LAJMI I FUNDIT:

Dhuna në Luginën e Preshevës

Shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit po jetojnë nën terrorin dhe represionin sistematik të Serbisë. Shteti serb po i shkelë në mënyrë flagrante të gjitha konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut në këto treva autoktone shqiptare. Nëpërmjet terrorit dhe diskriminimit që po iu bëhet shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Serbia synon që të ndryshoj strukturën demografike në dëm të shqiptarëve, dhe në ketë mënyrë të bëj kolonizimin me elementin serb.

Provokimet, kërcënimet, bastisjet, arrestimet, rrahjet brutale, burgosjet janë përditshmëri e jetës për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Të gjitha këto forma të dhunës që i praktikojnë mekanizmat serbë ndaj popullatës shqiptare kanë motive etnike. Pra, mjafton të jesh shqiptar dhe do të jesh objekt i persekutimeve të ndryshme. Dhuna që ushtron Serbia mbi shqiptarët është më e sofistikuar në krahasim me dekadat e kaluara. Kemi vazhdim të politikës se njëjtë serbe me mjete të tjera.


Marrëveshja e Konçulit që i dha fund luftimeve ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc dhe forcave serbe, me gjithë defektet e mëdha, nuk po respektohet nga Qeveria e Serbisë. Shtimi i forcave serbe në zonat shqiptare, mosrespektimi i amnistisë për ish-ushtarët e UÇPMB-së, mosrespektimi i kriterit të përqindjes se popullatës në policinë multietnike dhe mospërfaqësimi i shqiptarëve në institucionet publike janë vetëm disa shkelje që i bën Serbia kësaj marrëveshjeje. Faktori ndërkombëtar si ndërmjetësues dhe monitorues për jetësimin e marrëveshjes se Konçulit ka dështuar që ta detyrojë Serbinë të implementojnë ketë dokument.

Shqiptarët e Luginës se Preshevës për ta kundërshtuar dhunën dhe diskriminimin politik, ekonomik, social, arsimor e kulturor kanë organizuar dhjetëra protesta gjithëpopullore. Në muajin shtator të këtij viti u protestua në Bujanoc me moton “Stop Diskriminimit” e përkrahur nga të gjitha partitë dhe organizatat joqeveritare shqiptare. Dy muaj më vonë, pikërisht në Ditën e Flamurit shqiptarët e Luginës protestuan në Bujanoc e Preshevë për të drejtat e tyre të mohuara. Sigurisht që deri më tani Serbia nuk i ka marrë parasysh kërkesat e shqiptarëve në Luginë. Vetëm radikalizimi i formës se reagimit qytetar mund ta detyrojë Serbinë të ndërrojë politikën e saj antishqiptare.

Serbia edhe në kohën kur portretizohet nga ndërkombëtarët si shtet demokratik e i moderuar, po zbaton politikat e spastrimit etnik të shekujve të kaluar kundër shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Bashkimi Evropian nuk duhet të bëjë asnjë marrëveshje kontraktuale me Serbinë pa e ndryshuar kjo e fundit politikën armiqësore ndaj shqiptarëve në përgjithësi. Pavarësisht që Serbia nuk i posedon vlerat demokratike evropiane, po i afrohet çdo ditë e më shumë BE-së. Në ketë rrugë të Serbisë drejt BE-së po e ndihmon edhe Qeveria e Kosovës nëpërmjet negociatave të Brukselit.

Për problemin e shqiptarëve në këto treva nuk diskutohet në qendrat politike ndërkombëtare. Fajin për ketë e kanë Qeveria e Kosovës dhe e Shqipërisë, të cilat kurrë nuk kanë marrë mundin që të alarmojnë bashkësinë ndërkombëtare për dhunën e strukturave të Serbisë mbi shqiptarët. Në takimet e zyrtarëve të Prishtinës dhe të Tiranës me ndërkombëtarët nuk flitet për situatën e rënd të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Për më tepër, këto qeveri shqiptare edhe kur ndodhin akte të dhunës ndaj shqiptarëve nuk reagojnë se paku duke e dënuar dhunën serbe deklarativisht.

Pak kohë me parë nga dhuna e policisë serbe pësoi familja e Sokol Ismajlit nga fshati Gërbac i Medvegjës. Anëtarët e kësaj familje u rrahën në shtëpinë e tyre nga policët serbë pa kurrfarë arsyeje. Ky veprim policor serbë ndaj familjes Ismajli kaloi pa asnjë reagim kombëtar e ndërkombëtar. Po t’i ndodhte diçka e tillë ndonjë serbi në Kosovë, me siguri se do të diskutohej në Këshillin e Sigurimit dhe në instancat tjera ndërkombëtare. Edhe Prishtina zyrtare do të ngutej që ta dënoj aktin e tillë.

Qeveria e Kosovës, partitë politike dhe institucionet tjera i kanë mbyllur sytë dhe i kanë lidhur duart para dhunës serbe në Luginën e Preshevës. Është obligim kombëtar e qytetar që të ndihmohen shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc për të zmbrapsur Serbinë nga tendencat kolonizuese.