Çfarë thotë Hajrulla Çeku për Ramën, Ismailin, Berishën dhe Shahinin?

Në ciklin e intervistave të “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, kandidatët për kryetar të Prishtinës po prezantojnë vizionet e tyre për kryeqytetin. Në këtë kuadër, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, foli për mundësitë e bashkëpunimit politik.
Duke folur për mundësitë e bashkëpunimit me kandidatët e tjerë, Çeku u shpreh:
“Jam shumë i interesuar të bashkëpunoj me Përparim Ramën, i cili është bartës i listës së LDK-së. Logjika më thotë se ai nesër mund të bëhet shef i asamblistëve, dhe me shefat e asambleve dua të kem komunikim të ngushtë si kryetar komune. Qëllimi im është të ndërtoj një klimë dialogu dhe mirëbesimi në Asamblenë e Prishtinës, duke ftuar të gjitha grupet politike të përfaqësuara për të kontribuar në zhvillimin e qytetit”.
Duke komentuar mbi kundërkandidatët e tjerë, ai tha:
“Në qeverisjen e kaluar, Uran Ismaili dhe Përparim Rama kanë ndarë drejtoritë dhe kanë bashkëqeverisur përmes ndërmarrjeve komunale. Nëse ka një medalje të dështimit për këto katër vite, ajo i takon të dyve. Për dështimet në Prishtinë, të dy kanë përgjegjësi”.
Për dy kandidatët e tjerë, Bekë Berisha dhe Besa Shahini, Çeku vuri re se disa nga kundërkandidatët i përmbajnë elemente të pavarura dhe nuk lidhen fort me partitë e tyre, gjë që rrit diversitetin në garën për kryetar të komunës.
Bashkëqeverisja dhe roli i opozitës
Duke komentuar mbi mundësitë e koalicioneve pas zgjedhjeve, Çeku theksoi:
“Kush mund të jetë një bashkëqeverisje me dikë? Prishtina gjithmonë ka ekzistuar në këtë formë. Situata aktuale tregon se ka elemente më të afërta me program dhe vizion. Fillimisht mendoj që LDK-ja dhe PDK-ja duhet të shkojnë në opozitë në Prishtinë. Ka edhe lista të tjera, si Partia Guxo, Alternativa për Asamble, dhe Lista e Lidhjes për Prishtinën, që ofrojnë diversitet dhe cilësi në Asamble. Qëllimi im është të krijoj një klimë bashkëpunimi që shkon përtej përplasjeve politike.”
Vizion dhjetëvjeçar për Prishtinën
Çeku theksoi se vizioni i tij quhet “Prishtina 2035”, një plan i qëndrueshëm dhjetëvjeçar për zhvillimin e kryeqytetit:
“Dy mandate janë tetë vjet, por kërkesa ime është që qytetarët të më besojnë këtë mandat. Puna dhe rezultatet konkrete do të jenë dëshmi për qytetarët. Kam raportuar çdo vit mbi progresin dhe kam një plan emergjent për veprimet e para të vitit të parë, për të nisur realizimin e objektivave tona.”
Ai nënvizoi se qasja e tij është realiste dhe pragmatike, duke u fokusuar në hapa konkretë që qytetarët do të mund t’i ndjekin çdo ditë, duke shmangur premtime të pabazuara./Telegrafi/




















































