Dimensionet e fshehura të Murat Ahmetit

Karikaturat e tij janë art i vërtetë. Gjurmë të lëna dhe dimensione të fshehura në realitete e copëza përditshmërie. Ai karikon njerëz dhe ngjarje, por edhe madhëron figura dhe personalitete. Intervistoi: Gazmend Kajtazi
Prej vitesh krijimtaria e tij qëmton me vëmendje situatat e përditshme, tek të cilat mund të ndalesh gjatë për të kundruar "tharmin" e përbotshëm jetësor.
Por, kush është Murat Ahmeti, si trajtohet ky zhanër në Kosovë, cila është perspektiva e karikaturës, e për shumë çështje të tjera, biseduam me të shtruar dhe pa e karikuar bisedën tonë!
Jeni ndër përfaqësuesit e rrallë të denjë të këtij zhanri ndër shqiptarë! A ju duket jeta karikaturë? Jeta edhe ashtu është karikaturë, sepse brenda saj ka ironi, hipokrizi, egoizëm e shumë dukuri tjera negative. Por, unë ndjehem komod, sepse kështu e kërkon profesioni i artistit.
Si kuptohet karikatura në Kosovë, cila është pozita e saj dhe sa kemi krijues të këtij arti? Në Kosovë karikatura nuk kuptohet sa duhet, madje ka shumë paragjykime për të. Tek ne, më herët ka pasur karikaturistë aktivë, por ata disi janë shuar. Arsyeja mund të jetë mosnjohja e karikaturës nga ana disa kryeredaktorëve të gazetave.
A keqkuptohet karikaturimi, sidomos nga personalitetet politike? Me keqardhje e them që, politikanët tanë, nuk marrin erë në karikaturë. Ndoshta atyre mund t’ua interpretojë atë ndonjë këshilltar i “aftë”. Por, edhe në këtë dyshoj.
Në karikaturat tuaja ka sarkazmë, ironi dhe përbuzje, e edhe bukuri? Ku është sekreti i një karikaturisti të mirë. Tek imagjinata apo tek zanati? Te karikaturisti në rend të parë është imagjinata. Ai duhet të jetë sa më spirituoz dhe kreativ. Krahas idesë, duhet të bëhet edhe zgjedhja e dukur grafike. Dhe, përkushtimi, që të mos jesh karikaturist për vetëm një ditë.
Keni marrë pjesë në shumë ekspozita, ku keni fituar edhe çmime. A keni më kureshtje për këto “gara”? Po, kam marrë pjesë në shumë ekspozita ku edhe jam shpërblyer. Ende ftohem për pjesëmarrje, por në tri vitet e fundit nuk jam aktiv këtë drejtim, ndoshta për shkak të angazhimeve tjera.
A ka karikatura gjithmonë qëllim të kritikojë apo edhe të madhërojë? Në karikaturë ka më shumë filozofi sociale, ndaj ajo zbërthen problemin përmes kritikave, thumbimit të burimit dhe të pasojave të një problemi.
Çka jeni duke punuar aktualisht? Jam duke punuar në disa ilustrime, po ashtu piktura, por vazhdoj me karikaturën, sepse është gjëja ku e gjej prehjen më të madhe shpirtërore.
/Telegrafi/



































































