Gjatë kohës së fundit është raportuar se cilësia e asfaltit të shtruar në Dumnicë të Poshtme të Vushtrrisë nuk është e mirë.

Lidhur me këtë, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka thënë se tashmë janë kryer analiza të nevojshme që dëshmojnë se puna është kryer sipas standardeve, shkruan Telegrafi.


Idrizi ka dalur në terren së bashku me ekipet kompetente dhe banorët e fshatit Dumnicë e Poshtme.

Ai është shprehur se kishin qëllim që të verifikojnë gjendjen reale të asfaltit dhe sipas tij, të dhënat e siguruara dëshmojnë se puna është kryer “me përkushtim dhe standard”.

“Sot në mëngjes, së bashku me ekipet kompetente dhe në prani të banorëve, kemi dalë në terren për të kryer shpimet dhe analizat e nevojshme. Qëllimi ynë ishte i qartë: të verifikojmë gjendjen reale dhe të sqarojmë çdo paqartësi. Pamjet dhe të dhënat e siguruara dëshmojnë qartë të kundërtën e pretendimeve dhe janë dëshmi e punës së kryer me përkushtim dhe standard”, ka thënë Idrizi. /Telegrafi/