Dështim pas dështimi, zvarritet fillimi i legjislaturës së re në Kuvendin e Kosovës

Për herë të 21-të me radhë, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet, duke thelluar edhe më tej krizën politike dhe institucionale në vend.
Seanca e fundit përfundoi pa sukses, pasi mungesa e konsensusit dhe numrave të mjaftueshëm pengoi zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Dështimet e njëpasnjëshme po ndodhin pavarësisht thirrjeve nga brenda dhe jashtë vendit për të lëvizur përpara me krijimin e institucioneve.
Çështja e votimit të fshehtë për kryeparlamentare që u propozua më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, është dërguar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.
Ato thonë se është jokushtetuese mënyra se si LVV-ja po tenton që kryeparlamentari të votohet përmes formës së fshehtë, dhe i kanë kërkuar Kushtetueses të marrë “një masë të përkohshme për ndalim të mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe ta marrë një vendim”.
Kurti sërish iu shmang gazetarëve – LVV fajëson partitë e tjera
Në seancën e 21-të që u mbajt të dielën për konsitutimin e Kuvendit të Kosovës, kryeministri në detyrë dhe deputeti i LVV-së, Albin Kurti iu shmang sërish gazetarëve.
Ai zgjodhi të hynte në Kuvend përmes një rruge alternative duke iu ikur kështu gazetarëve që e prisnin në hyrjen e kryesore.
Kurse deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu ka akuzuar partitë e tjera për ngërçin politik në Kosovë.
Ajo ka thënë se partitë se kanë problemin te Albulena Haxhiu, që është propozuar nga Vetëvendosja për kryeparlamentare, por duan ta “mbajnë të bllokuar edhe më tej institucionin më të rëndësishëm në vend”. Deputetja në fjalë para fillimit të seancës deklaroi se partitë opozitare e dinë se Vetëvendosje i ka numrat për qeveri dhe për këtë arsye nuk po e votojnë Albulena Haxhiun për kryeparlamentare.
PDK, LDK e AAK akuza ndaj Kurtit dhe Vetëvendosjes
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku pas dështimit të radhës ka thënë se Kosova vazhdon të mbetet peng i kryeneçësisë së kryeministrit në detyrë.
“Fatkeqësisht asgjë të re për të thënë. Kosova dhe institucionet e saj vazhdojnë të mbesin peng i kryeneçësisë së kryeministrit në detyrë, deputetit Albin Kurti Nga këtu i bëjmë thirrje që të reflektojë. Qytetarët nuk kanë votuar për bllokadë, por për formim të institucioneve”, tha Çitaku.
Ajo tha se i bëjnë edhe njëherë apel që të reflektoi në mënyrë që të ecim tutje.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri tha se LVV ka kontaktuar me më shumë se dy deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës për t’i bindur që të jenë pjesë e koalicionit LVV-Lista Guxo-Alternativa, por se ata janë unik dhe veprojnë të bashkuar si LDK.
Sipas tij, koalicioni që ka dal i pari në zgjedhje, duhet ta kuptojë se veprimet për t’i bindur individualisht deputetët nuk krijon stabilitet politikë, pa një marrëveshje politike.
E deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj ka thënë se nuk presin ndonjë ndryshim. Ajo ka thënë se ndryshimi mundet me ardhë vetëm nga LVV.
“Ndryshimi mundet me ardhë vetëm nga LVV nëse do ta ndryshonte kandidatin ose do të ndryshonte qasje. Ndryshimi i kandidatit do të kishte qenë një zgjidhje”, ka thënë Kadrijaj.
Propozimi për kryeparlamentar është e drejtë ekskluzive e fitueses së zgjedhjeve, LVV-së, e cila ngul këmbë se Haxhiu e meriton të zgjidhet dhe, ndonëse ka kërkuar marrëveshje politike me partitë e tjera, e ka përjashtuar mundësinë të sjellë kandidat tjetër pos saj.
Më 15 maj, pas një takimi të thirrur nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me përfaqësues të partive politike, Osmani tha se nuk pati pajtim rreth konstituimit të Kuvendit, por shtoi se kishte parë një “disponim minimal” tek liderët partiakë për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje.
Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri.
Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re. /Telegrafi/












































