LAJMI I FUNDIT:

Dalin detaje të reja nga vrasja e shqiptares në Itali

Dalin detaje të reja nga vrasja e shqiptares në Itali

Një 35-vjeçare shqiptare është vrarë në mes të rrugës teksa po kthehej nga puna në provincën Casterlfiorentino të Firences në Itali. Ngjarja e rëndë është shënuar rreth orës 20:00 të mbrëmjes së djeshme. Mediat italiane kanë identifikuar viktimën si Klodiana Vefa, me leje të rregullt qëndrimi.

Vrasja ndodhi në rrugën ‘Galvani’. Kanë qenë disa rezidentë të zonës që njoftuan për vrasjen pasi dëgjuan të shtëna me armë. Mjekët e ndihmës së shpejtë nuk mund të bënin asgjë por vetëm të konfirmonin vdekjen e 35-vjeçares shqiptare.

Policia është në kërkim të ish-bashkëshortit të gruas, që rezulton të jetë zhdukur dhe nuk bashkëjetonte me viktimën. Sipas të dhënave të deritanishme ai e ka ndaluar në rrugë dhe e ka gjuajtur për vdekje.


Vritet me armë zjarri në rrugë 35-vjeçarja shqiptare në Firence
Lexo po ashtu Vritet me armë zjarri në rrugë 35-vjeçarja shqiptare në Firence

Klodiana Vefa nuk ishte ndarë ligjërisht nga bashkëshorti, gjithashtu shqiptar, por së fundmi mes çiftit kishte pasur mosmarrëveshje dhe duket se burri nuk jetonte më në të njëjtën shtëpi. Viktima punonte si kamariere në një piceri dhe ishte integruar në komunitetin e Castelfiorentino.

Fëmijët e çiftit i kanë treguar hetuesve për disa mosmarrëveshje të mëparshme mes prindërve, megjithatë në polici nuk kishte asnjë ankesë zyrtare.

“Në fund fare të gjithë themi se gjithçka do të shkojë mirë kur asnjë nga ne nuk e di çfarë fundi do të kemi,” – shkruhej në postimin e fundit të gruas së vrarë. /Telegrafi/