Conor Benn, pasi ka kaluar tri vite të mbushura me polemika, rrëzime dhe një humbje të rëndë, më në fund gjeti çlirimin që kërkonte.

Në mbrëmjen e së shtunës, ai e dominoi plotësisht dhe e “shkatërroi” rivalin e vjetër Chris Eubank Jr në një duel 12-raundësh që nuk pati asnjë dilemë për fituesin.


Benn ishte shumë pranë nokautit spektakolar në minutën e fundit të luftës, kur e rrëzoi dy herë Eubank Jr me goditje të forta.

Fillimisht, një kombinim i fuqishëm e la Eubank Jr me reagim të vonuar, por goditja e djathtë që i ra pas veshit e përplasi përdhe. Ai u ngrit, vetëm që të binte sërish pak çaste më vonë, teksa Benn lëshonte një breshëri goditjesh mbi trupin e tij të lodhur dhe të tkurrur.

Vetëm gongu i fundit e shpëtoi nga përfundimi teknik, sepse gjyqtari me gjasë do ta kishte ndalur duelin.

Conor Benn

Siç pritej, rezultatet e gjyqtarëve ishin formalitet: 119-107, 116-110 dhe 118-108 në favor të Conor Benn. Një fitore e thellë, e qartë dhe e merituar.

Ky triumf vjen pas tri viteve të vështira për Benn, i cili në vitin 2022 kishte rezultuar dy herë pozitiv për substancën narkotike dhe humbi betejën e parë ndaj Eubank vetëm shtatë muaj më parë. Megjithatë, këtë javë ai kishte paralajmëruar se në revansh do të ishte shumë më i ftohtë, më klinik dhe më i disiplinuar – dhe ashtu ndodhi.

Ndërkohë, Eubank Jr – që zakonisht lufton dy kategori më lart se Benn – u duk i rraskapitur dhe i dëmtuar rëndë nga procesi i humbjes së peshës, teksa një klauzolë rigoroze e ribalancimit nuk i lejoi të shtonte më shumë se 10 paund pas peshimit zyrtar. Për 36-vjeçarin, kjo duel dukej qartë se ishte një hap shumë i madh dhe ndoshta i fundit në këtë nivel./Telegrafi

telegrafi sport app