Live Shqyrtimi i buxhetit 2025
Kuvendi miraton në lexim të parë buxhetin për vitin 2025
Përditesuar 11/11/2024 10:06
Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot do të diskutojnë për të vetmen pikë të rendit të ditës që është shqyrtimi i parë i Projektligjit për Buxhetin e Kosovës për vitin 2025.
Deputetët do ta shqyrtojnë projektligjin për ndarjet buxhetore për vitit 2025, të propozuar e miratuar nga Qeveria në vlerë prej 3.6 miliardë eurove.
Ky projekt-buxhet, përfshin rritje të investimeve në arsim, shëndetësi dhe infrastrukturën publike, duke synuar përmirësime të mëdha në këto sektorë.
Ndërsa qeveria ka theksuar rëndësinë e këtyre fondeve për zhvillimin ekonomik, opozita e ka kundërshtuar duke e cilësuar si të dëmshëm këtë projekt-buxhet.
Partitë opozitare kanë paralajmëruar se nuk do ta votojnë këtë buxhet.
Kalimi i projektligjit bëhet përmes shumicës së thjeshtë të deputetëve 50+1 përqind.
Telegrafi do t’ju mbajë të informuar rreth të gjitha zhvillimeve gjatë kësaj seance plenare. /Telegrafi/
Kuvendi miraton në parim projektligjin mbi ndarjet buxhetore
Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2025.
Projektligji u votua me 59 vota pro, 0 kundër dhe 2 abstenime, duke hapur rrugën për ndarjen e buxhetit të ardhshëm.
Projektbuxhetin në vlerë prej 3.6 miliardë eurosh, Qeveria e Kosovës e miratoi më 30 tetor.
Vlera e tij është për 9 për qind më e lartë se e buxhetit të vitit 2024 prej 3.3 miliardë eurosh.
Në Projektbuxhetin për vitin 2025 thuhet se gjatë vitit aktual ekonomia e Kosovës pritet të rritet për 4.5 për qind, duke vazhduar trendin e rritjes edhe vitin e ardhshëm, përkatësisht për 5.6 për qind.
Kontributi kryesor në rritjen ekonomike gjatë vitit 2025 thuhet se do të vijë nga konsumi privat, investimet private dhe publike, por edhe nga eksportet e mallrave dhe shërbimeve.
Gërvalla-opozitës: Në fushatë shihemi në janar, por atëherë do të përdorim tjetër gjuhë
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka akuzuar partitë opozitare se gjatë kohës sa kanë qenë në pushtet nuk kanë takuar mërgatën shqiptare, derisa tash kritikojnë kryeministrin Albin Kurti për tubimet me diasporën.
Sipas saj, ish-pushtetet e kaluara i kanë mbushur ambasadat me jarana, vëllezër dhe motra, të cilët kanë qëndruar vetëm me njerëz që kanë bërë biznese, duke anashkaluar diasporën.
Duke iu kundërpërgjigjur kritikave të partive në opozitë se po shfrytëzojnë ambasadat për fushatë elektorale, Gërvalla tha se tubimet me mërgatën s’ka pasur asgjë në përmbajtje me fushatën zgjedhore.
Ajo gjatë seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, ku po shqyrtohet projektligji për buxhetin e vitit 2025, i tha opozitës se në fushatë do të shihen në janar, mirëpo sipas saj, atëherë do të ketë fjalë të tjera.
“Veç po mos bërtisni, qetësohuni pak se nuk është mirë për shëndet. Unë iu kuptoj juve, iu kuptoj se ju njoh shumë mirë jo vetëm këtu në Kuvend, por edhe si pjesë e qindra mijëra shqiptarëve jashtë vendit. Kur keni ardhur në ambasada që i keni mush me jarana, me vllazën, motra të juaj, keni ardhur e keni nejt veç me njerëz që keni bërë biznese, keni paguar 500 mijë euro për libra e sene. Nuk keni marrë guximin me ardh me u taku me neve, që keni qenë pjesë e komunitetit atje. Fort mirë e kuptoj që juve çuditeni siç mundet kryeministri me ardh vullnetarisht e me taku mërgatën. Qysh nuk frikësohet me taku mërgatën, vjen dhe flet me ta, iu përgjigjet pyetjeve, dëgjon kritikat, dhe mundohet. Ju para se me fol, është mirë me dëgju, janë LIVE tubimet që kemi mbajtur. S’ka as në ton dhe as në përmbajtje ndonjë gjë të fushatës. Fushata vjen në janar. Po jo vetëm në Kosovë edhe në diasporë do të shihemi në fushatë. Mirëpo, atëherë do t’i kemi do fjalë të tjera në fushatë”, theksoi ajo.
Krahas kësaj, duke përmendur buxhetin e ministrisë, ajo tha se më nuk paguajnë bileta luksi për zyrtarë apo përfaqësues qeveritar.
“Një arritje kjo që dëshmon përkushtimin tonë përkushtimin tonë ndaj një menaxhimi të përgjegjshëm dhe efektiv të fondeve publike. Nuk paguajmë më bileta luksi për zyrtarë apo për përfaqësues qeveritar dhe kemi rregulluar bazën ligjore për shpenzimet e qirave të diplomatëve”, tha ajo.
Mirëpo, kryediplomatës kosovare i reagoi deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, e cila tha se diplomacia kosovare ka dështuar në fuqizimin ndërkombëtarë të Kosovës, njohje të reja dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
“U tha se nuk ka bileta luksi me qeverinë tuaj. Më lejoni t’iu rikonformoj se janë nëntë udhëtime të largëta që ju bashkë me Lizën shkoni të dyja bashkë dhe jeni në evente të njëjta, pa asnjë rezultat, asnjë njohje, as një anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Ajo çka ishte në Këshill të Evropë”, tha ajo.
Musliu i drejtohet Kurtit: Do të mbetesh në histori si rrenc, je turpi i këtij vendi
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu e ka quajtur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, “rrenc”.
Gjatë fjalës së saj në seancën e sotme, ajo u shpreh se një kryeministër qe ka nder e arsye të shëndoshë, e dorëzon karrigen e jo shtetin.
“Ti Albin the “e kam nderin që po e çoj mandatin deri në fund”. Jo Albin, ti nuk ke nder, ti nuk e din çka është nderi, ti ke turp, turpin që e ke mbajtë këtë shtet peng me zero zhvillim, me dialog në favor të Serbisë, me sanksione nga BE-ja, me ministra antikushtetues. Një kryeministër që ka nder e arsye të shëndoshë e dorëzon karrigen nuk e dorëzon shtetin si ti Albin. Pesë vjet në pushtet do të mbahen në mend si pesë vitet më të errëta të ngritjes së Kosovës shtet. Do të mbetesh në histori si një rrenc destruktiv antishtetëror, antikombëtar. Ti je turpi i këtij vendi”, tha Musliu.
Debat në Kuvend për edukatën seksuale, Eman Rrahmani akuzon ministren Nagavci për keqpërdorim të kurrikulës
Edukata seksuale ka shkaktuar debat në seancën e Kuvendit, ku po diskutohet projekt-buxheti për vitin 2025.
Deputeti i larguar nga LVV, Eman Rrahmani ka folur për kurrikulën për arsim në edukatën seksuale dhe shëndetin riprodhues. Ai tha se e ka lexuar dhe ka ndarë një pjesë të saj me deputetë.
“Në atë kurrikulë mësohen se si mësimdhënësit t’iu tregojnë fëmijëve nga klasa e 1 deri në klasën e 12 se si i kryejnë marrëdhëniet e tyre në shtëpitë e tyre. Në atë kurrikulë, ministrja Nagavci ka miratuar që fëmijët të marrin një shembull një vajzë dhe një djalë që i qesin para gjithë shokëve të klasës dhe njërit ia mbyll sytë për 5 minuta e nxënësi tjetër ka me ia prek me dorë trupin me sytë mbyllur dhe pastaj do t’i ndërrojnë rolet e më pas do të tregojnë se çka kanë ndjerë, çfarë organe kanë prekur”, tha Rrahmani.
Ministrja Arbërie Nagavci, i është përgjigjur kritikave të deputetit Eman Rrahmani.
Nagavci ka thënë se deputeti në fjalë çdo herë e ka keqpërdorur foltoren e Kuvendit për interesa personale.
“Është për keqardhje që të keqpërdoret kjo foltore siç keni bërë gjithmonë për interesat personale ose të një grupi. Thjeshtë dhe shkurt deputeti Rrahmani kurrikulat tona që i kemi miratuar kanë të bëjnë me edukimin dhe mire edukimin e të gjithë vajzave dhe djemve. Në mënyrë që asnjë vajzë e as një djalë të mos keqpërdoret ashtu siç keni bërë deri me tani”, tha Nagavci.
Lajmi i plotë KËTU.
Rizvanolli: Sa i përket energjisë elektrike janë thënë shumë të pavërteta
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli i ka quajtur të pavërteta deklaratat e opozitës sa i përket çmimeve me energji elektrike e po ashtu edhe subvencioneve.
Ajo derisa ka përmendur masat që kanë ndërmarrë për t’i ndihmuar qytetarët ka thënë se me një fond prej 11 milionë euro, 3 mijë e 121 familje kanë investuar në investim të shtëpive për herë të parë në Kosovë.
“Një nder temat që është përmendur shumë sot është rritja e subvencioneve dhe rritja e subvencioneve për entitetet publike. Dua t’i cek disa prej rezultateve shumë të prekshme për qytetarët që kanë ardhur si rezultat i rritjes së këtyre subvencioneve. Me një fond prej 11 milionë euro, 3 mijë e 121 familje kanë investuar në investim të shtëpive për herë të parë në Kosovë. 15 milionë të tjera janë ndarë për 28 ndërtesa shumë banesore për investime që nga izolimi, dyer, dritare, kulmi, e të tjera…Sa i përket energjisë elektrike dhe subvencionimit të energjisë elektrike, u thanë aq shumë të pavërteta sa nuk po di as nga të ja filloj, si dhe për çmimin e energjisë elektrike. Sa i përket atij gjysmëmiliardëshit të subvencionimit të energjisë elektrike i keni përzier”, tha Rizvanolli.
Rizvanolli iu është kundërpërgjigjur deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës Hykmete Bajrami e cila e quajti pushtetin si “mafia energjetike” e cila sipas saj ka mbrojtur ambasadorin Martin Berishaj dhe ish kryeshefin e KEK-ut Nagip Krasniqi.
Bajrami poashtu ka përmendur edhe energjinë elektrike në veri.
Lekaj kritikoi ashpër buxhetin, i reagon Durmishi: Kudo ku ka prekur dora jote përbën krim e korrupsion
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj ka folur për inflacionin me të cilin po përballen qytetarët.
Lekaj ka thënë se përderisa kjo çështje është problematike për qytetarët, zyrtarët shtetëror janë zhytur në luks.
“Jemi dëshmitarë të rritjes së shpenzimeve të panevojshme për zyrtarët kur qytetarët po përballen me inflacion të lartë, ndërkohë familjet e Kosovës përpiqen të sigurojnë ushqimin bazik, qeveria vazhdon në luks. Kjo është mungesë e thellë e ndjeshmërisë ndaj popullit”, tha Lekaj.
Ai shtoi se buxheti i vitit të ardhshëm nuk përmban asnjë projekt të madh kapital me të cilin do të krenohej shteti i Kosovës.
“Ky buxhet nuk përmban asnjë projekt të madh kapital që do të krenohej shteti dhe qytetarët e Kosovës. I ka lënë veteranët me 204 euro pagë mujore, i ka lënë qytetarët me pagë minimale 320 euro. Ky buxhet është ofendues. Ky buxhet është edhe gënjeshtër për rininë e Kosovës se nuk përfshin ndërtimin e 4 mijë shtëpive për çiftet e reja që ka qenë premtim i qeverisë. Ky buxhet është fyerje e shpresës për familjet e të zhdukurve të Kosovës”, ka thënë Lekaj.
Deputeti i AAK-së tha se deputetët e mazhorancës dhe kabineti qeveritar sot janë më të zbehur.
“Keni ardhur në pushtet me një shkëlqim dhe sot po ju shoh të zbehur, sepse asnjë ministër s’ka me çka me u krenu për vitin 2025, apo për këtë mandat katër vjeçar”, shtoi tutje Lekaj.
E ndaj këtyre deklaratave përmes një postimi në Facebook, ka reaguar zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi.
Durmishi duke iu referuar Lekajt si “hajn” tha se aty ku ka prekur dora e tij përbënë krim e korrupsion.
“Pal Leku, ky hajn i dëshmuar tashmë edhe me vendim gjykate del e flet për projekte infrastrukturore.
Kudo ku ka prekur dora e tij përbën krim e korrupcion, përfshirë edhe rrugën Dollc – Gjakovë”, ka shkruar Durmishi. /Telegrafi/
Peci: Kosova këtë vit ka importuar 28 milionë kilogram më pak
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci i është përgjigjur kritikave të deputetëve të opozitës, të cilët e kanë akuzuar ministrin se për këtë mandat nuk ka pasur përkrahje në sektorin e bujqësisë
.Ai ka thënë se në periudhën kohore janar-tetor 2023, në përudhën janar-tetor 2024, Kosova ka importuar 28 milionë kilogram më pak apo në vlerë monetare 8.1 milionë euro.
“Në periudhën kohore janar-tetor 2023, në periudhën janar-tetor 2024 ,Kosova ka importuar 28 milionë kilogram më pak apo në vlere monetare 8.1 milionë euro. Mes tjerash deklaroi Hoti se zero është investimi në hektarë të ujitjes, unë po i përmendi komunat në të cilat ka investuar Ministria e Bujqësisë.
Në komunën e Deçanit në Isniq, vlera e investimit ose hektar e përfshirë tokë bujqësore janë 1 mijë hektarë me tokë, në Klinë 100 hektar, në Pejë 200 hektarë, Gjakovë 200 hektar, në Vushtrri 150 hektar, Mitrovicë 200 hektar, Junik 200 hektarë, në Shtime 200 hektar”, ka thënë ministri.
Debat i ashpër për buxhetin, opozita përplaset me ministrin Murati
Deputetët e opozitës janë përplasur me ministrin e Financave, Hekuran Murati, pasi që ky i fundit akuzoj opozitën se po i pengon proceset.
“Ju po qitni zall në rrota, po pengoni”, iu tha Murati, opozitës.
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku gjatë replikës ndaj ministrit Murati dhe se është zhgënjyese sesi po mundoheni me i arsyetua dështimet tuaja.
“Çdo ekspert i ekonomisë e sheh këtë debat dhe i përqesh arsyetimet e juaja. Më e rëndësishme për çdo qytetar është sesi implementohet ky buxhet, të cilët i vuajnë pasojat e mosimpelmentimit të buxhetit”, tha Lushtaku.
Replikë pati edhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti. Hoti tha se Murati debaton me fanatizëm, nuk është i interesuar për të dalë te e vërteta.
“Vazhdon me atë propagandën e poshtër të ulët. Me sa fytyrë del në foltore dhe ju thua që u shkatërrua Kosova që 20 vite. Me 13 mijë njerëz të vrarë, e njerëz pa gjymtyrë, me shkolla të shkatërruara ti thu që është shkatërrua Kosova që 20 vite”, tha Hoti.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka replikuar ndaj deklaratave të ministrit, Hekuran Murati.
“Folët për rritjen e të hyrave në buxhet, kjo ardhur si rezultat i rritjes së çmimeve . Çmimi i miellit në 2021 ka qenë 0.51, në 2022 është bërë 0.66, sot është mbi 70. Buka ka qenë 0.36 e tash është 50. Qumështi ka qenë 0.86 tash është mbi 1 euro”, tha Tahiri.
Lajmin e plotë e gjeni KËTU. /Telegrafi/
Tahiri: Kjo Qeveri nuk ka bërë asnjë projekt që do të mbahet mend
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka bërë disa kritika ndaj pushtetit.
Ai ka thënë se Qeveria Kurti na ka kryer asnjë projekt gjatë këtij mandati, transmeton Telegrafi.
“Qeveria për katër vite ka pasur 12 miliard euro buxhet, në këto 12 miliard euro a ka ndonjë projekt që është nisur dhe është përfunduar, përveç urës së Saradranit. Është ky kabinet qe ka dhënë premtim që do t’i rris pensionet, sa i ka rritur 20 euro. Po është rrit ekonomia, 240 milion euro ja keni dhënë dostave të juaj përmes tenderëve një burimor”, ka thënë ai gjatë fjalimit.
Tahiri tha se LVV ka ardhur në pushtet duke premtuar ulje të çmimeve, por kjo nuk ka ndodhur.
“Ju po qitni zall në rrota, po pengoni” – Murati u përgjigjet akuzave të opozitës rreth buxhetit
Ministri i Financave, Hekuran Murati në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për projekt-buxhetin e vitit të ardhshëm, iu është përgjigjur kritikave të opozitës.
Murati e nisi fjalimin duke iu përgjigjur deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtaku, lidhur me premtimet që Qeveria Kurti që ka pas që do të ulet importi do të rritet eksporti e që taksat do të mblidhen brenda më shumë e të mos varemi nga Dogana e që tha asnjëra nga këto nuk është bërë.
“A është synim i qeverisë që të ulet importi, patjetër që po ne për këtë kemi bërë edhe mbështetjen për herë të parë të prodhueseve vendor duke subvencionuar kreditë investuese, gjithashtu kemi marrë edhe shumë masa tjera mbështetëse përmes ministrive të linjës”, tha Murati.
Ministri tutje iu përgjigj edhe disa akuzave të deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti për mospërmbushjen e premtimeve për Fondin Sovran dhe Bankën Zhvillimore.
“Kjo ngjason me atë fabulën për lotët e krokodilit që pasi e han prenë ulet dhe qanë,. Të gjithë e dimë që Fondin Sovran në Gjykatë Kushtetuese e ka dërguar opozita, dhe nuk është rrezua po e pret ende verdiktin. Ke informata nga brenda që do të rrëzohet Fondi Sovran, është skandal në vete”, tha Murati.
Murati tutje iu drejtua opozitës se “ju po qitni zall në rrota, po pengoni”. Lajmi i plotë KËTU. /Telegrafi/
“Mandati i katërt i Kurtit”, në Kuvend shkaktohen të qeshura nga gabimi i Besnik Tahirit
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka shkaktuar disa të qeshura në Kuvend, pasi bëri një gabim gjatë fjalimit të tij.
Tahiri derisa ishte duke komentuar deklaratën e Kurtit, i cili më herët tha është buxheti i katërt që prezanton për një mandat, ai tha “është mandati i tij i katërt”.
“Ky lavdërohet se si është buxheti i katërt në mandatin e tij të katërt, mirëpo për vlerësimin e qytetarëve ky është buxheti më i dështuar. A u kënaqet a u gezut, më vjen keq të fundit e keni”, tha ai.
Pas kësaj, reagoi edhe kryetari I kuvendit, Glauk Konjufca, i cili tha “mos na ndjell bash 4 mandate, se se di a mundemi”.
Seanca po vazhdon me diskutime ndërmjet deputetëve./Telegrafi/
Hoti: Ky projekt-buxhet ka dy shkelje ligjore, e mira që është tranzitor
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka kritikuar Qeverinë Kurti rreth hartimit të projekt-buxhetit për vitin 2025.
Hoti ka thënë se ky projekt-buxhet ka së paku dy shkelje ligjore sidomos tek tatimi në pronë dhe ligji i pagave.
“Ky projekt-buxhet tregon abuzimin e qeverisë me autoritetet e veta ligjore duke lënë zëra të paspecifikuar në buxhet tek subvencionet. Po e mira është që ky buxhet është tranzitor”, tha Hoti.
Ai shtoi se qeveria e ardhshme do të ketë prioritet ndryshimin e këtij buxheti, fillimisht për të rrit pagat, pensionet dhe skemat sociale për normën e inflacionit
“Për të buxhetuar projektet kapitale dhe për ti shpërndarë nëpër sektorë dhe komuna sipas nevojës, për të buxhetuar skemën e sigurimeve shëndetësore, arsimin dhe shëndetësinë, kontratën kolektive që është bërë kaos, ushtrinë dhe institucionet tjera. Për të kthyer ligjshmërinë dhe për të mbledh buxhet që kthehet prapë tek qytetarët e Kosovës”, tha Hoti. /Telegrafi/
PDK nuk do të votojë projektligjin për buxhetin e vitit 2025
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku në fjalimin e tij në Kuvend ka thënë se gjatë qeverisjes së Albin Kurti, nuk ka ndodhur asnjë projekt madhor.
Deputeti kritikoi pushtetin, derisa tha se po bëjnë disa mashtrime për buxhetin e shtetit, transmeton Telegrafi.
“Po mbajmë një ndër seancat më të rëndësishme të këtij viti, duke qenë së ligji ka rëndësi të veçantë dhe ka ndikim të drejtpërdrejtë te qytetarët dhe te vendi ynë. Asnjë projekt madhor nuk mbahet mend për këtë kohë që ju qeverisni. Kurti ka premtuar se do të forcojë ekonominë, këtë e ka bërë për të manipuluar popullatën. Besimin e qytetarit e kanë marrë si privilegj, e po mendojnë se në karriget e pushtetit do të qëndrojnë përgjithmonë”, tha ai.
Lushtaku tha se buxheti i vitit 2025 nuk kontribuon në përmbushjen e nevojave të qytetarëve.
“Kur flasim për planifikimin buxhetor, ku ky shtet nuk ia sheh hajrin, që nga fillimin u qeverisë, shihet se është e dobët në planifikim”. Një planifikim i mirëfilltët do të kontribuonte në përmbushjen e nevojave të qytetarë, e që kjo nuk po ndodhë me ju”, tha ai.
Deputeti shtoi se ata nuk do të votojnë projektligjin për buxhetin e vitit 2025./Telegrafi/
Muja: Buxheti i vitit 2025 përfshin 3.6 miliardë euro, borxhi do të jetë 21.1% i GJDP-së
Kryetari i Komisionit për buxhet, punë dhe transfere, Armend Muja ka thënë se shpenzimet buxhetore të propozuara në kuadër të ligjit përfshinë vlerën prej 3 miliardë e 607 milionë euro, duke thënë se mbështeten në të hyrat buxhetore në vlerë prej 3.3 miliardë euro,
“Nevoja për financim përfshinë një bilanc negativ prej 300 milionë euro. Borxhi i përgjithshëm bazuar në propozimin e ligjit për ndarjet buxhetore 2025, deri në fund të vitit 2025 parashihet të jetë 21.1% në raport me GJDP”, tha Muja.
Ai shtoi se shpenzimet pritet të jenë 1.2 miliardë euro në kategorinë e subvencioneve dhe transfereve, 916 milionë euro në paga dhe mëditje, 930 milionë euro për investime kapitale dhe 536 milionë euro për mallra dhe shërbime.
Muja tutje shtoi se sipas këtij projekt-buxheti, buxheti për nivelin qendror të jetë 2.8 miliardë euro, ndërkaq 788 milionë euro i dedikohen komunave.
Lajmin e plotë e gjeni KËTU. /Telegrafi/
Kurti: Buxheti për vitin 2025, buxhet për familjet
Në Kuvendin e Kosovës ka nisur shqyrtimi i parë i Projektligjit për Buxhetin e Kosovës për vitin 2025.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë para deputetëve se buxheti për vitin 2025 është rritur për rreth 9% më i lartë se viti i kaluar.
“Kam nderin të bëhem kryeministri i parë që prezanton buxhetin e katërt për ta shënuar kështu edhe qeverinë e parë që e qon mandatin deri në fund. Buxheti për vitin është projektuar të jetë 3.6 miliardë euro. 9% më i lartë se i vitit 2024. Ky buxhet për vitin 2025, është buxhet për familje. Asnjë qeveri nuk ka mbështetur si ne familjet”, tha ai.
Tutje, kryeministri u shpreh se “Kaluam shumë sfida globale dhe të brendshme, por për dallim nga të tjetër u siguruam që buxheti të orientohet kyu kthimi ishte me i lartë”.
Kurti tha janë siguruar që buxheti të rritet nga viti në vit.
“Jemi qeveria me numrin më të madh të personave të punësuar. Edhe pse u ballafaquam me kriza globale, në qeverisjet e kaluara edhe kriza e jashtme e ndikonte rritjen ekonomike”, potencoi ai. /Telegrafi/
Nis seanca për buxhetin e vitit të ardhshëm, nderohet me një minut heshtje pjesëtari i FSK-së
Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës, ku në rend dite është shqyrtimi i buxhetit për vitin 2025.
Të pranishëm në këtë seancë janë 73 deputetë.
Seanca ka nisur me një minut heshtje në nderim të pjesëtarit të FSK-së, Liman Musliu që humbi jetën tragjikisht. /Telegrafi/
Diskutimi për buxhetin e vitit 2025 vonohet
Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot do të diskutojnë rreth buxhetit për vitin e ardhshëm.
Ndonëse seanca ishte paralajmëruar të niste në orën 10:00, e njëjta ende nuk ka filluar.
Deputetët tashmë kanë nisur të hyjnë në sallë, aty janë parë edhe deputetët e partive opozitare edhe pse të njëjtit kanë paralajmëruar se nuk do ta votojnë këtë buxhet.
Vlen të theksohet se vonesat në fillimin e seancave plenare në këtë legjislaturë janë bërë të zakonshme. /Telegrafi/
Buxheti për vitin 2025, opozita ka paralajmëruar se nuk do ta votoj
Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë plenare ku në rend dite do të jetë shqyrtimi i projekt-buxhetit për vitin 2025.
Ky projekt-buxhet në vlerë prej 3.6 miliardë euro, përfshin rritje të investimeve në arsim, shëndetësi dhe infrastrukturën publike, duke synuar përmirësime të mëdha në këto sektorë.
Ndërsa qeveria ka theksuar rëndësinë e këtyre fondeve për zhvillimin ekonomik, opozita e ka kundërshtuar duke e cilësuar si të dëmshëm këtë projekt-buxhet.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ditë më parë ka deklaruar se: “Ky buxhet ka probleme ligjore dhe kushtetuese.”
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka deklaruar se edhe AAK-ja do ta kundërshtojë buxhetin.
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku ka thënë se buxheti i prezantuar është i planifikuar dobët dhe që s’do të ketë rezultate konkrete në implementimin e tij. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtu104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje