LAJMI I FUNDIT:

Dita e Holokaustit

Dita e Holokaustit

Në vitin 1980, sa isha student, e kam bërë një ekskursion vetanak në disa shtete të Evropës Lindore, të cilat atëherë ishin socialiste dhe anëtare të Paktit të Varshavës.

Pasi që i kisha kaluar diku rreth 10 ditë në Hungari dhe Çekosllovaki, u ndala në Krakovë, një qytet i bukur polak që ka histori të begatshme. Krakova ka edhe një universitet të vjetër në kampusin e të cilit unë shkova për të gjetur vend për të fjetur, siç më kishin udhëzuar disa studentë në Katovicë.

Gjatë verës, konviktet e këtij universiteti shërbenin si hotele apo më mirë të themi hostele për studentë vendas dhe të huaj. Konvikti ku qëndrova unë ishte shumë më i mirë se konviktet që i kishim në Prishtinë.


Në këtë hostel u njoftova me studentë e studente të vendeve tjera që shëtitnin sikur unë. Një ditë, me iniciativën e dy studenteve gjermane (atëherë Gjermania Lindore ose DDR) u bëmë një grup prej 10 apo 12 vetave dhe shkuam që ta vizitonim qytetin Oshvieqim (Oświęcim) i cili nuk është larg nga Krakova. Ky qytet më herët është quajtur Aushvic dhe është ndër vendet më famëkeqe për shkak të kampit të përqendrimt që është ndërtuar nga nazistët gjermanë.

Sikur të mos e vizitoja këtë vend, unë sot me siguri nuk do t’i dija disa gjëra dhe për botën do të kisha mendim tjetër nga ky që e kam sot. Por, më duhet ta them se unë nuk do të shkoja në Aushvic sikur të mos qëlloja në mesin e studentëve ku u bë ky propozim. Natyrisht që e kam ditë se ka ekzistuar ky kampi i përqendrimit dhe se aty janë eliminuar hebrenjtë, por sistemi jonë i arsimit të atëhershëm nuk i ka dhënë shumë rëndësi kësaj ngjarjeje.

Sidoqoftë, ky kamp për mua ka qenë muzeu i parë dhe më i rëndësishmi që kam vizituar në jetën time. Nga vizitat e vendeve të këtilla mund të krijohet afërsi dhe ngjallje të ndjenjave me ngjarjet e kaluara, sidomos me ato të tmerrshme sikur rasti i Aushvicit, i cili ka qenë fabrikë e vdekjes masive të më shumë se një milion njerëzve – gra, burra dhe fëmijë të pafajshëm.

Mbi portën kryesore të kampit qëndron mbishkrimi ‘Arbeit Macht Frei’ (Puna sjellë lirinë), një parullë mbi çdo cinizëm. Askush që ka hyrë nëpër këtë portë dhe sado shumë që të ketë punuar, nuk ka dalë gjallë nga aty. Në mënyrë të pandërprerë janë sjellë njerëz, kryesisht hebrenj, për t’u mbytur çdo ditë. Procedura e vdekjes ka përfshirë qethjen e njerëzve, gra e burra, para se të futeshin në kthinat e gazit me helm. Nga aty janë nxjerrë kufomat të cilat janë dërguar për t’u djegur në furrat e posaçme. Pra, më shumë se një milion njerëz kanë kaluar nëpër këtë procedurë të vdekjes.

Eksponatet në Aushvic për vizitorin krijojnë situatë rrëqethëse. Hapësira të mëdha të mbushura me flokë flasin më shumë për gratë që përfunduan në mënyrë jonjerëzore. Mijëra proteza të pjesëve të ndryshme të trupit flasin për numrin e invalidëve, sikurse edhe numri i syzeve. Të mos flasim për njerëzit e shëndetshëm që kanë qenë me qindra-mijëra e që nuk kanë lënë dëshmi të këtilla. Dhe, këto eksponate janë vetëm ato të ditëve të fundit që u zunë kur u çlirua kampi.

Në Aushvic, sikur edhe në kampet tjera të përqendrimit, njeriu nuk ka qenë njeri. Natyrisht që kjo situatë ka ndikuar që shpesh të bëhet pyetja: si është e mundur që kjo të ndodhë në Evropën e civilizuar?

Aushvici mbetet shembulli që tregon deri ku shkon vullneti dhe veprimi i ‘njeriut’ për ta zhdukur njeriun tjetër për shkak se ai ka religjion, gjuhë, pamje dhe shprehi tjera.

Numri i të vdekurve në këtë kamp dhe në tërë kampet tjera naziste të përqendrimit shpesh paraqitet të jetë diskutabil. Kjo bëhet për qëllime të ndryshme. T’i lëmë anash viktimat, nëse ato janë gjashtë apo tre milionë. Madje, vetëm nëse 10 njerëzve u organizohet vdekja sikur atyre në Aushvic, duhet ta dimë që është tepër dhe se është shkelur elementi kryesor që na bënë njerëz e që e dallon njeriun nga bisha më e egër.

Për fat të keq, në Evropë dëshira dhe veprimi i një kombi për ta për ta likuiduar kombin tjetër nuk ka përfunduar në Aushvic. Dekada më pas këtë veprim jonjerëzor e ka provuar shteti serb ndaj kroatëve, por veçanërisht ndaj boshnjakëve dhe shqiptarëve.

Për të kryer gjenocid nuk është esenciale të vriten shumë apo të gjithë njerëzit e një komuniteti apo kombi. Mjafton që të ekzistojë vullneti dhe veprimi për ta zhdukur tjetrin për shkak se ai është ndryshe. Kjo është një ndër shumë arsyet pse duhet ta kujtojmë Holokaustin.