LAJMI I FUNDIT:

Ditët e Koshares dhe zhvillimet në vend

Sa herë që përmendet emri Koshare, mendja na shkon tek Beteja e Koshares, një ndër betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ditët e Koshares simbolizojnë shpresën e madhe të çlirimit, pavarësimit, sovranitetit të vendit, dhe sakrificës së madhe të popullit shqiptar për tu çliruar njëherë e përgjithmonë nga okupatori shekullor serb. Sa herë që vijnë ditët e Koshares, ditët e përkujtimit të sakrificës së madhe të popullit e veçmas të UÇK-së, i bëjmë pyetje vetes, ndër të tjera: sa po bënë punë shoqëria kosovare dhe institucionet e vendit në nderimin e dëshmorëve, heronjve të kombit, të rënëve dhe veteranëve për lirinë dhe pavarësinë e vendit?

Pa më dysheje, viteve të fundit institucionet e vendit kanë shënuar një progres të theksuar në përkrahje jo vetëm morale (gjë që kjo s’ka munguar), por edhe financiare për familjet e dëshmorëve dhe heronjve të kombit, e që edhe më tutje po shënohet progres në këtë drejtim. Së fundmi po bëhet një punë e madhe edhe në regjistrimin dhe klasifikimin e veteranëve të UÇK-së sipas kategorisë apo kontributit të dhënë në luftë.


Gjithashtu, vlen të theksohet se për vendin ku është zhvilluar lufta (Beteja e Koshares), për shkak të vlerave të veçanta historike që ka kjo zonë, gjatë vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për shpalljen e Koshares zonë me interes të veçantë, për të ngarkuar më pastaj Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor – përkatësisht Institutin për Planifikim Hapësinor – për hartimin e Planit Hapësinorë të zonës historike në fjalë. Gjatë procesit të hartimit të planit hapësinor të zonës historike në fjalë, me të dal në terren ekipi i përfaqësuar nga profesionistësh dhe i shoqëruar nga grupe të tjera shoqërore (shoqata e bjeshkatarëve dhe veteranë të UÇK-së), u njohën më për së afërmi me vendin ku kishin ndodhur zhvillimet luftarake veçanërisht gjatë vitit 1999. U njohëm me shumë me zhvillime të ndodhura dhe që po ndodheshin aktualisht.

Gjatë ecjes në këmbë me orë të tëra, nëpër majat e larta (bjeshkët), kishim për të parë lapidarë, mbetjet e istikameve të UÇK-së, Varreza të Dëshmorëve dhe Heronjve të rënë në Luftën e fundit për çlirimin dhe pavarësimin e vendit – Kosovës etj. E kur ndonjëherë lodheshim gjatë ecjes në këmbë, pyesnim vetën si guxojmë të themi jemi lodhur? Përderisa ecnim të lirë nëpër këto bjeshkë, menjëherë na bije ndërmend sakrifica e jashtëzakonshme e bërë gjatë viteve të ’90-ta e veçanërisht gjatë vitit ’99 (Betejën e Koshares), dhe sikur frymëzohem nga e kaluara dhe na vinte një fuqi e madhe për të vazhduar rrugën më tutje në njërën anë dhe të kritikojmë vetën deri në atë masë në anën tjetër, duke thënë me vete se ne nuk po bëjmë aq për vendin, se vendi ka nevojë edhe shumë e më shumë për të bërë punë.

Kudo që kthenim kokën në ato maja të larta, kishim për të parë shumëçka, përveç asaj që u :ha, kishte akoma shenja të luftës – zona të minuara për të cilën institucionet e vendit po bëjnë përpjekje të vazhdueshme në çminim, mungesë të infrastrukturës së mirëfilltë, objekte të rrënuara ku kishin qëndruar ushtria, policia dhe paramilitarët serbë, ku ato objekte përveç tjerash ishin shfrytëzuar edhe për të rrahur deri në vdekje shqiptarët.

Në anën tjetër, kishim për të parë bukuritë e rralla natyrore që kësaj madhështie natyrore padyshim vlerën ja rrisnin luftëtarët e lirisë që sot pushojnë të qetë në këto bjeshkë të larta etj.

Gjithsesi, në këtë vend kishim për të parë bjeshkatarë, familje me strehim sezonal, blegtorë, bletarë dhe grupe të tjera sociale. Por, e veçanta e kësaj të fundit është se në mesin e atyre kishte nga ato familje që vinin e shkonin matanë kufirit (Shqipëri-Kosovë dhe anasjelltas) pa ndonjë vështirësi, qoftë në aspektin kushtetues e legjislativ apo human, gjë që dikur (para ’99-ës) kjo lëvizje e lirë e qytetarëve ishte vetëm një ëndërr për popullin shqiptar.

Përveç të tjerash, ajo më kryesorja që institucionet e vendit do të duhej të bënin, është vazhdimi i punimeve deri në përfundim të rregullimit të varrezave dhe lapidarëve të të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e vendit, në mënyrë që sadopak shoqërisë e në veçanti familjarëve t’ua lehtësojmë dhimbjen, rregullimin e infrastrukturës fizike për një qasje sa më të lehtë për të gjithë qytetarët etj.