Arsyetimi i tij i vetëm pse i dhanë përkrahje ligjit të “branitellave”, të propozuar nga VMRO-DPMNE-ja, është qëndrimi i tyre “parimor”, edhe pse me këtë hap të tyre kontribuuan në mënyrë plotësuese që partitë politike të ndahen në baza etnike.

“Në vitin 2008 ne e votuam ligjin e ‘branitellave’ që ishte propozuar në bazë të nënshkrimeve të mbledhura nga qytetarët. Atëherë kemi menduar se duhet të zgjidhet kjo çështje. Edhe tash mendojmë se kjo çështje duhet të zgjidhet”, u shpreh ai.


Në pyetjen se a është ky vendim i njëanshëm, pasi nuk zgjidhet statusi i të tjerëve që ishin pjesë konfliktit të vitit 2001, Crvenkovski përgjigjet: “Mendoni për luftëtarët e UÇK-së? Kjo është pyetje korrekte. Ja do tu përgjigjem. Unë mendoj se nuk duhej dhe nuk duhet me ligj të zgjidhet statusi i luftëtarëve të UÇK-së dhe do t’ju tregoj menjëherë përse. Nëse para katër vitesh janë ulur Ahmeti dhe Gruevski që të merren vesh për koalicionin dhe Ahmeti, komandanti i UÇK-së, dhe BDI si parti e dalë nga UÇK-ja kanë vlerësuar se që të bëhet Qeveria nuk duhet të zgjidhet statusi i luftëtarëve të UÇK-së, çka pritni ju, ne të bëhemi më katolikë se Papa? Prisni që ndokush tjetër më tepër të kujdeset për statusin e atyre njerëzve që kanë qenë nën komandën e Ali Ahmetit dhe komandantëve të UÇK-së? Nëse BDI-ja ka vlerësuar se nuk duhet të sillet ligj me të cilin do të rregullohen të drejtat e luftëtarëve të UÇK-së, LSDM-ja apo ndonjë parti tjetër opozitare ta bëjë atë? Cila është logjika?”, tha kryetari i LSDM-së.

Crvenkovski paralajmëroi se më 28 tetor në Shkup, opozita do të mbajë mitingun më të madh ndonjëherë, ku edhe do ti bëjë publike emrat e kandidatëve për kryetar të Komunave të Shkupit dhe vet qytetit të Shkupit. /Telegrafi/