Disa dëshmitarë kanë përshkruar skenat tronditëse teksa po tentonin të largoheshin nga një lokal i përfshirë nga zjarri në Zvicër.

Bëhet fjalë për një zjarr në Crans-Montana ku është raportuar për një shpërthim nga i cili kanë mbetur disa të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të lënduar.


Dhe Sky News thotë se ka folur me një dëshmitar të zjarrit në lokal, i cili ka përshkruar skenat shkatërruese që pa gjatë incidentit.

"Shumë njerëz bërtisnin, ishte e tmerrshme", ka thënë Samuel Rapp, përcjell Telegrafi.

Ai tregon se shumica e njerëzve brenda lokalit u përpoqën të shpëtonin nëpërmjet daljes kryesore, me festuesit dhe stafin e natës së Vitit të Ri që u larguan në masë.

"Njerëzit bërtisnin, pashë shumë njerëz në dysheme. Mendoj se disa ishin të vdekur ndërsa dikush i vuri një xhaketë në fytyrë dikujt".

Rapp përshkruan dëgjimin e zërave nga ata në dysheme që kërkonin ndihmë mjekësore dhe thotë se pa njerëz "pa flokë sepse po digjeshin".

I pyetur se nga cilat vende kanë mundur të jenë mysafirët, ai thotë: "Të gjithë në botë vijnë këtu. Shumë nga Anglia, disa të tjerë nga e gjithë Zvicra”.

"Është e tmerrshme. Njerëz të moshës 16 deri në 18 vjeç ishin atje", ka shtuar ai.

Ndërkohë, rreth ngjarjes janë deklarurar edhe dy gra franceze që pretendojnë se kanë ikur nga Le Constellation pasi shpërtheu zjarri.

Sipas tyre, zjarri filloi nga një nga "qirinjtë e ditëlindjes" të vendosur nga kamarierët në shishet e shampanjës.

"Njëri prej tyre u soll shumë afër tavanit, i cili u përfshi nga flakët. Brenda disa dhjetëra sekondash, i gjithë tavani u përfshi nga flakët. Gjithçka ishte bërë prej druri", citohet të ketë thënë njëra nga gratë.

Dyshja tha se paniku u përhap shpejt, me njerëz që "bërtisnin dhe vraponin".

"Dera e daljes ishte mjaft e vogël krahasuar me numrin e njerëzve të pranishëm. Dikush theu një dritare që njerëzit të dilnin jashtë”, shpjegon njëra nga gratë.

Ajo gjithashtu tregon se si “u hodh poshtë shkallëve” nga një turmë e madhe njerëzish, duke lënduar gjurin.

Ndërkohë, policia zvicerane ka publikuar imazhe të bëra pas zjarrit, që tregojnë tarracën e barit Le Constellation ku shihen karrige dhe tavolina të shpërndara.

Më parë ishte raportuar se besohet se zjarri filloi në bodrumin e barit, me raportime që sugjerojnë se deri në 100 persona ishin aty kur filloi zjarri.

Bari ndodhet në Crans-Montana në rajonin zviceran të Valais, i cili është i njohur për turistë.

Kujtojmë se shpërthimi dhe zjarri pasues ndodhën rreth orës 1:30 të mëngjesit sipas orës lokale, ndërsa mysafirët po festonin fillimin e vitit 2026.

Shkaku i shpërthimit mbetet i panjohur për momentin edhe pse disa raportime të tjera sugjerojnë se mund të jetë shkaktuar nga mjetet piroteknike gjatë një koncerti.

Autoritetet zvicerane konfirmuan se incidenti po trajtohet si zjarr dhe jo si ndonjë sulm. /Telegrafi/