LAJMI I FUNDIT:

Dashuria nuk pranon gënjeshtra

Dashuria nuk pranon gënjeshtra

Nuk ekziston asnjë njeri që të mos jetë i aftë të bëjë më shumë nga sa mendojmë se ai mund të bëjë. (Henri Ford)


Abdirahim Idrizi
Poliklinika “Galaxy”
abdirahimidrizi@gmail.com

Koncentrimi i thellë, meditimi, kujdesi e zhduk dyshimin e dashurisë. Dashuria nuk pranon gënjeshtra. Përqendrimi mund të ndodhë edhe me dhunë, siç ishte rasti im, izolimi ekstrem, kjo ishte një stërvitje ime e rastit, stërvitja ka qenë nga qetësia ime absolute, ndoshta edhe pak e dhunshme, por rrugëdalje nuk pata, isha i përqendruar në vetvete.

Koncentrimi ka qenë stërvitje që të zhvendosë vëmendjen time nga problemet, të transferoj ngarkesën time me kalimin e kohës, ishte përpjekje për ta përqendruar vëmendjen, kjo ndoshta ishte dhunë e thellë ndaj vetëdijes sime. Por, me kohë kjo ngarkesë u bë liri e imja e brendshme. E vërtetë është se ngarkesa e brendshme del edhe jashtë. Çdo gjë që bën me veten tënde, ti do ta bësh edhe me të tjerët.

Ne jemi modele të jetës sonë, ne luajmë rolin e jetës sonë, gjithkush e ka stilin e vet të jetës, por edhe të dashurisë. Disa predikues të feve, të cilët predikojnë një stil të jetës së tyre, shmangin marrëdhëniet dashurore, ata nuk pranojnë se ka dashuri të vërtetë. Dashuria e kësaj bote është e rreme.

Kur ti arrin të jesh vetvetja, në brendinë tënde ti vendos për gjithçka, ti e di ku është kufiri yt, atë kufi nuk e kalon, e arrin bërthamën e qenies sate, tash ti ke energji të freskët për të përballuar kërkesat, problemet që bart jeta fizike. Ti tash lëviz lirshëm i gëzuar, i lumtur ke akumuluar energji, ti ke aq shumë për të ndarë, për të dhënë. Ti tash je dikushi, ti je i pasur, je i lumtur, nuk lejon që gjithkush të ta prishë, ti tash nuk kërkon, sepse nuk ke nevojë, të gjitha i ke. Prandaj jetoje jetën tënde, jeta jote është shumë e mirë për ata që dinë ta shijojnë, se jeta është një fazë kalimtare.

Pasi jeta është fazë kalimtare, atëherë gëzoje, shijoje, mos e tepro me asgjë, çdo gjë që është e tepërt, është mëkat. Doktori thotë përmbaju nga ushqimi i tepërt, por ti vazhdon të konsumosh, vazhdon të bësh çrregullime si nga brenda ashtu edhe nga jashtë. Hiç dorë nga çdo gjë që ta prish disponimin, hiç dorë nga ushqimi i tepërt, thjesht përmbahu.

Për të qenë i përmbajtur dhe për t’i përballuar të gjitha këto, e vetmja formulë është dashuria. Kujdes se ajo shumë shpejt zbehet, nuk bën të mos ujitet tërë kohën, nuk bën të lejojmë të futen në mes nesh gjërat e shëmtuara. Bëj rregull në jetën tënde, se cili do të jesh, doje veten tënde, nëse ti e do veten, edhe të tjerët të duan. Brendësia jote reflekton të jashtmen, kjo kërkon disiplinë të thellë të përqendrimit.

Në botë shumica e njerëzve kërkojmë ndihmën e krijuesit, nga personat e shkencës presin përparim, presin drejtësi, krijuesit, shkencëtarët, janë persona që udhëheqin, prijnë në botë. Fatkeqësisht njeriu i shkencës në shumicën e rasteve është në shërbim të njerëzve të pandërgjegjshëm, të rrezikshëm, që udhëheqin politikën, janë në shërbim të personave që drejtojnë bankat, drejtojnë dijen, manipulojnë me shkencëtarët me krijuesit, në shërbim të manipulimit për të sunduar popullatën shumicë.

Njeriu i shkencës është udhërrëfyes për njerëzimin, nga njeriu i shkencës njerëzimi pret orientim të drejtë, drejtësi. Fatkeqësisht kur njeriu i shkencës bëhet shërbyes i politikanëve, shërbyes i grupeve sekrete, gjithë krijimtaria e tij i arsyeton gabimet e të tjerëve. Politikanët, mediet, biznesmenët bëhen gjithnjë më të dhunshëm, edhe gjithë progresi shkencor është bazuar në dhunë dhe sundim.

Njeriu i shkencës, njeriu i dijes, kur e përcakton krijimtarinë e vet, personalitetin e vet, e flijon profesionin e vet në shërbim të politikës ditore, atëherë ai është shkatërrimtar me vetëdije dhe vazhdimisht e zgjeron rrethin e vet. Ai në vend që ta zgjerojë dijen në shërbim të popullit, ai e ngushton dijen, krijimtarinë, profesionin, të gjitha këto i flijon, i ngushton në drejtim të manipulimit me masën në shërbim të keqpërdorimit.

Ti vazhdon të mendosh, por nuk mund të ndryshosh, kjo është një formulë që praktikohet me mijëra vjet, dhe do të vazhdojë të praktikohet: qëllimi mbetet i njëjtë, por ndryshon mënyra, në tërësi subjekti mbetet i njëjtë. Mos e merr me siklet çfarëdo që të bësh. Kur ti mendon të bësh diçka, mos u shqetëso, mos pëso dështim. Kjo vjen nga brendia jote, nëse je i lumtur, do të lulëzosh, nëse je fatkeq, ti ke një shkak për të qenë fatkeq, por, në qoftë se je i lumtur, ti thjesht je i lumtur dhe për të qenë i lumtur nuk ka nevojë asnjë shkak, kjo varet nga vetëdija.

Njeriu përpiqet ta gjejë shkakun, sepse nuk mund të besojë se mungon shkaku, nuk mund ta kontrollojë mungesën. Ti je i lumtur pa asnjë shkak, kjo varet nga ti, kur ti je fatkeq, kjo varet nga shumë arsye, ekziston ndonjë shkas. Kjo është bërthama jote e brendshme, lumturia, gëzimi janë në bërthamën tënde të thellë. Thjesht nëse ti mund të jesh vetvetja, ti kënaqesh me veten, duke qëndruar me lirinë tënde.

Ti je i lumtur sepse je ai që je, ti je i lumtur për atë çfarë bën, thjesht ti je i lirë dhe i lumtur, pa asnjë shkas, ti i gëzohesh jetës, aromës, gjelbërimit, oksigjenit, dritës, qiellit, luleve ti e shijon Aromën e Dashurisë. Kur njeriu është i lumtur me vetveten, ai rrezaton lumturi, ai nuk mund ta mbajë brenda vetes këtë lumturi, ai do të vazhdojë ta shpërndajë këtë lumturi te të tjerët, ajo është si lulja kur lëshon aromë, ajo përhapet vetë, se lules mund t’i marrin erë gjithkush. Kur njeriu është i lumtur, ajo vërehet. Ai nuk mund ta mbajë brenda vetes këtë lumturi, kjo vetë përhapet te të tjerët, vetë shumëzohet. Nuk mund ta mbash të kontrolluar, ti duhet ta lejosh atë të shumëzohet.

Njeriu i lirë është i freskët, i ngrohtë i etshëm për të tjerët, i gatshëm ta ndajë me të tjerët lumturinë dhe gëzimin. Nëse ti je i ndrydhur, ti je i ftohtë, kështu janë shumica e njerëzve. Nga fëmijëria jonë jemi të ndrydhur, jemi të vegjël, ende nuk jemi rritur, ti nuk di, ti nuk mëson, ti nuk kupton, ti mendon se të gjithë dyshojnë në ty, kërkesa jote ndërpritet e ndërpritet, shtypet, ti ndrydhesh brenda vetes, sa herë që ke dashur ta marrësh fjalën, të thuash diçka, ty të kanë ndërprerë.

Ti dalëngadalë pajtohesh e mësohesh, mundohesh, të mbijetosh. Çfarë duhet të bëjë fëmija kur kërkon diçka, ndjen diçka, ai rritet është i mbushur me energji, ka nevojë të luajë, të kërcejë, të hidhet, të vrapojë, kurse mamaja shikon telenovelat, babi lexon gazetën, është njeri shumë i rëndësishëm i familjes, ai është zoti i shtëpisë: mami, babi kërkojnë qetësi, fëmija ua prish qetësinë, fëmijëve u ndalohet të luajnë, të kërcejnë, nuk mund të vrapojnë, se prindërit kërkojnë qetësi, janë të ndrydhur me jetën, prindërit janë të ftohtë.

Prindërit janë ndrydhur me trashëgiminë e vet, me edukatën e vet, këtë ndrydhje e përcjellin te fëmijët e vet, kërkojnë që fëmijët të jenë nën kontroll, kontrolli është një vlerë shumë e rëndësishme, por me arsyetim dhe me bashkëpunim me fëmijët. Fëmija duhet të dijë pse shkon në shkollë, fëmija duhet të mësojë të mirat e familjes dhe të shoqërisë, e jo vetëm zënkat dhe problemet, sa më transparentë do të jemi aq më të edukuar do të jenë fëmijët, atëherë fëmijët mund të jenë të lirë.

Ne nuk jemi aq të fuqishëm: njerëzit që të rrethojnë ty, njerëzit që kanë pushtet, që kanë ligje, janë shumë më të fuqishëm se ti, ata mund të të ndëshkojnë, mund të të shkatërrojnë! Ata kanë pushtet, kanë formula për të kontrolluar, për të të korruptuar, të bëjnë për vete, ta ndryshojnë mendjen. Shoqëria është peng, është e ndrydhur me shekuj, shoqëria është kundër këtyre dukurive, jeton me vështirësi. /Telegrafi/