LAJMI I FUNDIT:

“Challenge Fund”, projekt i rëndësishëm për arsimin profesional në Kosovë

“Challenge Fund”, projekt i rëndësishëm për arsimin profesional në Kosovë

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Shyqiri Bytyqi, priti sot në takim një delegacion nga Banka Gjermane për Zhvillim, të prirë nga menaxherja e projekteve për arsim profesional e Bankës Gjermane në Frankfurt, Hille Heneby, me të cilët bisedoi për projektin “Challenge Fund” (Fondi sfidues), i cili planifikohet të realizohet në institucionet e arsimit profesional në Kosovë.

Ai me këtë rast falënderoi Bankën Gjermane për Zhvillim që ka zgjedhur Kosovën si vendin e parë në rajon për ta implementuar këtë projekt të rëndësishëm për arsimin profesional në Kosovë, por edhe për bizneset dhe ekonominë kosovare në përgjithësi.

Po ashtu në takim është diskutuar edhe për punën që është duke u bërë në përmirësimin e cilësisë në arsimin dhe aftësimin profesional.


“Ndër të tjera, theksova se është duke u hartuar Strategjia për zhvillimin e arsimit profesional, ndërsa janë duke u hartuar edhe standardet e programeve profesionale dhe koordinimi i tyre me kurrikulat e reja, prandaj, edhe ky projekt po vjen në kohën e duhur dhe shpreha gatishmërinë e MASHT për të qenë gjithmonë pranë, që ky projekt të arrijë synimin”, ka thënë ministri Bytyqi në një postim në Facebook.