LAJMI I FUNDIT:

Drita do të ndizet

Drita do të ndizet

Drita do të ketë pamje tjetër në pjesën pranverore. Për këtë siguron trajneri, Bekim Isufi, i cili po mundohet ta komponojë një ekip solid për t’i përballuar pa problem pengesat në pjesën e dytë të sezonit.

Gjilanasit dimëruan në pozitën e tetë me 21 pikë, por së fundmi klubi u organizua, duke afruar njerëz të rinj që ishin të gatshëm të ndihmonin, andaj kjo ka bërë që të shtohet optimizmi tek trajneri dhe lojtarët. “Drita do të jetë ndryshe në pranverë.

Do të mundohemi të shkojmë sa më lart në tabelë. Gjithashtu, e kemi një ndeshje të rëndësishme të kupës ndaj Hajvalisë. Edhe ky kompeticion është objektiv yni”, theksoi Isufi për “Zërin”. Drita është shumë vonë me përgatitje, por ai beson se lojtarët do të jenë të gatshëm për fillimin e sezonit, me punën që do të bëhet në këtë periudhë.

Ai madje paralajmëron që, në fillim të muajit të ardhshëm, kontingjenti gjilanas të udhëtojë jashtë vendit. “Është dita e dytë e përgatitjeve, jemi vonë, por kemi pritur derisa pati lëvizje për të mirë në klub. Do të ushtrojmë disa ditë në Gjilan e më pas kah fillimi i shkurtit planifikojmë t’i vazhdojmë përgatitjet jashtë vendit, ka mundësi të shkojmë në Turqi”, vijoi ai.


“Momentalisht e kemi 70 për qind të ekipit, na nevojiten përforcime, edhe pse nuk e kemi luksin të zgjedhim shumë. Na duhen 2-3 lojtarë në sulm dhe mesfushë, pasi në mbrojtje jemi të kompletuar”, thotë trajneri gjilanas, i cili zbuloi se Drita e ka transferuar Florim Berishën, e në ditët në vazhdim do t’i kenë disa takime me futbollistët që ju interesojnë.