Dardanet i fillojnë përgatitjet me optimizëm për sfidën kundër ruseve, flasin Valentina Limani dhe Edona Kryeziu
Kosova në konkurrencën e femrave i ka nisur përgatitjet për ndeshjen kundër Rusisë, që zhvillohet të premten në orën 18:00 në Wiesbaden të Gjermanisë.
Dardanet nën drejtimin e përzgjedhëses Afërdita Fazlija dhe asistentëve të saj Veton Çitaku, Sanije Krasniqi e Besart Ismajli kanë kryer sot paradite stërvitjen e parë në Wiesbaden.
Intensiteti dhe ngarkesa e kësaj stërvitje ishte më e vogël, duke pasur parasysh se lojtaret vinin nga udhëtimi i një dite më parë.
Gjithsesi, forma e lojtareve duket e mirë dhe entuziazmi për të treguar më të mirën e tyre në këtë sfidë të vështirë është i madh. Nga afër stërvitjen e ka ndjekur edhe anëtarja e KE të FFK-së, Vjollca Krasniqi.
Dardanet do të vazhdojnë me stërvitje edhe në mbrëmje, teksa nesër do të jetë stërvitja finale, ku përzgjedhësja Fazlija do të vendosë për 11-shen e lojtareve me formën më të mirë me të cilat do t’i vihet përballë ruseve.
Valentina Limani dhe Edona Kryeziu flasin pas stërvitjes Valentina Limani: Mendoj që do të jetë një lojë shumë e vështirë, ngase të dyja ekipet synojmë fitoren. Nuk e njohim shumë kundërshtarin, por në bazë të asaj çfarë kemi parë shihet që kanë cilësi. Sidoqoftë, vajzat tona janë të motivuara dhe kjo u vërejt edhe në stërvitjen e sotme ku atmosfera është shumë e mirë. Në dy stërvitjet e ardhshme do të punojmë për t’u koordinuar sa më mirë dhe sigurisht se të premten do të angazhohemi maksimalisht dhe do ta japim më të mirën tonë.






























