Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda, ka thënë se ndjen keqardhje për situatën në të cilën gjendet Ramush Haradinaj.

Në reagimin e bërë në Facebook, Deda ka thënë se dëshiron që përballjen e radhës Haradinaj ta ketë me dinjitet dhe urtësi.


Ai ka pohuar se politikisht ka dallime të mëdha për qeverisjen e PAN-it.

Deda ka thënë që shumë shpejtë populli do të ketë mundësi t’i jep drejtim Kosovës, duke shtuar se beson në vendim racional të qytetarëve.

d

Ndryshe, gjatë ditës së sotme, Ramush Haradinaj ka thënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit.

Ai ka thënë se në Gjykatën në Hagë do të paraqitet si qytetar i thjeshtë dhe jo si kryeministër.

“Nderi i Kryeministrit dhe Shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtëroj asnjëherë. Në Hagë si Ramush Haradinaj do t’i dal përball shpifësve, ashtu si e kërkon nderi i luftëtarit shqiptar. Pastërtia ime dhe e luftës së UÇK-së, e konfirmuar nga dy aktgjykime nuk mund të njolloset nga askush dhe asnjëherë”, ka thënë Haradinaj.

Është hera e dytë që Ramush Haradinaj jep dorëheqje nga pozita e kryeministrit.

Në vitin 2005 ai kishte dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit pasi që i ishte ngritur aktakuzë për krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës./Telegrafi/