...Dhuna, nuk është gjë tjetër pos përdorim i forcës fizike apo edhe i shtrëngimit fizik me anë të metodave të ndryshme për të detyruar dikë të veprojë ose të mos veprojë pa dëshirën e vullnetin e tij. Dhuna, para së gjithash është një raport forcash mes dy palëve. Asaj që e ushtron dha asaj që i nënshtrohet ajo. Sado që të tentohet të arsyetohet një veprim i tillë nga ushtruesit apo edhe urdhërdhënësve e shtytësve, dhuna rrallë që mund të ketë efekte pozitive. Ajo mbjell dhe shkakton frikë, trauma e urrejtje, të cilat lënë plagë të pashërueshme shpirtërore.

Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe, nocionin dhunë e shpjegon kështu: “Përdorimi i forcës fizike, i shtrëngimit fizik ose psikik, i mjeteve e i metodave të vrazhda ndaj dikujt për ta detyruar të bëjë diçka jashtë vullnetit e dëshirës së tij, për ta nënshtruar e për ta shtypur dikë…”
Ndërsa nocionin Arsye, si “shkallën më të lartë të veprimtarisë njohëse të njeriut, aftësinë mendore për të gjetur shkaqet dhe për të zbuluar thelbin e dukurive, për të shpjeguar ligjet e zhvillimit të natyrës e të shoqërisë;”


Duke u nisur nga titulli prej nga edhe rrjedh thelbi i krejt asaj që do të shqyrtohet në këtë punim, mund të thuhet se dhuna ka disa elemente që nuk mund të anashkalohen. E këto janë: forca fizike; shtrëngimi fizik dhe psikik; detyrimi; veprimi ose mosveprimi; nënshtrimi; dhe shtypja.

Ndërkaq Arsyeshmëria, përbëhet nga këto elemente:
Veprimtaria njohëse; aftësia mendore; aftësia e të kuptuarit; shkaqet e veprimit; zbulimi; dhe shpjegimi.
Nga elementet, aspektet dhe rrethanat të cilat u përmendën më lart, vijmë në konstatim se: Arsyeshmëria e dhunës është aftësia mendore e njeriut, ose përpjekja për të gjetur shkaqet dhe zbuluar thelbin e përdorimit të forcës fizike, shtrëngimit fizik apo psikik, nënshtrimit dhe shtypjes që i bëhet dikujt për të vepruar a mos vepruar pa dashjen dhe dëshirën e tij.

Siç shihet nga ky konstatim, Arsyeshmëria e dhunës nuk është asgjë tjetër pos një e drejtë që u jepet atyre që ushtrojnë dhunën. Dhuna sigurisht që nuk do arsyetim, ngase ajo nuk sjell gjë të mirë, por cenon të drejtën e individit ose të shoqërisë, por ama nëse ajo është një e keqe e vogël, si e tillë, mund të shmang një të keqe më të madhe.

Çdo dhunë e përdorur ndaj dikujt sjell disa nga këto rrethana:
1) Prishje e rendit dhe qetësisë;
2) Cenim i të drejtave dhe të lirive të njeriut;
3) Detyrimi i padrejtë dhe i dhunshëm;
4) Frikësim dhe rrezikim i jetës së njeriut dhe pasurisë private e publike; dhe
5) Shkaktim i dëmit material dhe shpirtëror.
Të gjitha këto veprime të pahijshme dhe johumane janë dukuri shoqërore të cilat në vete ngërthejnë një forcë e cila përdoret me qëllim të veprimit a mosveprimit të personit ndaj të cilit kryhet kjo dhunë. Andaj, natyrisht që do të duhej të kishte një arsyeshmëri të përdorimit. Ngase një dhunë e vogël, ose një e keqe e vogël mbase do të parandalonte një të keqe më të madhe.

Dhuna është paraqitur me fillet e para të jetës në këtë botë

Arsyeshmëria e dhunës, është një nga temat që mbase pak janë rrahur. Për këtë temë më së shumti është dëgjuar apo edhe lexuar nga informatat e shkurtëra si arsyetim i dhunës së përdorur nga persona të identifikueshëm apo nga pushteti. Rrahja e temës në atë mënyrë siç është lexuar dhe komentuar është një arsyetim i njëanshëm, në anën pozitive, me fjalë të tjera, mbrojtje e ushtruesve të dhunës.

Për dhunë duhet pasur dy palë. Ajo që e ushtron dhe ajo që i nënshtrohet ose që është viktimë e dhunës së ushtruar.
Janë dy arsye që më shtynë të merrem me këtë problem:

Së pari, kohëve të fundit shpesh flitet për dhunën në familje, dhunën shtetërore, dhunën në rrugë, dhunën në punë etj. andaj u përpoqa ta identifikoj ashtu si paraqitet dhe ku. Do të thotë si nga ana e ushtruesit të dhunës apo të prodhuesit, po ashtu edhe nga ana e atij që e ndjen në vete këtë dhunë.

Së dyti, të jap një shpjegim rreth arsyetimit të dhunës. Ka apo nuk ka arsye për të përdorur dhunën. Është e lejueshme përdorimi i dhunës apo jo, dhe cili është kufiri i përdorimit të saj.

Është e pashpjegueshme dhe e paarsyetueshme të thuhet se deri në këtë masë lejohet, e prej këtu e tutje duhet ndalur dhunën, apo edhe e kundërta. Mirëpo në shumë raste, arsyeshmëria e dhunës zë vend të posaçëm, sidomos në kumtesat dhe arsyetimet shtetërore.

Kur flitet për dhunën e ushtruar dhe arsyeshmërinë e saj duhet pasur parasysh se çka e shkakton këtë dhunë, si e shkakton, pse e shkakton, ku e shkakton, kur e shkakton dhe kush e shkakton. Në të njëjtën kohë do të duhet të kihen parasysh edhe masat që do të duhej ndërmarrë për parandalimin dhe eliminimin e saj në tërësi.

Dhuna është ushtruar që nga kohët më primitive, mbase edhe kur nuk është ditur fare për fenë, shtetin e kombin. Do të thotë, dhuna është paraqitur me fillet e para të jetës në këtë botë.

Duke u nisur nga vetë nocioni, dhuna është një fenomen i cili nuk përcaktohet dhe kufizohet qartë as në shkencë e as në përdorimin gjuhësor të përditshëm. Nëse në medie të shkruara, në televizion, në radio ose në ndonjë ligjëratë flitet për dhunën, atëherë në shumicën e rasteve bëhet fjalë për ato aspekte të dhunës të cilat i përmenda më lart.

Në jetën e përditshme, rastisim shpesh të dëgjojmë ose të lexojmë për ndonjë sulm terrorist. Zakonisht, këtu flasim vetëm për terrorizmin si dukuri shoqërore, pa u thelluar në pasojat që sjell ai. Së këndejmi, asnjë akt terrorist nuk mund të kryhet pa u përdorur dhuna. Dhuna e ushtruar gjatë kryerjes së një akti terrorist është mbase një dhunë e cila do të ndahej në atë fizike dhe psikike. Dhuna fizike është ajo e përdorimit të forcës. Ndërkaq dhuna psikike ka të bëjë me të gjitha trysnitë psikike që u bëhen individëve të rrëmbyer ose ndaj të cilëve ushtrohet ai terror.

Tani shtrohet pyetja: Sa lejohet dhe si mund të arsyetohet një dhunë e tillë. Gjatë kryerjes të një akti terrorist, personat që janë të implikuar, nuk merren me atë se cila metodë lejohet e cila jo. Për të arritur qëllimin e duhur, ata përdorin metoda më ç’njerëzore për të realizuar planin.

Ndryshe nga terrorizmi ku si shkaktarë merren ideologjia, etniteti, religjioni dhe raca, në ushtrimin e dhunës rrallë që bëhet një selektim i tillë. Andaj edhe arsyeshmëria e dhunës nuk do të duhej të kishte për bazë këto shkaqe. Por, shkaku do të duhej kërkuar diku tjetër. Do të thotë duhet kërkuar gjenezën e shkaktimit të dhunës.

Një nga shkaqet e paraqitjes së dhunës është lakmia për të poseduar diçka. Rruga për të arritur deri te ajo që dëshirohet të posedohet, apo edhe të arrihet deri te ndonjë informacion sekret shtetëror a privat, instiktivisht e çon personin që të përdor forcën fizike dhe psikike ndaj personit viktimë, e cila ndryshe quhet dhunë.

Dhuna si fenomen

Dhuna, si fenomen është një veprim i keq, veprim ose mosveprim i dikujt ndaj dikujt që përdoret me forcë, duke e shtrënguar dikë që të veprojë pa dashjen e tij. Ky veprim shkakton dhembje, lëndime trupore, lëndime shpirtërore dhe shumë vragë të tjera që mbase nuk do të mund të shërohen për tërë jetën.

Dekarti u përpoq të shpjegonte sesi mendja ndërvepron me trupin. “Kjo për të mbeti natyrisht e pazgjidhur, pasi ai supozonte se mendja dhe trupi përfaqësojnë dy substanca të ndryshme. Por ka vetëm një formë të natyrës së cilës i përkasin të dyja; si mendja dhe trupi.”

Mendja dhe trupi veprojnë bashkërisht. Trupi i nxitur nga mendja. Truri është ai i cili vë në lëvizje çdo qelizë të trupit si për të mirë ashtu edhe për të keq. E tëra nis nga “fitili ndezës”, sistemi nervor qendror është ai i cili përcakton çdo veprim ose mosveprim të një qenie të gjallë.

Kur kihet parasysh që njeriu është qenia më e zhvilluar në botë, atëherë, ai ka edhe aftësitë për të futur në funksion trurin dhe të veprojë me vetëdije apo pa të, në të mirë ose në të keqe të njerëzimit dhe botës ku jeton.

Konsumi në qytetet industriale i cili shoqërohet me sasi të mëdha të përdorimit të energjisë, çon në atë që atmosfera përreth tokës të ngrohet, niveli i detit të rritet dhe kështu të përmbyten ishuj të vegjël, duke bërë që banorëve të tyre t’u rrezikohet baza e ekzistencës. Rrezikimi i bazës së ekzistencës do të thotë edhe rrezikim jetërash të të gjitha qenieve të gjalla.

Në këto qenie hyjnë edhe njerëzit si qenie më të përsosura natyrore të cilat kanë aftësitë e të menduarit dhe të të vepruarit në mënyrë aktive. Kjo do të thotë se njeriu me veprimet apo me mos veprimet, me vetëdije apo edhe pa të, rrezikon mbarëqenien e jetës në botën në të cilën jeton edhe vetë. Të gjitha këto veprime bëhen dhe mbikqyren nga truri dhe mendja e njeriut.

Andaj, me të drejtë shtrohet pyetja: ka dhunë këtu apo jo, dhe nëse ka, si bëhet kjo dhunë?

Dhuna me dashje dhe pa dashje

Në komunikimin e përditshëm gjuhësor kjo nuk konsiderohet dhunë, por në të vërtetë është dhunë ndaj ambientit që jetojmë. Ndotim ambientin, përmbysim ishuj, ia bëjmë të pamundshme jetën gjallesave që jetojnë aty, përfshirë edhe vetë njerëzit. Prandaj, s’do mend që si përfundim për dhunën si fenomen do të mund të theksonim se veprimi apo mosveprimi i vetëdijshëm nga mendja e njeriut, me dashje apo pa të, që për rrjedhojë vjen deri te rrezikimi dhe asgjësimi i botës në të cilën jetohet, nuk është tjetër përveç se një fenomen i cili do të quhej dhunë....

(Pjesë nga një punim më i gjatë, me titull “Arsyeshmëria e dhunës”. Autori është doktorant në shkencat e Komunikimit dhe të Informimit në Universitetin e Tiranës)