Katër cisterna në pronësi të kompanive greke u sulmuan nga dronë më 13 janar në Detin e Zi, pranë terminalit të Konsorciumit të Tubacionit Kaspik (CPC), sipas burimeve të cituara nga Reuters dhe Bloomberg.

Anijet e goditura ishin Delta Supreme dhe Delta Harmony (të operuara nga Delta Tankers), si dhe Freud (TMS) dhe Matilda (Thenamaris).


Sipas Thenamaris, cisterna e saj Matilda, e cila ishte planifikuar të ngarkonte naftë nga fusha Karachaganak, u godit nga dronë jashtë terminalit të CPC-së. Dëmet ishin të vogla dhe anija mbetet në lundrim.

Delta Harmony ishte në rrugë për të ngarkuar naftë bruto nga fusha Tengiz.

Burimet thonë se cisternat pësuan dëmtime në pajisjet e tyre për trajtimin e ngarkesës.

Reuters raporton se sulmet ndodhën ndërsa anijet po drejtoheshin drejt terminalit Yuzhnaya Ozereevka pranë Novorossiysk-ut - qendër kyçe eksporti përmes së cilës transportohet rreth 80 për qind e naftës së Kazakistanit të destinuar për tregjet globale. /Telegrafi/