Nga: Josh Hammer / Newsweek
Përkthimi: Telegrafi.com

Një muaj pas fillimit të Operacionit Furia Epike [Epic Fury] kundër Republikës Islamike të Iranit, më në fund ka dalë hapur një diskutim i vonuar prej kohësh: cili është, në të vërtetë, arsyetimi i vazhdueshëm që jepet për NATO-n? Për dekada, kjo pyetje është trajtuar - në qarqet e politikës së jashtme në Uashington - si herezi. Por, nuk është. Dhe, për meritë të tyre, presidenti Donald Trump dhe sekretari i Shtetit Marco Rubio tani po e thonë këtë hapur.


Siç u shpreh së fundmi Trumpi: “Ata nuk kanë qenë miq kur kemi pasur nevojë për ta. Nuk u kemi kërkuar kurrë shumë ... është rrugë njëdrejtimëshe”. Rubio ka qenë po aq i drejtpërdrejtë: “Nëse NATO ka të bëjë vetëm me ne që mbrojmë Evropën kur sulmohet, por pastaj na mohohen të drejtat për baza kur na duhen neve, atëherë kjo nuk është marrëveshje shumë e mirë ... Pra, e gjithë kjo duhet rishqyrtuar”.

Ata kanë plotësisht të drejtë.

Në rastin më të mirë, “aleatët” evropianë të Amerikës kaluan dekadat duke përfituar falas nga ombrella e sigurisë amerikane. Pavarësisht premtimit të përsëritur për të përmbushur objektivat minimale të shpenzimeve për mbrojtjen, shumë anëtarë të NATO-s vazhdojnë të investojnë pak në ushtritë e veta dhe ua delegojnë mbrojtjen kombëtare taksapaguesve amerikanë. Pabarazia është e madhe: Shtetet e Bashkuara përbëjnë pjesën dërrmuese të kapaciteteve ushtarake, të logjistikës dhe transportit strategjik të NATO-s. Në përgjithësi, taksapaguesit amerikanë kontribuojnë rreth 60 përqind të shpenzimeve totale për mbrojtjen e NATO-s.

Në rastin më të keq, disa prej këtyre aleatëve evropianë minojnë në mënyrë aktive operacionet amerikane në momentet më kritike. Vende të mëdha të Evropës Perëndimore, si Spanja dhe Franca, kanë kufizuar ose komplikuar përdorimin e hapësirës së tyre ajrore nga ShBA-ja gjatë Operacionit Furia Epike. Kjo është absurde. Një “aleancë” në të cilën anëtarët pengojnë njëri-tjetrin në zhvillimin e luftës nuk është në të vërtetë një aleancë - është një barrë.

Kjo ngre pyetjen thelbësore: pse ekziston NATO në vitin 2026?

Le të kujtojmë origjinën e saj. NATO u themelua në vitin 1949 me një mision të qartë dhe urgjent: të frenonte dhe, nëse ishte e nevojshme, të mposhtte Bashkimin Sovjetik. Ky mision ishte bindës - madje ekzistencial. Evropa Perëndimore ishte e shkatërruar pas Luftës së Dytë Botërore dhe kërcënimi sovjetik ishte real, i menjëhershëm dhe hegjemonik.

Bashkimi Sovjetik u shpërbë para më shumë se tre dekadash e gjysmë. Muri i Berlinit ra në vitin kur unë linda. Lufta e Ftohtë tashmë është një relike historike. Sipas çdo matësi të arsyeshëm, NATO-ja e përmbushi arsyen e ekzistencës së saj në fillim të viteve ’90 të shekullit XX. Por, në vend që të shpallte fitoren dhe të rikalibronte kursin, aleanca lëvizi. Ajo u zgjerua gjithnjë e më shumë drejt Evropës Lindore dhe e zhvendosi misionin e saj të deklaruar në ... epo diçka.

Thënë troç, NATO sot është një organizatë në kërkim të një qëllimi.

A është NATO një pakt mbrojtjeje kolektive kundër pasardhësit gjeopolitik të Bashkimit Sovjetik, Federatës Ruse? Nëse po, pse kaq shumë anëtarë evropianë të NATO-s nuk e marrin seriozisht këtë kërcënim sa të investojnë në mbrojtjen e tyre? Apo NATO tani është një mjet për luftën globale kundër terrorizmit? Nëse po, pse anëtarët e saj kanë qëndruar mënjanë dhe kanë refuzuar t’i bashkohen ShBA-së në përballjen me sponsorin kryesor shtetëror të xhihadit në botë? Apo NATO është thjesht një klub politik për demokracitë liberale? Nëse po, çfarë lidhje ka kjo me interesin kombëtar të ShBA-së?

NATO është shndërruar në një institucion gjithëpërfshirës, plot me parulla triumfaliste, por i varfër në realitete strategjike mbi të cilat u ndërtua ekzistenca e saj.

Ndërkohë, rendi global po ndryshon. Epoka fillestare e multilateralizmit entuziast - pas Luftës së Ftohtë - po zëvendësohet gradualisht nga një paradigmë më e orientuar drejt interesave kombëtare. Shtetet po rizbulojnë rëndësinë e sovranitetit, të kufijve dhe interesit vetjak. Në një botë të tillë, është e paqëndrueshme ideja që Shtetet e Bashkuara duhet të mbeten verbërisht të lidhura me një strukturë aleance transnacionale të shekullit XX.

Kjo nuk do të thotë që Amerika duhet të izolohet. Por, do të thotë se aleancat duhet të rishikohen, rikalibrohen dhe - kur është e nevojshme - të zëvendësohen.

E ardhmja gjeopolitike nuk qëndron në struktura të vjetruara shumëpalëshe, por në partneritete të shkathëta, strategjike dypalëshe dhe trepalëshe. Këto marrëveshje më të vogla dhe më të fokusuara lejojnë pritshmëri më të qarta, përgjegjësi më të madhe dhe përputhje më të drejtpërdrejtë të interesave kombëtare. Ato shmangin ngadalësinë burokratike dhe përfitimin pa kontribut që karakterizon struktura të mëdha si NATO.

Sulmi shumë efektiv dypalësh ShBA-Izrael ndaj Iranit gjatë muajit të kaluar, tregon se çfarë mund të bëjë një aleancë dinamike e shekullit XXI. Kontrasti me shtetet e ngadalta anëtare të NATO-s në Evropën Perëndimore është i theksuar.

Për shumë kohë, politikanët amerikanë e kanë trajtuar NATO-n si një dogmë. Por, aleancat nuk janë të shenjta. Ato duhet të rivlerësohen vazhdimisht për të parë nëse ende i shërbejnë qëllimit të tyre dhe avancojnë interesin kombëtar.

Nëse NATO nuk e kalon këtë test - nëse vazhdon të funksionojë si një marrëveshje e pabarabartë ku Shtetet e Bashkuara paguajnë, mbrojnë dhe sakrifikojnë ndërsa të tjerët hezitojnë dhe pengojnë - atëherë është jo vetëm e arsyeshme, por e domosdoshme të vihet në pikëpyetje e ardhmja e saj dhe roli i Amerikës në të.

Operacioni Furia Epike i ka nxjerrë në pah këto kontradikta në mënyrë të qartë. Diçka duhet të ndryshojë. Tani topi është në fushën e NATO-s. Sepse status quo-ja nuk është më e mbrojtshme - dhe thellë brenda, të gjithë e dinë këtë. /Telegrafi/