Dhimbja e Trepçës për rrugën që s'po mund të ndjekë

Tri prej katër skuadrave të mëdha të basketbollit kosovar tashmë po paraqiten edhe në gara tjera, pos në ato që i organizon Federata e Basketbollit të Kosovës. E vetmja skuadër e katërshes së madhe që ka mbetur të garojë vetëm në kampionatin e Kosovës është Trepça e Mitrovicës, shkruan sot Koha Ditore.
Trepça është e Mitrovicës, por për vitin e katërt rresht nuk po mundet të luajë në qytetin buzë Ibrit për shkak të renovimit maratonik të palestrës "Minatori". Këtë edicion Trepça si vendase po luan në Obiliq, zakonisht para dhjetëra shikuesve.
Pa kthim në palestër, drejtuesit e Trepçës as që e mendojnë paraqitjen në ligën rajonale. Duke marrë për bazë faktin se Trepça ka në përbërje lojtarët ndër më të mirë në vend dhe përkrahjen më të madhe të shikuesve, vlerësohet se paraqitja e saj eventuale në Ligën Ballkanike do të ishte një "tregim suksesi". Në gjendjen aktuale sfidë për Trepçën paraqet vetë ekzistimi si klub.
"Nuk e di si po ia dalim. Për shkak të udhëtimeve të vazhdueshme shpenzimet po i kemi shumë të mëdha dhe mezi po i mbulojmë. Jemi lodhur të gjithë dhe vetëm dashuria për basketbollin, për klubin e qytetin po bën të vazhdojmë", ka thënë drejtori i Trepçës, Besim Braha.
Drejtuesit e klubit kanë treguar që vetëm pas kthimit në palestër do të nisin të mendojnë për t'ia shtuar kampionatit të Kosovës edhe ndonjë garë tjetër.



















































