Drenica e Bylbyl Sokolit di si të fitojë në Gjilan – gjashtë pikë ndaj pretendentëve

Drenica është një nga surprizat më të mëdha të këtij fillimi sezoni, duke arritur të zërë vendin e tretë pas gjashtë xhirove në Superligën e Kosovës.
Shumë analistë e konsideruan Drenicën si të dobët para fillimit të kampionatit, por skuadra ka mbyllur gojën e kritikëve me paraqitje të forta. Me tri fitore, dy barazime dhe vetëm një humbje, Drenica grumbullon 11 pikë në vendin e tretë, pas Dukagjinit (13 pikë) dhe Ballkanit (12 pikë).
Trajneri Bylbyl Sokoli, i cili ishte kritikuar nga tifozët e klubit “Shqiponjat e Zeza” pas humbjes ndaj Ballkanit – e vetmja deri tani – ka fituar besimin e drejtuesve të klubit.

Nën drejtimin e tij, Drenica ka regjistruar dy fitore të rëndësishme si mysafir, ndaj klubeve pretendente si Drita, kampion aktual, dhe Gjilani, një skuadër me shumë lojtarë me eksperiencë dhe kualitet të lartë.
Të dyja fitoret në stadiumin e Gjilanit erdhën me rezultatin 1-0, duke treguar se Drenica ka konsoliduar një mbrojtje të fortë, që nuk lejon gola lehtësisht, përveç humbjes ndaj Ballkanit me rezultat 3-0.
Gjashtë pikë në një terren si ai i Gjilanit tregojnë shumë për Drenicën, që duket se është rikthyer në elitë për të luftuar dhe për të ruajtur pozitën e saj, duke sfiduar pritshmëritë skeptike të analistëve.

Megjithatë, skuadra duhet të përmirësojë sulmin, pasi ka shënuar vetëm katër herë deri tani – po aq sa Llapi dhe Ferizaj – duke pasur sulme më pak efektive se disa ekipe të tjera të Superligës.
Golat deri tani janë shënuar nga Kreshnik Uka, Altin Vojvoda, Igball Jashari dhe Genc Hamiti, të gjithë lojtarë të rritur brenda klubit.
Përveç tyre, ekipi ka një grup të fortë lojtarësh vendas dhe të huaj. Në këtë sezon i është bashkuar mbrojtësi Granit Jashari, që sjell eksperiencë të madhe, ndërsa skuadra përbëhet edhe nga lojtarë nga Shqipëria si Erisildo Smaci dhe Indrit Prodani, si dhe të huaj si mesfushori spanjoll Orier Serriegi, sulmuesi venezuelas Ronaldo Chacon dhe mbrojtësi brazilian Chrisian. Në portë duket se Kenan Haxhihamza ka humbur vendin, ku braziliani Thaigo Gomes ka zënë vendin e tij.

Në javën e shtatë, Drenica e pret Malishevën, një test për të parë nëse forma e tyre do të vazhdojë, apo do të ndalet. /Telegrafi/




































