Site icon Telegrafi

Zyrtare: Chelsea dhe Pochettino ndërpresin bashkëpunimin me marrëveshje të dyanshme

Chelsea dhe Mauricio Pochettino kanë ndarë rrugët me marrëveshje të dyanshme. Aventura e trajnerit argjentinas ka ardhur në fund pas vetëm një sezoni në krye të “Bluve të Londrës”.

Pochettino i cili udhëhoqi Chelsean drejt vendit të gjashtë, ka shijuar një fund të fuqishëm të sezonit por nuk mundi të pajtohej në lidhje me politikat e klubit me pronarët Todd Boehly dhe Clearlake Capital.

Vendimi i Chelseat për të ndarë rrugët me 52-vjeçarin vjen pas një përfundimi të brendshëm të performancave të klubit në sezonin 2023/2024 nga drejtorët sportiv Paul Winstanley dhe Laurence Stewart.

Chelsea mposhti Bournemouthin me rezultat 2-1 në ndeshjen e fundit të sezonit në atë që po del të jetë e fundit për Pochettinon në stolin e klubit londinez, por duke u siguruar se futbolli evropian do të rikthehet nga sezoni i ardhshëm në ‘Stamford Bridge’.

Pochettino u bë trajneri i gjashtë i Chelseat në pesë vitet e fundit pas shkarkimit të Thomas Tuchel dhe Graham Potter sezonin e kaluar, që bëri që në krye të Chelseat si trajner i përkohshëm të emërohej Frank Lampard.

Chelsea kishte shpenzuar mbi 400 milionë euro para sezonit debutues të Pochettinos me klubin në atë që u përshkrua si një ‘revolucion’ gjatë afatit kalimtar veror.

Synimi i klubit tani do të jetë që të gjejë një trajner të ri në moshë dhe njëri ndër kandidatët që plotëson këtë kusht është Ruben Amorim i Sporting Lisbonës./Telegrafi/

Exit mobile version