DokuFest dhe Kino Kosova me Re-Connect synojnë bashkimin e të rinjve nga Kosova dhe diaspora për filmbërje
DokuFest, në bashkëpunim me Kino Kosova, ka lansuar thirrjen për aplikime për programin e ri Re-Connect, një iniciativë që synon të fuqizojë të rinjtë përmes artit të filmit dokumentar dhe eksplorimit të identitetit.
Ky program dyjavor, sipas njoftimit, do të mbahet nga 8 deri më 21 qershor në Prizren, dhe ofron një mundësi për të rinjtë 18-22 vjec nga Kosova dhe diaspora kosovare në Zvicër për të bashkëpunuar në krijimin e filmave.
“Re-Connect është një program bashkëpunimi i krijimit të filmave që ofron një përvojë praktike dhe unike të të mësuarit në tregimin dokumentar. Përmes një përzierjeje seminaresh, leksionesh dhe filmash në grup, pjesëmarrësit do të eksplorojnë tema të identitetit, trashëgimisë së përbashkët, të drejtave të njeriut dhe diversitetit kulturor. Me këtë program të rinjtë mësojnë aftësi praktike në tregim, kinematografi, tingull, montim dhe filmim etik”, thuhet në njoftimin e DokuFest, raporton Telegrafi.
Aty thuhet se pjesëmarrja është falas, teksa nuk kërkohet as përvojë e mëparshme në filmbërje, por vetëm pasion dhe dëshirë për të mësuar dhe bashkëpunuar.
DokuFest dhe Kino Kosova kanë bërë të ditur se inkurajojnë aplikime deri me 19 maj 2025 nga individë me prejardhje të ndryshme, veçanërisht nga komunitetet e margjinalizuara dhe të nënpërfaqësuara, duke synuar të krijojnë një hapësirë gjithëpërfshirëse dhe të barabartë për shprehje kreative, raporton Telegrafi.
Gjithashtu filmat që do të krijohen gjatë Re-Connect do të kenë premierën e tyre në edicionin e vitit 2025 të DokuFest, duke i dhënë zë përvojave dhe tregimeve personale të të rinjve që shpesh mbeten në hije. /Telegrafi/






























