LAJMI I FUNDIT:

Çka është fituar me luftë po shkërdhehet në paqe !

Çka është fituar me luftë po shkërdhehet në paqe !

Via Egnatia dhe Evropska Srbija

Deri më sot serbët gjithmonë janë ankuar se i kanë fituar të gjitha betejat në luftë, ndërkaq kanë humbur thuaja të gjitha proceset paqësore. Këto cilësime i referohen vetëm raporteve të Serbisë me Kosovën dhe kosovarët me prejardhje shqiptare.


Na ishin dikur shqiptarët në Kosovë si autoktonë në trojet e tyre. Serbia , si bërthamë e të gjitha mbindërtimeve dhe ndërtimeve të quajtura Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene, Mbretëria jugosllave, narodna federativna republika jugoslavije, SFRJ, Jugosllavija e Zhablakut , Srbija do Tokija e të tjera ndërtime parashtetërore dhe shtetërore, gjithmonë ishte ngufatëse për shqiptarët, duke bërë përpjekje që të ulë praninë biologjike të tyre në Kosovë, qoftë përmes vrasjeve apo marrëveshjeve xhentëlmene (kriminale) me Turqinë dhe shtetet tjera!

Pak më e “mëshirshme” u tregua Jugosllavia pas Plenumit të Brioneve, e cila në vend të një rruge njëkahore që e zbatonin strukturat shtetërore para saj, e që ishte asgjësimi i shqiptarëve me çdo kusht, kjo pas Brioneve ndërtoi një rrugë dykahore apo me dy korsi. Njëra ishte ajo e mëparshme që kishte për qëllim zhbërjen e shqiptarëve përmes arrestimeve, dënimeve, vrasjeve dhe shpërnguljeve, ndërsa tjetra korsi ishte “demokratike”, duke krijuar institucione kosovare që i shërbenin Jugosllavisë ose inteligjencë shqiptare të përzgjedhur. Pjesa dërrmuese i shërbente Jugosllavisë, vëllazërim-bashkimit, socializmit vetëqeverisës dhe edukimit në frymën jugosllave, si dhe antikombëtare! Ata, por edhe pasardhësit e tyre politikë (jeniçerë të Jugosllavisë), sot po e formojnë kombin kosovar dhe po e zbrazin çdo pjatë, pa kontrolluar fare menynë e ushqimit dhe përmbajtjen e pjatës!

Via Egnatia e shqiptarëve të Kosovës për liri dhe çlirim ishte më e gjatë se ajo gjeografike e përmbushur me shumë sakrifica dhe vuajtje, deri në përmasa të gjenocidit. Bartës i së cilës ishte babai politik i bashkëbiseduesit të kryeministrit tonë të lavdishëm dhe i adhuruari i baroneshës Ashton. Po e kuptoni se po flas për lojtarin e madh në politikën serbe dhe ndërkombëtare, i cili në çdo takim me delegacionin kosovar ka shënuar gol. Ivica Daçiq, i vogël, bëri punë të madhe për Serbinë dhe gjithashtu dëm edhe më të madh për Kosovën Dhe, nuk e ka pasur vështirë me një portier i cili ka pasur dhe i ka duar e këmbë të lidhura. E sidomos me një arbitre që gjithmonë ka kërcënuar me karton të kuq kosovarët, ndërsa për Serbinë ka pasur vetëm karton të bardhë!

Pastaj, kryeministri ynë shumë i lavdishëm në rolin e portierit, është treguar shumë i dobët për dallim kur ishte sulmues, por edhe mbrojtës gjatë luftës së UÇK-së! Pastaj, ndihmësit i ka pasur katastrofalë. Edita Tahiri nga klasa biznes e avionëve, drejt në hotele me shtatë yje dhe butiqe ekskluzive, nuk është edhe shumë fajtore sepse dita i ka vetëm 24 orë! Ajo, në fakt, për këto ngjarje edhe është emëruar dhe për këto ka jetuar. Kosova dhe shqiptarët për zonjën Makbeth kanë qenë diçka jo e domosdoshme. Fakultative, me një fjalë! Një mundësi për fotografi dhe defilim para kamerave!

Edhe koordinatori për të gjitha ngjarjet dhe bisedimet, qëkur ka filluar të merret me politikë, së pari si shoqëri civile e pastaj si nënkryetar i parë i AAK-së nga radhët e LDK-së, e ka bukur vështirë të përqendrohet në bisedime, sepse, a me e dëgjua baroneshën apo me i kontrollua xhirollogaritë në bankat ku duhet t’i derdhen mjetet nga mëditjet për Bruksel, shpenzimet tjera reale dhe fiktive?! Nuk ka fare mëdyshje! Interesi për Kosovën për Blerim Shalën është çështje taktike, ndërsa mbushja e xhirollogarive në emër dhe kurriz të Kosovës është qëllim strategjik dhe jetik. Çështje jo e mbijetesës, por ekzistencës. Mos të them edhe i vetëm. Për këtë e ka shkathtësinë dhe inteligjencën e Lionel Mesit dhe shpejtësinë e Ronaldos dhe Usain Bolt!

Serbia po e fiton datën e fillimit të bisedimeve për anëtarësim në BE. Kurse qytetarët e Kosovës po fitojnë “një si gisht e dy si grusht”. Edita dhe Blerimi po fitojnë atë çka kanë kërkuar tërë jetën, ndërsa kryeministri ynë do të fitojë më vonë! Po thonë Çmimin Nobel! Çmimin Nobel?! Diçka do të fitojë gjithsesi! Nuk dua të paragjykoj se çka do të fitojë, por se do të ndahet i lagur në fund nuk e kam as dyshimin më të vogël! Nuk do ta ngushëllojnë as 567 puthjet e deritashme të baroneshës Ashton të cilat i ka fituar në të dyja faqet. Dhe ca të tjera që do t’i fitojë edhe më vonë!

Lexues të nderuar, bëjeni një krahasim të vogël. Krishtin e puthi Juda vetëm dy herë dhe e dini përfundimin e Krishtit! Nuk i përballoi dot as këto dy puthje të Judës! Po kryeministri ynë i lavdishëm, me të gjitha këto puthje! Nuk e ka lehtë! Aspak lehtë! Cili do të jetë fundi? Do t’i ketë lakmi Krishtit!

Kur patën filluar bisedimet pata thënë se ne, si fqinj të mirë do ta luajmë rolin e sherpasve (hamallëve të Nepalit që bartin ushqime dhe pajisje për alpinistët që mësyjnë majat e Kilimanxharos dhe Himalajeve), duke menduar se Serbinë, si shtet me të kaluar kriminale dhe gjenocidale, megjithatë e pret një rrugë e gjatë dhe e vështirë drejt majave të BE-së! Gabova, sepse për t’i arritur majat për integrime të Serbisë në BE mjaftuan sjellja e qytetëruar, e moderuar e hedonistes dhe snobistes me para të qytetarëve të Kosovës, frekuentueses së butiqeve të Brukselit, koordinatores për bisedime teknike, Fjollës së Borës me një Yll, Edita Tahirit! Kërkoj falje nga zonja në fjalë që për shkak të mosdijes sime nuk e kam përshkruar ashti siç ajo e meriton!

Duket se materiali kryesor i marrëveshjeve teknike dhe politike të cilat kurrë nuk u bënë publike, por opinionit iu servir kopja e tyre “origjinale” sikur librat e amzës dhe të kadastrës , që na “çonin” drejt Evropës e që në fakt e dërguan Serbinë në portat e mëdha të Brukselit, barteshin në çantën e madhe të koordinatorit evergreen (të përjetshëm) për të gjitha çorbat për dhe rreth Kosovës, Blerim Shalës! I cili shkonte prapa kryeministrit tonë të lavdishëm, që vraponte drejt përqafimit me baroneshën Ashton, për puthjen e radhës! Kontribuuan jashtëzakonisht shumë edhe partitë e pozitës dhe të opozitës që votojnë çdo gjë që sugjerojnë miqtë ndërkombëtarë. Pa i lexuar fare. Si dikur “presidenti historik”.

Jemi popull i mahnitshëm, sepse kemi politikanë të mahnitshëm. I parashohin gjërat, proceset politike dhe historike, pa lexuar fare. Nuk ka popull në botë që ka aq analfabetë politikë e që janë aq largpamës!

Do të isha jashtëzakonisht jokorrekt që meritat për ecurinë pozitive të procesit për integrimin e Serbisë në BE mos ta përmend edhe angazhimin e jashtëzakonshëm, me shumë sakrifica (qëllon kafeja jo fort e mirë në Kuvend, apo duhet t’i presë deputetët derisa të dalin nga vendi ku kryejnë nevoja fiziologjike dhe ku merren vendime strategjike, apo që detyrohet të qëndrojë në vende që nuk ofrojnë komoditet, si nën shkallë p.sh.), Bajramin e Deçanit, këtë burrë si figurat mitologjike dhe antologjike! Kur e shoh Bajramin të rrethuar me deputetë, ma çon mallin e Skënderbeut në Krujë kur u drejtohet me këto fjalë: “Kush nuk e dëgjon porosinë e mikut, menjëherë bjen prej fikut”! I mirë është Bajrami. Madje shumë i mirë! Nganjëherë edhe mua më përshëndet!

Via Egnatia mbeti vetëm shprehje gjeografike, ndërkaq Via Rashka (mbi mbetjet e shqiptarëve të ekzekutuar edhe nga Daçiq) u bë rrugëtim i sigurt i Serbisë drejt integrimit në BE! Çestitam ti pobedu za integrimit në BE! Çestitam ti pobedu za evropsku integraciju Srbije druzhe Daçiq i drugarice Ashton! Si çift keni qenë të mrekullueshëm! Edhe Shqipëria fitoi nga ky proces. Shqipëria evropiane! Jo Shqipëria e shqiptarëve.

Po fiton kondicion duke vrapuar: “Si Muça prapa daive”. Së paku deri në muajin qershor të vitit 2014. Deri atëherë edhe doktori i Tropojës, Sali Berisha, do të jetë në gjendje gatishmërie. Do të jetë vigjilent ashtu si e ka mësuar partia! Afër veti gjithmonë do ta ketë setin me gjëra të domosdoshme higjienike, brusha , pasta për dhëmbë , aparatin për rrojë alla Dejvid Bekam dhe të tjera. Ashtu po kërkon Brukseli! Qofsha gabuar!

Bernd Borchardt dhe Hajredin Kuçi

I pari është shef nr. 1 i EULESH-it. I dyti është zëvendëskryeministër i dytë (i pari është më i miri dhe më i liri, Behgjet Pacolli) i Qeverisë së Kosovës dhe ministër i Drejtësisë! Duket se shefi i EULESH-it lexon shumë. Për Hajredinin nuk kam fare dyshim. Është njëri ndër të rrallët në qeverinë e Kosovës që vërtet di shkrim-lexim! Kanë filluar të shkruajnë bashkë. Janë bërë si Mario Gece dhe Xherdan Shaqiri. Njëri gjerman, tjetri shqiptar! Duet i hatashëm!

E kishin shkruar një artikull për korrupsionin që realisht edhe ju takon, sepse postet i kanë të shkruajnë sa më pak e ta luftojnë sa më shumë! Në fillim i pashë dy fjali shumë të mençura dhe menjëherë më iku mendja se kështu di të shkruaj vetëm Behgjet Pacolli, i cili është i përsosur në shkrime dhe analiza! Po a krahasohet Mentor Nazarko me Behgjet Pacollin?! Në mungesë të kohës vetëm ia lëshova syrin artikullit. Ashtu si anglezët. Më ra në sy pylli, mjegulla, ujku i hirtë, gjuetari etj. Vallahi, thashë me vete këta e paskan shkruar një shkrim për Kësulkuqen e humbur në një pyll me mjegull dhe ujkun, kësaj radhe të hirtë që i ka zënë pritë Kësulkuqes. T’ua them të drejtën nuk ndjehesha mirë kur e dija fatin e Kësulkuqes. Dhe, nuk e vazhdova fare më leximin.

Nuk e di çka kanë shkruar, prandaj nuk dua të paragjykoj, as motivet e as qëllimet e këtij shkrimi. Po disi, më këtë injorancën time po më duket se ky tregim ka personazhet kryesore, Hashim Thaçin në rolin e ujkut të hirtë dhe Atifete Jahjagën në rolin e Kësulkuqes. Realisht më duket se edhe fundi do të jetë sikur në tregimin për Kësulkuqen!

A jemi më katolikë se Papa

Po flitet shumë për vendet e rezervuara për serbët. Jo për shqiptarët, si pakicë absolute politike! Miqtë ndërkombëtarë po propozojnë edhe një mandat të rezervuar. Kjo është thellësisht demokratike dhe kundër kushtetutës. Madje edhe asaj të Ahtisarit! Miku imi i madh dhe paharruar, Behgjet Pacolli, zëvendëskryeministër i parë i qeverisë së Kosovës (plas Hajredin, plas nga zilia!) doli shumë më mik se miqtë ndërkombëtarë duke propozuar vazhdimin edhe për dy mandate të vendeve të rezervuara. U hidhërova shumë në Behgjetin! Pse vetëm edhe dy mandate. Le të bëhen tetë. Le të bëhen dhjetë! A jemi në liri! Ta bëjmë Kosovën, Shumadi!

Adem Demaçi dhe medicina moderne

Pas vlerësimit që Baca Adem i bëri “presidentit historik” dhe “komandantit suprem” të Adem Jasharit, pati reagime të cilat mjekësia nuk i ka përfshirë në literaturën e saj. E quajtën psikopat, hajvan, horr, debil, imbecil, qerrata, idiot, skandaloz, mafioz, të shitur, kancer etj. njeriun që bëri mbi 28 vjet burg për lirinë e këtyre jomirënjohësve dhe batakçinjve. I fundit i cili dha deklarata të tilla ishte një ish qebapxhi nga Besiana (Podujeva) i cili, nën hije të Blirit, ua rraste cullën “ushtarëve” të “presidentit historik” me qebapa të bërë nga mishi i thive të Kurshumlisë, me lleskovaçka paprika, biber të Horgoshit, jogurt të Bllacës, shlivovicë të Smederevës dhe në kohë të lirë u bënte muzikë duke i rënë defit dhe harmonikës në ritmin e Zhikino Kollos (Vallja e Zhikës) si frymëzim kombëtar dhe politik! Dhe, kështu bëri dhe po bënë karrierë politike!

Lexues të nderuar, e di se e keni shumë të vështirë mos ta them të pamundur ta qëlloni se për kë bëhet fjalë. Unë nuk ua tregoj emrin… deri ndoshta në shkrimin e radhës.