LAJMI I FUNDIT:

Çollaku: Përgjegjësi e shtetit shqiptar të garantojë tarifën e postës për votimin nga jashtë

Çollaku: Përgjegjësi e shtetit shqiptar të garantojë tarifën e postës për votimin nga jashtë

Deputeti i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku deklaroi sot se procesi i votimit për qytetarët jashtë Shqipërisë është një proces shumë sfidues.

Në seancën dëgjimore me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi në nënkomisionin për diasporën dhe migracionin, në lidhje me përgatitjen dhe mbarëvajtjen e procesit të votimeve për qytetarët jashtë Shqipërisë, Çollaku tha se, kjo është çështje mjaft sensitive dhe kërkoi nga Komisioneri që të jetë i hapur sa i përket mundësisë që ky proces të kryhet në kohë dhe me cilësi.

Çollaku tha se, KQZ ka një barrë shumë të madhe për menaxhimin e këtij procesi shumë sfidues, për herë të parë.


Ai theksoi se, “kompromentimi i këtij procesi nga të gjitha ato fenomene që i komprometojnë zgjedhjet në Shqipëri do të bënte një dëm të dyfishtë, përveç se do të ishte një cenim i standardeve zgjedhore, do të bënte një zhgënjim i madh karshi gjysmës së Shqipërisë që jeton jashtë. E dyta do të kompromentonte dhe atë minimum mirëkuptimi apo konsensusi politik midis palëve. Prandaj e mendoj shumë të rëndësishme dhe me thënë të drejtën në shpatullat tuaja qëndron përgjegjësia e menaxhimit të një momenti që e kalon teknikalitetin e garantimit të një palë zgjedhjeve”.

“Në këtë pikëpamje do t’ju kërkoja duke jua njohur integritetin personalisht dhe respektin gjithashtu, ju lutem të jeni të ndershëm me ne dhe publikun në ato gjëra të cilat mund të garantoni se realizohen apo ku ju mendoni se rrezikohen apo nuk janë në fuqitë tuaja, kjo gjë mendoj nuk i duhet lënë rastësisë dhe duhet parandaluar që në fillim”, tha Çollaku.

“Një ndër shqetësimet e përjetshme që kemi hasur në votën e emigrantëve, edhe kur s’ka qenë në këtë shkallë mundësia, por edhe atyre emigrantët që shkonin e vinin në Shqpëri në momentet zgjedhore, ka qenë vlefshmëria e dokumenteve të votimit”, tha ai

“A parashikoni, a ndjeni nevojën e parashtrimit të kësaj kërkese qeverisë apo parlamentit për të garantuar që çdo shtetas shqiptar, edhe pse mund t’i ketë skaduar pasaporta shqiptare, apo mjeti i identifikimit, por që merr përsipër të ketë kryer këtë proces i garantohet në rast se dokumenton që është i njëjti njeri i regjistruar në listën zgjedhore?”, iu drejtua ai Celibashit.

Çollaku ngriti edhe shqetësimin e tarifës që do të duhet të paguajë çdo shtetas shqiptar për të realizuar këtë proces votimi.

“Flitet për një tarifë prej 30-40 deri 50 euro sa është tarifa e një ndër postave ndërkombëtare të sigurta dhe të shpejta. Mendoj që nga pikëpamja e të drejtës së detyrimit të përgjegjësisë shtetërore, procesi zgjedhor administrohet nga shteti shqiptar dhe është përgjegjësi e shtetit shqiptar të garantojë edhe kostot e tij”, u shpreh ai.

“Kur flasim për këtë tarifën më duket sikur përdoret më shumë për të demotivuar zgjedhësit 30-40 apo 50 euro për dikë në emigracion është një ditë pune. A mendoni që të marrë përgjegjësinë shteti shqiptar dhe institucioni juaj në këtë rast që të tenderojë në një nga postat ndërkombëtare një nga shërbimet vajtje-ardhje të procesit të votimit nga shtetasit shqiptar?”, pyeti Çollaku.

Çollaku foli edhe lidhur bashkë kontrollin e procesit nga partitë politike.

Ai shtoi edhe çështjen e bashkë kontrollit të gjithë procedurës, duke filluar nga mudnëisa regjistrimit, tek dokumenti, pajisje me postë, dërgimi i postës, fleta çfarë garancie bipartizane do të ketë për shqiptarët që votojnë jashtë kufirit shqiptar. Nëse është proces që administrohet dhe teknikisht nga institucioni juaj në bashkëpunon me kë institucion. Pra çfarë garancie ka. Këtu po flas edhe për interesin dhe frikërat që ne si opozitë kemi ekspozuar. Çfarë garancie do të kemi të vërtetë, jo formula teorike se do të kemi mundësinë të bashkëverifikojmë dhe të menaxhojmë procesin në fjalë?, u shpreh Çollaku.