Dimitrieska-Koçoska nga Samiti Ekonomik i Stambollit: Ndryshimet globale nuk janë kërcënim, por mundësi zhvillimi

"Maqedonia po hyn në një fazë të re të transformimit ekonomik, me fokus të qartë në investime, dixhitalizim dhe stabilitet fiskal", tha ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska në fjalimin e saj hyrës në hapjen e Samitit Ekonomik të Stambollit 2025, i cili këtë vit mbahet më 11 dhe 12 dhjetor me moton “Ekuilibër i ri dhe bashkëpunim global”.
Eventi mblodhi së bashku hartuesit e politikave ekonomike, institucionet financiare ndërkombëtare, përfaqësuesit e komunitetit akademik dhe sektorit të biznesit nga rajoni dhe Evropa, me qëllim që të shqyrtojnë çështjet kryesore që lidhen me ndryshimet ekonomike globale, reformat e nevojshme dhe krijimin e partneriteteve të reja në një botë të mbushur me sfida dinamike.
Në fjalimin e saj, ministrja theksoi se ekonomitë moderne përballen me presione të fuqishme, nga rreziqet gjeopolitike deri te goditjet energjetike dhe teknologjike, prandaj vendet duhet të punojnë në mënyrë aktive për të krijuar sisteme të përshtatshme dhe rezistente.
“Bota nuk është e njëjtë. Rreziqet gjeopolitike, sfidat energjetike dhe goditjet ekonomike kanë krijuar arkitekturë të re botërore. Sot, marrëdhëniet ekonomike dhe politike globale po lëvizin me një dinamikë të paparë”, theksoi Dimitrieska-Koçoska, duke shtuar se pikërisht për këtë arsye vendet, veçanërisht ato në zhvillim, duhet të veprojnë në mënyrë proaktive.
Ajo potencoi se Maqedonia e Veriut tashmë po krijon ekonomi të bazuar në disiplinë fiskale, parashikueshmëri dhe modernizim duke ofruar kushte më të mira për sektorin privat dhe investitorët.
Ministrja theksoi zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe dixhitalizimin si bazë të ekonomisë së re.
"Qeveria po punon në shërbimet publike dixhitale, duke përmirësuar infrastrukturën financiare dhe duke integruar kompanitë vendase në tregjet ndërkombëtare, si dhe duke inkurajuar njëkohësisht të rinjtë të qëndrojnë dhe të ndërtojnë karrierë në vendin e tyre".
“Bashkëpunimi i ri global nuk është vetëm sfidë - është mundësi. Maqedonia është e gatshme të jetë pjesë e këtyre proceseve - me investime të reja, reforma, partneritete dhe vizion të qartë për të ardhmen”, tha Koçoska, duke shtuar se vendi zgjedh të jetë pjesëmarrës aktiv në krijimin e zgjidhjeve ekonomike,e jo si vëzhgues pasiv.



















































