LAJMI I FUNDIT:

Dëmet e shkaktuara nga normat e ulëta të interesit

Dëmet e shkaktuara nga normat e ulëta të interesit

Anders Aslund

Për shumë vite pas krizës financiare të vitit 2008, politikëbërësit uruan veten për shmangien e një Depresioni të Madh të dytë. Ata iu përgjigjën recesionit botëror me atë lloj stimuli fiskal dhe monetar kejnesianist që kërkoi situata. Por, nëntë vjet kanë kaluar dhe normat zyrtare të interesit vijojnë të luhaten rreth zeros, ndërsa rritja ka qenë mediokre. Që nga viti 20008, Bashkimi Evropian është rritur me ritmin zhgënjyes të vetëm 0.9 për qind në vit mesatarisht.


Konsensusi i gjerë kejnesianist që u shfaq menjëherë pas krizës është bërë dogma dominuese ekonomike sot: për sa kohë që rritja mbetet nën standarde dhe inflacioni vjetor mbetet poshtë dy për qind, më shumë stimulus konsiderohet jo vetëm i përshtatshëm, por edhe i nevojshëm.

Argumentet që nënvijëzojnë këtë dogmë nuk mbajnë më ujë. Për fillestarët, masat e inflacionit janë po aq të këqija sa janë edhe arbitrare. Siç vëren Martin Feldstein i Harvardit, qeveritë nuk kanë ndonjë mënyrë të mirë për të matur inflacionin e çmimeve për shërbimet dhe teknologjitë e reja, të cilat zënë një pjesë gjithnjë e më të madhe të PBB-së së ekonomive të zhvilluara, për shkak se cilësia në këto sektorë ndryshon në mënyrë thelbësore me kalimin e kohës. Për më tepër, pronat e patundshme dhe asetet e tjera as që janë përfshirë në llogaritje.

Diktati se inflacioni duhet të rritet me një normë vjetore prej dy për qind është gjithashtu arbitrar. Koncepti një shekull i vjetër i ekonomistit suedez Knut Wicksell, i normës “natyrore” të interesit – në të cilin rritja reale (e përshtatur me inflacionin) e PBB-së ndjek mesataren afatgjatë ndërsa inflacioni qëndron stabël – ka kuptim. Por, pse norma e inflacionit duhet të jetë gjithmonë dy për qind? Dhe, pse shërbimet, teknologjitë e reja apo, fjala vjen, mallrat e prodhuara në Kinë përjashtohen nga matja e inflacionit bazë, krahas energjisë dhe ushqimeve?

Duke marrë parasysh këto dobësi, ia vlen të pyesim nëse doktrina e bankave qendrore për “inflacion të shënjestruar” do të vuajë të njëjtin fat si monetarizmi i viteve 1980, kur politikëbërësit ishin të fiksuar me ofertën e parasë. Njësoj si me inflacionin sot, bankierët qendrorë në atë kohë nuk kishin mënyrë të besueshme as për të matur sasinë e parasë, e aq më pak për të sanksionuar pasojat e dëshiruara të politikës monetare.

Ne duhet t’i konsiderojmë efektet e deficiteve të larta buxhetore si një formë tjetër e dyshimtë stimuli. Më 2017, rritja ekonomike në BE u përshpejtua në normën 2.3 për qind pasi vendet anëtare më në fund reduktuan deficitet e tyre buxhetore në mesatarisht 1.5 për qind të PBB-së, më poshtë se sa 6.4 për qind të PPB në vitin 2010. Siç duket, stimuli fiskal pas krizës nuk ishte në të vërtetë kaq shumë stimul. Përkundrazi, politikat më të rrepta fiskale të viteve të fundit duket se kanë pasur një efekt pozitiv.

Zakonisht, një krizë financiare sjell fuqizimin e reformave madhore strukturore. Por, as kriza e vitit 2008 dhe as kriza e euros, e cila shkaktoi borxhe publike të tepërta, nuk solli ndonjë reduktim domethënës të borxheve publike apo ndonjë krijim shkatërrues të llojit Shumpeterian në vendet e prekura. Dukshëm, dallga e shpenzimeve qeveritare lehtësoi nevojën për reforma të vështira dhe i mundësoi sipërmarrjeve ekzistuese të përmirësonin pozicionin e vet me financime të lira. Çfarëdolloj shansi për reforma strukturore u humb.

Mes vendeve anëtare të BE-së, borxhi publik u rrit mesatarisht nga 73 për qind e PBB-së në vitin 2009 në 86 për qind e PBB-së më 2016, shumë përtej tavanit prej 60 për qind të PBB-së të vendosur nga kriteret e Mastrihtit. Në Europën Jugore, borxhet publike janë kaq të larta sa ato do të depresionojnë rritjen ekonomike për shumë dhe shumë vite.

Megjithatë, dekada e fundit e normave ultra të ulëta të interesit ka gjasa do të rezultojë edhe më e rrezikshme se sa vitet e shpenzimeve me deficit. Nuk mund të parashikohet se kur ose ku do të shpërthejë fluska e ardhshme financiare. Por ne mund të bëjmë mirë të dëgjojmë gjetjet e ekonomistëve të tillë si i ndjeri Charles Kindleberger dhe atyre të Harvardit Kenneth Rogoff e Carmen Reinhart, dhe t’i trajtojmë këto gjetje me kujdes.

Në fund të fundit, dikush mund të dallojë flluskat potenciale në shumë fusha e vende. Çmimet e pronave të patundshme dhe çmimet e aseteve janë në nivele rekord në pjesën më të madhe të botës. Dhe vlera e Bitcoin në qarkullim është rritur me dhjetë herë këtë vit, në 170 miliardë dollarë, megjithëse vlera themelore e kësaj kriptomonedhe mbetet e dyshimtë në rastin më të mirë.

Normat ultra të ulëta të interesit kanë krijuar përpjekje për interesa më të larta, aq sa edhe një vend i varfër e i keqmenaxhuar si Taxhikistani është në gjendje të shesë Eurobonde. Për presidentin taxhikas, Emomali Rahmon, kjo natyrisht që është alternativë më e mirë sesa kërkimi i ndihmës nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, pasi FMN kërkon reforma në shkëmbim të ndihmës. Falë normave të ulëta të interesit, Rahmon mund të vijojë të keqmenaxhojë këtë ish-republikë Sovjetike si t’ia ketë qejfi.

Edhe shumë viktima të tjera të normave të interesit ultra të ulëta duhet të dallohen me lehtësi. Kursimtarët e shtresës së mesme kanë parë se si vlera reale e depozitave të tyre në banka është reduktuar me mesatarisht dy për qind dhe shumë pensionistë kanë vuajtur një rënie reale në vlerën e pensioneve të veta, të cilat janë investuar në asete të sigurta dhe rrjedhimisht mbartin norma minimale kthimi.

E njëjta gjë është e sigurt për shumë forma të tjera të sigurimeve. Siguruesit vetë ia kanë dalë shumë mirë, por kjo për shkak se ata kanë ulur përfitimet deri në atë pikë sa klientët e tyre shpejt do të vrasin mendjen se pse harxhuan kohë e para për të blerë polica sigurimi.

Edhe bankat janë të rrezikuara. Në ekonomitë e zhvilluara, kredituesit tradicionalë tashmë janë subjekte të rregullimeve të tilla masive sa u është dashur të tërhiqen nga aktivitete e huaja. Nuk është surprizë që ndërmjetës më pak të rregulluar në sistemin bankar në hije kanë ndërhyrë për të kapur një pjesë të mirë të biznesit të tyre.

Tradicionalisht, biznesi i bankingut është përqendruar drejt tërheqjes së depozitave dhe dhënies së kredive. Por si pasojë e normave të interesit “të ulëta për shumë kohë”, kjo pjesë e aktivitetit bankar është bërë gjithnjë e më e vogël dhe bankat janë shtyrë të rrisin gjithnjë e më shumë tarifat për shërbime të tjera financiare.

Për më tepër, normat e ulëta të interesit kanë devijuar paranë drejt institucioneve më pak transparente dhe më shumë spekulative, të tilla si fondet private të aseteve dhe fondeve hexh, (hedge fund). Institucione të tilla lulëzojnë për shkak të kredisë së lirë, sepse kanë trajtim më të favorshëm fiskal nga sa kanë shumica e financimit të blerjes së aseteve në shumicën e regjimeve fiskale të Perëndimit.

Përfitimet e normave të ulëta të interesit janë përqendruar jo te popullsia e gjerë dhe dukshëm jo te klasa e mesme, por te miliarderët – 0.1 përqindëshi më i pasur. Hendeku në pasurinë botërore është zgjeruar në mënyrë domethënëse përgjatë dekadës së fundit dhe veçanërisht në SHBA, ku miliarderët paguajnë pak se aspak në taksa falë rregullave speciale të tilla si “interesi i mbartur.” Sipas planit të ri të taksave të Republikanëve, ata do të paguajnë edhe më pak.

Pyetja që shtrohet tani është se sa të forta janë institucionet e Perëndimit për të përballuar plutokracinë botërore që kanë krijuar normat e ulëta të interesit.