjosa Osmani ka dekretuar Ligjin e Pagave, por se deri më sot ende nuk është caktuar vlera e koeficientit për kategoritë e përfshira.
Më 22 dhjetor 2022, Ligji ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës, i cili parasheh ndryshim të pagave për punëtorët e sektorit publik.
“Zyra e Presidentes ka pranuar për shpallje, Ligjin 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik, më 4 janar 2023. Pas analizave ligjore nga Zyra e Presidentes, presidentja Vjosa Osmani e ka dekretuar shpalljen e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik po më 4 janar 2023”, është shprehur një ditë më parë për Telegrafin këshilltari për Media i Zyrës së Presidentes, Bekim Kupina.
Pas dekretimit nga presidentja, ky Ligj është publikuar në Gazetën Zyrtare, e që do të jetë i gatshëm për zbatim brenda 30 ditëve.
Mirëpo, Qeveria e Kosovës në një përgjigje për Telegrafin është shprehur se vlera financiare e koeficientit pritet të caktohet brenda muajit janar.
“Vlera e koeficientit do të caktohet gjatë këtij muaji, pra gjatë muajit janar, bazuar në tërësinë e koeficienteve të shpërndarë me Ligjin e Pagave”, është shprehur zëdhënësi Përparim Kryeziu.
Ai ka bërë të ditur se janë ndarë 745 milionë euro nga buxheti i 2023-së për pagat e sektorit publik.
“Me Ligjin për Buxhetin e vitit 2023, që u miratua në dhjetor të vitit që lamë pas, kemi caktuar se totali i përgjithshëm i buxhetit për paga në sektorin publik do të jetë 745 milionë euro”, ka theksuar ai.
Koeficienti më i lartë, pra 18 i takon vetëm presidentit të Kosovës, niveli 17.5 i takon kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, deri sa koeficienti 17 i takon kryetarit të Kuvendit dhe shefit të Qeverisë.
Ndryshim të pagave do të ketë për mjekët specialistë, mësimdhënësit dhe policët.
Për mjekët specialistë, koeficienti do të jetë 12, ndërkaq, për mësimdhënës në shkolla fillore dhe ato të mesme koeficienti është 5.6, përkatësisht 5.8.
Me Ligjin e ri, koeficienti për policët është 5.
Koeficienti më i ulët është 2 dhe ai iu takon pozitave për rekrut/kadet të Forcës së Sigurisë së Kosovës, kadet policor, doganor dhe korrektues.
Ligji i cili ishte shpallur i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese, pritej të rregullonte pagesën e të punësuarve që marrin rroga nga buxheti i shtetit.
Pra, Ligji rregullonte rritjen e pagave për 70 për qind të punëtorëve në sektorin publik, kurse 30 për qind e tyre mbetën jashtë. Por, punëtorë në sektorë të ndryshëm publikë, kishin shprehur pakënaqësitë lidhur me përcaktimet dhe përfshirjen e tyre në Ligj. /Telegrafi/