LAJMI I FUNDIT:

Dita vendore e përkujtimit të viktimave në aksidentet rrugore

Dita vendore e përkujtimit të viktimave në aksidentet rrugore
Ilustrim

Qendra për Zhvillim Multi-kulturor “Impact” të martën më 23 prill shënon Ditën Vendore të Përkujtimit të Viktimave në Komunikacionin Rrugor, nën moton “T’i kujtojmë e mos të lëndojmë”.

Kjo ngjarje do të përfshijë realizimin e tri performancave paralele artistike dhe sensibilizuese, në rrugën “Garibaldi” përbri Hotelit “Grand”, në vendkalim të këmbësoreve, rrugën “Agim Ramadani” para hotel “Sirius”, në vendkalim të këmbësoreve dhe rrugën “Luan Haradinaj”, para obeliskut New Born, në vendkalim të këmbësoreve.

Shfaqjet do të zhvillohen në mes të rrugës për qarkullim makinash, ku gjatë tërë kohës do të asistojë policia deri në përfundim të tyre.


Performancat realizohen në bashkëpunim në mes të QZHM “Impact”, Shkollës se Mesme të Muzikës “Prenkë Jakova” dhe  Studios së Baletit  “Let’s Dance” duke filluar nga ora 12:00 deri 12:10. Po ashtu, do të mbahet një konferencë për media, para objektit të Ministrisë së Kulturës në sheshin “Nënë Tereza”, e cila do të fillojë në ora 12.30.

“Impact” nga 23 prilli 2011 e shënon Ditën vendore të përkujtimit të viktimave në komunikacionin rrugor.

Shënimi i kësaj dite ka për qëllim që përmes përkujtimit të viktimave në trafikun rrugor, të rritet shkalla e ndërgjegjësimit qytetar dhe institucional për sigurinë në rrugë.

Kjo ditë shënohet duke marrë parasysh numrin e madh të aksidenteve në komunikacionin rrugor në nivel vendi, sidomos atyre me fatalitet.