LAJMI I FUNDIT:

Çohuni burra ta demolojmë shtetin!

Çohuni burra ta demolojmë shtetin!

Lajmet që dëgjon e lexon sot, të çojnë kudo e të kthejnë prapa në kohë dhe të kujtojnë ngjarje e personazhe.

Një lajm i tillë që u plasua sot në portalet tona seç ma kujtoi një detaj nga koha e fëmijërisë. Më ktheu në kohën kur familja shqiptare, sado konservative e patriarkale të ketë qenë, ishte institucion i shenjtë. Atëherë, kur prindërit ishin autoriteti që respektohej, mbase më shumë se sot, nga fëmijët. Por, edhe atëherë kishte fëmijë problematikë, me të cilët nuk ia dilnin as prindërit as mëhalla.


I tillë ishte edhe Ceni (emri i imagjinuar) i mëhallës sime, i cili shquhej për agresivitet, thyerje e shkatërrim të gjësendeve në shtëpi, po që se ia prishte dikush. Bile njëherë, kur një mysafir kishte rastisur të jetë në familjen e fqinjit në momentin Ceni kishte qenë në “elementin” e tij dhe atë ditë e kishte në radhë thyerjen e gotave në shenj mllefi e nervoze. Mysafiri i habitur me veprimin e fëmijës e pyet babain e Cenit: “Pse po e lejon djalin të bëjë kështu?”. I zoti i shtëpisë i përgjigjet: “Nuk ban me ia prish se veç bahet ma agresiv, e i then edhe xhamat”.

Mysafiri i habitur nga përgjigja e të zotit të shtëpisë, i thotë: “Ishalla nuk i shkon mendja me hip e me jau qit kulmin në tokë”.

Këtë storje nga fëmijëria ime ma kujtoi sot një kërcënim i bërë nga një grup i studentëve të Universitetit të Prishtinës, të cilët kishin thënë se “në qoftë se nuk përmbushen kërkesat e tyre do ta demolojnë Rektoratin”.

Po de po, e demolojnë. Ia fusin e dhe flakën. Pse jo. Në shtetin tonë të brishtë secili Cen i jep vetës të drejtë të demolojë e të thyejë çka të dojë, veç nëse dikush guxon e ia “prish tripin”. Nëse dikush merr guximin institucional e qytetar dhe kërkon të sillemi si studentë, si deputetë e si qytetarë normalë, atëherë do të pasojë reaksioni demolues-vandalizues.

Mund të kenë të drejtë studentët, të cilitdo grup protestuesish qofshin, edhe ata që protestojnë e kundër protestojnë, me çfarëdo kërkese e motivi. Mund të kenë të drejtë edhe ata që thonë se në Universitetin e Prishtinës nuk ka mësim cilësor dhe se ka profesorë plagjiatorë, e qe besa edhe të tillë që nuk dihet as ku e si i fituan a blenë titujt shkencorë (e çuditshme është se si në listën e “profesorëve” që dalin e kërkojnë shkarkimin e Rektorit ka pikërisht të tillë që veç ata e dinë se kush dhe si ua dha diplomat dhe titujt Mr. e Dr.).

Mirëpo, as studentët e pakënaqur e as disa “Dr. Mr.” (të cilët gjithçka tjetër mund të jenë, veç Dr. Mr. e profesorë nuk mund të jenë) nuk kanë të drejtë të demolojnë UP-në, sado që për gurë e stupca nuk duhet të shkojnë më larg se deri në rrugën përballë objektit kryesor të Policisë së Kosovës në kryeqytet.

Demoluesit le të mjaftohen me degradim që ia kanë bërë tash e mbi 15 vjet autoritetit arsimor e shkencor këtij institucioni universitar.

Është krejt normale të ketë të pakënaqur e të dëshpëruar, sepse në gjendjen çfarë jemi më së paku ka vend për të qenë i kënaqur. Mund edhe të jetë i kapur shteti, siç po thuhet nga parti politike e analistë, por demolimi e shkatërrimi i pronës publike nuk e ç’kap as nuk e forcon shtetin.

Nejse, mund edhe ta kem gabim, por kjo është demokracia. Prandaj, sot secili ka të drejtë të gabojë, veç jo të bëjë diçka të hairit. Bile “ka të drejtë” edhe ai që demokracinë e zëvendëson me anarki, e thërret: “Çohuni burra ta demolojmë shtetin”.

Parlamentin ta bëjmë teatër të tragjikomedive dhe cirk të gjuajtjeve me vezë dhe lojës me e filikaça. UP-në ta bëjmë market për shitblerje diplomash e titujsh shkencorë. Policët tanë, shënjestra të hedhjes së gurve e druve në kokat e tyre. Gjykatat, vend ku shpërblehet krimi…