City fiton me përmbysje ndaj Southamptonit

Manchester City ka arritur me shumë mund që ta mposhtë Southamptonin në kuadër të javës së 11-të në Ligën Premier.
Ndeshja që u zhvillua në ‘Etihad Stadium’ përfundoi me rezultat 2-1.
Mysafirët ishin të parët që kaluan në epërsi me anë të James Ward-Prowse që shënoi një gol të bukur në minutën e 13-të.

Pjesa e parë përfundoi me këtë epërsi minimale të Southamptonit, derisa e dyta ishte e tëra për Cityn.
Skuadra e Pep Guardiolas arriti të krijonte disa raste të mira për gol, mirëpo vetëm në minutën e 70-të arritën t’i barazonin shifrat me anë të Sergio Aguero që u asistua nga Kyle Walker.

Mbrojtësi anglez doli të ishte heroi i kampionit në fuqi, pasi e përmbysi rezultatin në minutën e 87-të.
Pas javës së 11-të, Manchester City gjendet në pozitën e dytë me 25 pikë, ndërsa në xhiron e 12-të do të takohen me Liverpoolin. /Telegrafi/


















































