“Drogë me postë nga Amerika”, arrestohet 23 vjeçari italian në Tiranë

Arrestohet një 23 vjeçar (shtetas italian) teksa merrte një pako që përmbante rreth 475 gramë lëndë narkotike në një degë postare në Tiranë.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit bëhet e ditur se është finalizuar me sukses operacioni antidrogë, në kuadër të luftës kundër trafikut të lëndëve narkotike.
Siç thuhet në njoftim në vijim të hetimeve disamujore dhe në bashkëpunim me disa struktura të tjera policore, është zhvilluar operacioni i koduar “Dërgesa”, që çoi në arrestimin në flagrancë të një shtetasi italian, 23 vjeç, me inicialet M. M., banues në Tiranë.
“Ky shtetas u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në një degë postare, duke marrë një pako me rreth 475 gramë lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa me përqindje të lartë THC, që dyshohet se është trafikuar nga SHBA. Më tej, gjatë kontrollit në banesën e tij, janë gjetur dhe sekuestruar 442 gramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, një shumë e konsiderueshme parash dhe 7 celularë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/



















































