Site icon Telegrafi

Dhimbja e veshkave dhe dhimbja e shpinës, ku është dallimi?

Dhimbja e veshkave ndihet në anët tuaja, në shpinë, në bark ose në ijë. Shpesh ngatërrohet me dhimbjen e shpinës. Dhimbja e veshkave mund të shkaktohet nga gurët në veshka, infeksioni i veshkave, një dëmtim ose kanceri i veshkave.

Trajtimi i dhimbjes së veshkave varet nga shkaku themelor.

Çfarë është dhimbja e veshkave?

Dhimbja a veshkave është një parehati pranë veshkave tuaja. Veshkat janë dy organe me formë si fasule, të vendosura poshtë brinjëve, në të dy anët e shtyllës kurrizore. Kjo dhimbje nuk do të thotë gjithmonë se problemi lidhet drejtpërdrejt me veshkat, por zakonisht tregon një shqetësim diku në sistemin urinar (kanalet që prodhojnë dhe largojnë urinën nga trupi).

Çfarë ndjesie keni kur ju dhembin veshkat?

Njerëzit shpesh ngatërrojnë dhimbjen e veshkave me dhimbjen e shpinës. Por ka disa dallime kryesore midis dhimbjes së veshkave dhe mënyrës sesi ndihet në krahasim me dhimbjen e shpinës.

Dhimbja e veshkave dhe dhimbja e shpinës, ku është dallimi?

-Dhimbja e shpinës: Zakonisht ndihet në pjesën e mesme të shpinës, mbi shtyllën kurrizore, dhe më së shpeshti në pjesën e poshtme të saj. Problemet me shtyllën kurrizore mund të shkaktojnë që dhimbja të përhapet edhe në këmbë.

-Dhimbja e veshkave: Zakonisht ndodhet më lart në shpinë dhe ndihet më thellë. Në shumicën e rasteve, dhimbja e veshkave shfaqet nën brinjë, në të djathtë ose të majtë të shtyllës kurrizore. Ajo mund të përhapet edhe në zona të tjera, si barku ose zona e ijëve.

Shkaqet më të zakonshme të dhimbjes së veshkave

Veshkat janë të lidhura me fshikëzën dhe uretrat (tubat që transportojnë urinën nga veshkat në fshikëz). Problemet në cilëndo prej këtyre zonave mund të shkaktojnë dhimbje dhe shqetësime. Shkaqet më të zakonshme të dhimbjes së veshkave përfshijnë:

Gurët në veshka: Formohen nga grumbullimi i mineraleve ose përbërjeve brenda trupit. Gurët mund të jenë sa një kokërr rëre ose më të mëdhenj se një perlë. Gurët e vegjël mund të dalin vetë, por gurët më të mëdhenj mund të bllokojnë rrugët urinare dhe të shkaktojnë dhimbje të forta.

Retensioni urinar: Kjo gjendje ndodh kur nuk mund të zbrazni plotësisht fshikëzën. Mund të ndodhë papritur ose gradualisht me kalimin e kohës.

Refluksi vezikoureteral (VUR): Urina kthehet mbrapsht nga fshikëza në uretra ose veshka. Kjo gjendje është më e zakonshme tek foshnjat dhe fëmijët e vegjël.

Bllokimi në bashkimin e uretrës me veshkën: Një bllokim në pikën ku uretra lidhet me veshkën mund të shkaktojë dhimbje në anë që përhapet në bark ose ijë.

Ngushtimi i uretrës: Kjo ndodh kur uretra (tubi që transporton urinën nga veshkat në fshikëz) ngushtohet. Mund të ndodhë në njërën ose të dy anët.

Infeksioni i veshkave (pielonefriti): Një infeksion bakterial që prek veshkat, duke shkaktuar ethe, të dridhura, dhimbje në shpinë ose anë, si dhe të përziera dhe të vjella.

Sëmundja policistike e veshkave: Një gjendje trashëguese ku në veshka formohen kiste të mbushura me lëngje. Kistet mund të rriten dhe të shkaktojnë dhimbje, duke ndikuar në funksionimin normal të veshkave.

Lëndime ose trauma: Goditjet nga sportet me kontakt, aksidentet ose trauma të tjera mund të dëmtojnë fizikisht veshkat, duke shkaktuar gjak në urinë ose rrjedhje të urinës nga veshkat.

Kanceri i veshkave (karcinoma qelizore renale): Lloji më i zakonshëm i kancerit të veshkave, që zakonisht prek njerëzit në moshat 60-70 vjeç. Simptomat përfshijnë gjak në urinë, dhimbje në anë ose formimin e një gungë në pjesën anësore të trupit.

Cilat janë simptomat e zakonshme të dhimbjes së veshkave?

Personat që përjetojnë dhimbje në veshka mund të kenë simptoma të ndryshme. Disa nga simptomat më të zakonshme janë:

-Një dhimbje e vazhdueshme dhe e lehtë në shpinë.

-Dhimbje në anë, nën brinjë ose në zonën e barkut.

-Dhimbje të forta ose të mprehta që vijnë në valë.

-Dhimbje që përhapet në zonën e ijëve.

Dhimbja e veshkave shpesh shoqërohet me të përziera ose të vjella, veçanërisht nëse shkaku është një gur në veshka. /Telegrafi/

Exit mobile version