David Dreshaj sjell "Brenga", këngën e cila po merr shumë komente dhe pëlqime nga ndjekësit e tij

Këngëtari shqiptar David Dreshaj duket se ka goditur sërish shijen e publikut me projektin e tij më të ri muzikor “Brenga”, i cili që në orët e para të publikimit ka marrë reagime entuziaste nga ndjekësit.
Komentet si “Zëri”, “Super song” dhe “Fire” kanë vërshuar në rrjet, ndërsa kënga ka arritur rreth gjysmë milioni klikime brenda një kohe shumë të shkurtër, duke dëshmuar pritjen e fuqishme që ka marrë.
Projekti muzikor është realizuar nga një ekip i njohur producentësh dhe autorësh. Muzika është punuar nga Donat Prelvukaj, i njohur me emrin artistik Cricket, ndërsa melodia mban firmën e Elinel, Granit Ismajli dhe vetë Cricket, i cili ka realizuar edhe beat-in. Teksti është shkruar nga i njëjti ekip autorësh dhe është regjistruar e masterizuar në studion Cricket Music.

Edhe ana vizuale e projektit nuk ka mbetur pas. Videoklipi është realizuar nga Mars Studio nën drejtimin e Endrit Rrahimi, duke sjellë një estetikë të veçantë që përforcon atmosferën emocionale të këngës.
Në pamje, Dreshaj shfaqet unik dhe i guximshëm, madje në disa skena duket se sfidon edhe temperaturat e ulëta për realizimin e videoklipit.
- YouTube youtu.be
Kënga trajton temën e dashurisë dhe ndjenjës së brengës, duke lënë të kuptohet se artisti i është dorëzuar emocioneve “kokë e këmbë”, edhe pse ai vetë nuk është përfshirë në shkrimin e tekstit.
Megjithatë, interpretimi i tij e bën projektin të tingëllojë personal dhe autentik, çka ka bërë që fansat të pyesin se cila histori dashurie fshihet pas kësaj kënge. /Telegrafi/





























































