Një delegacion i lartë nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK), i udhëhequr nga drejtori i përgjithshëm, z. Elvir Azizi, vizitoi sot Spitalin e Përgjithshëm të Pejës.

Gjatë takimit me menaxhmentin e spitalit, të kryesuar nga drejtori ekzekutiv Dr. Fahri Hasani, u diskutua për sfidat aktuale, projektet prioritare dhe planet zhvillimore që synojnë përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët e rajonit të Pejës, raporton Telegrafi.




Delegacioni vizitoi gjithashtu disa nga projektet që janë në proces ose kanë përfunduar, përfshirë renovimin e repartit të Internistikës, pjesën e triazhimit në Emergjencë, si dhe depon farmaceutike, e cila është funksionalizuar së fundmi.

Drejtori i ShSKUK-së, z. Azizi, vlerësoi punën dhe angazhimin e stafit të spitalit, duke premtuar mbështetje të plotë institucionale për realizimin e projekteve infrastrukturore dhe zhvillimin profesional të personelit mjekësor, me synim ofrimin e shërbimeve sa më cilësore për pacientët.

Qëllimi i vizitës ishte njoftimi nga afër me gjendjen dhe prioritetet e Spitalit të Pejës, si dhe forcimi i bashkëpunimit ndërmjet ShSKUK-së dhe këtij institucioni për avancimin e shërbimeve spitalore në nivel rajonal. /Telegrafi/