Drejtoresha e Drejtorisë së Financave në Gjilan, Herolinda Murati-Leka, ka dhënë zyrtarisht dorëheqjen, duke nxitur reagime nga partitë opozitare në këtë komunë.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në Gjilan ka deklaruar se dorëheqja e saj konfirmon dështimet e qeverisjes lokale, duke e krahasuar situatën me një "shitore të thyer", ku është thyer edhe dera e buxhetit.


“Atë që Lidhja Demokratike e Kosovës në Gjilan e ka thënë në vazhdimësi, drejtoresha e Buxhetit, zonja Herolinda Murati-Leka, e faktoi sot, pasi fatkeqësisht kjo parti edhe zyrtarisht e shpalli Komunën e Gjilanit si shitore të thyer, e cila më pas u detyrua të japë dorëheqjen,” thuhet në reagimin e LDK-së.

Sipas tyre, abuzimi në qeverisjen lokale po vazhdon, ndërsa shqetësimi më i madh mbetet menaxhimi i buxhetit, i cili sipas tyre përfaqëson ruajtjen e parave të qytetarëve.

LDK po ashtu ka rikujtuar se Komuna e Gjilanit, prej tre vitesh, është penalizuar nga të gjitha grantet, si ato të Qeverisë qendrore, ashtu edhe nga organizatat e shteteve të fuqishme evropiane.

Largimin e saj e kishte paralajmëruar kryetari i PDK-së, dega në Gjilan, Riad Rashiti.

Sipas Rashitit, funksionimi i punës së drejtoreshës është penguar nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan. Ai ka akuzuar zyrtarët e komunës, të cilët sipas tij, kanë ndërhyrë në punën dhe funksionimin normal të institucioneve komunale.

“Shfrenimi i aktivistëve të VV-së (zyrtar/e në komunën e Gjilanit) ka arritur kulmin duke ndërhyrë në punën dhe funksionimin normal të institucioneve komunale. Është për keqardhje se në çfarë derexhe ky kryetar e ka sjellë jetën institucionale në komunën e Gjilanit, që kërkon edhe intervenimin e policisë së Kosovës”, ka deklaruar Rashiti.

Ai gjithashtu pretendon se aktivistët e VV-së i kanë ndërruar cilindrin e zyrës së drejtoreshës ose kanë bërë kopje të çelësit, duke ndërhyrë pa autorizim dhe duke pasur qasje në zyrën e saj pa leje.

“Skandali i fundit i jashtëzakonshëm është se drejtoreshës së buxhetit në Gjilan, aktivistët e VV-së (familjar të një asambleisti të VV-së) ia kanë ndërruar cilindrin e zyrës së saj ose kanë bërë kopjimin e çelësit, duke ndërhyrë dhe pasur qasje pa leje në zyrën e saj, kur ajo nuk ka qenë prezente në punë. Për këtë rast, drejtoresha e buxhetit dhe financave ka kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës, e cila tashmë është duke e bërë punën e vet të hetimeve”, ka shtuar ai.

Rashiti thekson se për këto zhvillime, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka heshtur dhe nuk është interesuar për këtë çështje, pasi, sipas tij, qëndron prapa një skenari të fabrikuar. /Telegrafi/