Çka nënkupton marrëveshja për policat e sigurimit të automjeteve

Kjo marrëveshje u nënshkrua në prezencë të përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini, kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Siç thuhet në njoftimin për media të Zyrës për Komunikim Publik të Kryeministrisë, me këtë marrëveshje mundësohet njohja e ndërsjellë e sigurimeve të automjeteve të të dyja vendeve, ku automjetet e regjistruara në Kosovë do të mund të kalojnë në territorin e Serbisë me sigurimin MTPL, ndërsa automjetet e regjistruara në Serbi do të mund të kalojnë në bazë të sistemit të Kartonit të Gjelbër.
“Në këtë mënyrë hiqet edhe një barrierë e padrejtë drejt lirisë dhe lehtësisë së lëvizjes së qytetarëve të Kosovës”, theksohet në komunikatë.
Më tej thuhet se me këtë marrëveshje po ashtu, mundësohet vendosja e bashkëpunimit të ndërsjellë në mes të Byrosë Kosovare të Sigurimeve dhe Asociacionit të Siguruesve të Serbisë. Për më tepër, thuhet se Byroja Kosovare e Sigurimeve avancon marrëdhëniet dhe qëllimin e saj drejt anëtarësimit në Byronë e Kartonit të Gjelbër.
“Kjo marrëveshje është në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës pasi që mundëson uljen e çmimeve të kalimeve kufitare me automjete në masë të madhe, ku në praktikë nënkupton të njëjtin sistem të kalimeve kufitare dhe të njëjtës tarifë që zbatohet me Republikën e Maqedonisë”, thotë komunikata e Kryeministrisë.
Po ashtu, me këtë marrëveshje thuhet se avancohet zbatimi i marrëveshjeve të Lirisë së Lëvizjes dhe Menaxhimit të Integruar të Kufirit (IBM), si dhe avancohet dhe mundësohet kontrolli më i mirë nga policët, doganierët dhe agjencionet tjera kufitare të kufirit shtetëror të Kosovës.
Delegacioni i Kosovës, i kryesuar nga ministrja Edita Tahiri, kishte në përbërje Qemajl Marmullakajn, koordinator i çështjes së Sigurimeve, Rrahim Pacollin si udhëheqës i delegacionit në nivelin teknik dhe kryetar i Asamblesë së Sigurimeve, dhe Faton Abazin - drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimeve.




















































