DeepSeek-u po deshifron fatin e kinezëve

Ndërsa rritja ekonomike po ngadalësohet, po shtohet popullariteti i mundësisë së kompanisë së inteligjencës artificiale për të ofruar parashikime tradicionale të fatit
Nga: Joe Leahy / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com
Ligjëruesja universitare Wang, gjithmonë ka menduar se emri i djalit të saj nuk ishte në përputhje të duhur me “pesë elementët” - druri, zjarri, toka, metali dhe uji - gjë që mund t’i sillte vështirësi në të ardhmen.
Për ta rregulluar këtë, 34-vjeçarja fillimisht do të duhej të punësonte një mjeshtër të shtrenjtë të “BaZi”-it ose të Katër Shtyllave të Fatit - sistemi tradicional kinez i parashikimit të fatit.
Sot, megjithatë, ekziston DeepSeek-u - modeli vendas i inteligjencës artificiale [IA], ku përdorimi i ndjeshëm i gjuhës kineze çuditërisht do të jetë i aftë në BaZi - një formë e astrologjisë që përdor kohën e lindjes dhe të dhënat e tjera për të përcaktuar balancën e pesë elementëve dhe aspektet e tjera të fatit të një personi.
“Emri i tij i mëparshëm ishte shumë i ndërlikuar”, tha Wang. Ajo i dha DeepSeek-ut disa emra të mundshëm dhe më në fund zgjodhi një të cilin platforma e vlerësoi me 96 pikë nga 100.
“Emri i vjetër i djalit tim ishte Zeng Jiayou, që përfaqësonte metal, dru dhe tokë. Tani quhet Zeng Le’an, që është metal, zjarr dhe tokë - më i përshtatshëm me fatin e tij”, tha ajo.
Duke jetuar në Pekin, është e pamundur të shmangësh zhurmën rreth DeepSeek-ut. Për Partinë Komuniste Kineze dhe sekretarin e përgjithshëm të saj, Xi Jinping, platforma ishte ekuivalenti gjeopolitik i fitimit të lotarisë kur zuri titujt kryesorë këtë vit.
Kur u duk se ShBA-ja kishte marrë epërsinë në fushën e IA-së gjeneruese përmes çetbotit ChatGPT, DeepSeek-u doli në skenë duke pretenduar se kishte zhvilluar një alternativë kineze me një kosto shumë më të ulët.
Por, për shumë kinezë të zakonshëm, nuk është rëndësia gjeopolitike e DeepSeek-ut ajo që i emocionon, por aftësia e tij për t’i ndihmuar që të kuptojnë jetën e tyre personale. Kjo është veçanërisht e vërtetë në kohën kur një ekonomi e ngadaltë po shtyn gjithnjë e më shumë njerëz të kërkojnë shpjegime alternative për ndryshimet në fatin e tyre.
Një punonjëse e një kompanie interneti në Pekin, që u prezantua si Nabao, tha se DeepSeek-u, duke përdorur BaZi-n, e përshkroi saktësisht personalitetin e saj (“temperament i zjarrtë”) dhe parashikoi fatin e saj në punë.
Kjo 24-vjeçare ka filluar t’i besojë aq shumë platformës, saqë shpenzoi 10 mijë juanë (afro 1 200 euro) për një gur gjashtë karatësh akuamarini, pasi DeepSeek-u e këshilloi se karakteristikat e tij të ujit dhe drurit do ta ndihmonin të balanconte bollëkun e elementëve zjarr dhe metal.
“Nuk bëhet fjalë për të ndjekur verbërisht IA-në”, tha Nabao. “Nëse je tashmë i prirë drejt një gjëje, sugjerimet e DeepSeek-ut e bëjnë më të mundshme që ta besosh dhe të veprosh sipas saj”.
Një tjetër banore e Pekinit, Ma, tha se DeepSeek-u kishte hamendësuar saktë qytetet kineze që ajo pëlqente, si Pekini, dhe ato që i urrente, si Guangzhou. “Kam jetuar në Pekin për pesë vjet dhe gjithçka shkoi mbarë aty”, tha ajo. “DeepSeek-u gjithashtu tha se Guangzhou nuk ishte i përshtatshëm për mua, dhe kjo përputhej në mënyrë të përkryer me përvojën time - e vizitova një herë dhe nuk desha të kthehesha më”.
Një tjetër banuese e Pekinit, që u identifikua si LV, tha gjithashtu se kishte blerë byzylykë sipas rekomandimeve të DeepSeek-ut për fatin, të cilët i mbante në ngjarje të rëndësishme.
Kur DeepSeek-u i sugjeroi 26-vjeçares, që ishte punësuar në industrinë e artit, që të forconte elementin e ujit në shtëpinë e saj për të përmirësuar fëng-shui-n, ajo bleu një pajisje ushtrimi që përdor ujin si rezistencë.
Me nxitjen e kureshtjes time, vendosa që në DeepSeek të bëja horoskopin BaZi të djalit tim, duke shtruar pyetje për llojin e punës që do t’i përshtatej dhe nëse një ditë mund të kishte tatuazh (dhe si mund të dukej ai).
Shumica e përgjigjeve ishin të përgjithshme, me karriera të mundshme që varionin nga akademia te juridiku apo inxhinieria. Por, DeepSeek-u dha edhe një ide interesante për tatuazh - një majmun që bënte sërf dhe që përfaqësonte, sipas tij, ujin që i nënshtrohet zjarrit.
Një tjetër tatuazh i mundshëm, sipas tij, mund të ishte me motive të reve, duke simbolizuar “një udhëtim jete përtej kufijve” - i përshtatshëm për dikë me prejardhje dhe shtetësi të përziera.
Megjithëse idetë për tatuazhe ishin interesante, unë nuk do të kërkoj këshillat e DeepSeek-ut për të ardhmen time - veçanërisht duke pasur parasysh dijet e mia të pakta për BaZi-n. Por, miliona kinezë do ta bëjnë. Kjo mund t’i japë kësaj platforme edhe më shumë ndikim në një nga shoqëritë më të prira drejt parashikimit të fatit në botë. /Telegrafi/

















































