Psikologu klinik Visar Sadiku, i ftuar në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital, ka theksuar rëndësinë që ka familja në trajtimin dhe përparimin e fëmijëve me çrregullime psikologjike.

Sipas Sadikut, familja nuk është thjesht një faktor mbështetës, por një resurs i domosdoshëm, pa të cilin nuk mund të arrihen rezultate të qëndrueshme në terapi.


Sadiku tha se jo vetëm që aplikojnë procedura të specializuara për stimulimin e aftësive të fëmijës, por trajnojnë edhe prindërit që këto metoda të aplikohen në mënyrë të vazhdueshme në ambientin familjar.

Sadiku foli edhe për dy kategori të zakonshme të prindërve në këtë proces, për siç tha: "E para, janë ata prindër që në përpjekje për të shmangur ndjenjat e fajit, e përjetojnë situatën në mënyrë personale dhe shpesh mohojnë realitetin e problemit. E dyta, janë prindër bashkëpunues, të gatshëm për trajtim, por që hezitojnë të pranojnë realisht natyrën e çrregullimit".

Mirëpo psikologu klinik u shpreh se të dy këto kategori arrijnë në një pikë të përbashkët ku e kuptojnë se situata është e pashmangshme dhe mobilizohen për ta trajtuar atë.

"Dhe padyshim, ka sukses”, theksoi Sadiku.

Për më shumë shikoni podcastin e plotë në Youtube: