Dacic s’i beson nominimit për Nobel

Në hapje të mbledhjes së qeverisë, Dacic ka thënë se nuk beson në vërtetësinë e informacionit se ai, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, nominohen për Çmimin Nobel për Paqe.
“Atë që e kemi bërë, s’e kemi bërë për shpërblim, madje e kemi bërë me rrezik të madh”, ka deklaruar Dacic.
Ai ka thënë se nuk mendon se kandidatura është reale, por ka shtuar se “më shumë preferon ta kandidojnë për Nobel sesa për Hagë”.
Të hënën, kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Dacic, dhe Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, Catherine Ashton, janë nominuar formalisht nga një grup ligjvënësish amerikanë për Çmimin Nobel të Paqes për vitin 2014.
Thaçi ka thënë se nominimi i tij u takon qytetarëve të Kosovës. /Telegrafi/
















































