Futbolli nuk është vetëm një sport i zakonshëm; futbolli nuk është vetëm futboll. Futbolli në ditët tona është shumë më shumë se kaq. Armiqësitë, rivalitetet, inatet, zilitë, garat, ndeshjet antike e mesjetare të njerëzve e popujve janë zhvendosur në fusha të blerta. Dhe, përveç gjakut e vdekjes së rivalit, ende gjithçka është aty. Dëshira, gjakimi, lufta për fitore, djersa, inati, rivaliteti, dafinat e triumfuesit dhe dëshpërimi i të mundurit ende janë aty.
Gladiatorët antikë, kavalierët e riterët mesjetarë tash dalin krenarë në stadiumet e mbushura, ku turma klith e gulçon dhe mbi të gjitha pret fitore. Dhe, fisnikëria antike e mesjetare ende është aty: pavarësisht epilogut, dora i zgjatet kundërshtarit dhe dikush kthehet në shtëpi triumfues e me lavdi, dikush kthehet kokulur e duhet të kurojë “plagët”.
Derisa në botë është kështu, për ne futbolli është edhe më shumë. Futbolli për Kosovën është jo vetëm dashuri, jo vetëm krenari, jo vetëm energji, entuziazëm e lumturi. Futbolli për Kosovën është politikë, është diplomaci, është integrim, është zhvillim, është ekonomi, është industri, është vetë jeta. Dhe si i tillë duhet të trajtohet. Kush do të donte që një çështje si kjo të trajtohej vetëm si sport, vetëm si aktivitet i lirë, vetëm si argëtim. Jo, futbolli duhet të trajtohet seriozisht, si sistem dhe në mënyrë institucionale sepse ai ka rëndësi kombëtare.
Po, çfarë na mëson kombëtarja e Kroacisë në futboll?
– Kroatët na mësuan se edhe kombet e vogla (ata janë afër katër milionë) mund të triumfojnë në botëror, të mposhtin të mesmet dhe të mëdhatë, si dhe t’u japin mësim kombëtareve të vogla;
– Kroatët ma mësuan se për futboll duhet të ketë një angazhim të përgjithshëm kombëtar, i tërë kombi duhet të ketë frymim me futbollin dhe, para se gjithash duhet të ketë dashuri për futbollin, për kombëtaren e futbollit, sukseset e saj që janë suksese kombëtare;
– Kroatët na mësuan se kombëtarja e futbollit nuk mund të arrijë suksese vetëm me profesionalizëm të ngushtë sportiv-futbollistik, por se duhet të ketë karakter, vendosmëri, vullnet, dëshirë dhe vetëbesim;
– Kroatët na mësuan se nuk ka ekip pa një lider. Dhe, ata e patën liderin e tyre karizmatik, Modriq. I tërë ekipi është kompakt dhe si një trup i vetëm, por dihet kush është lideri, shpirti, zemra, truri i ekipit. Kjo na mëson se si ndërtohet ekipi. Mund të kesh yjet e krejt botës, por pa një lider në fushë, rreth të cilit ndërtohet loja dhe shpirtërorja e lojës së futbollit, nuk do të arrish asgjëkund. Dhe, ka shembuj për këtë sa të duash.
– Kroatët na mësuan se ekipi duhet të ketë disiplinë. Nuk ka asnjë përjashtim, asnjë hiç! Çdo mosrespektim më i vogël i disiplinës sanksionohet me vendosmëri (shihni rastin e Kaliniqit që në vend se sonte të mbante medaljen e argjendtë në qafë, luan diku biliard, i dëshpëruar për shkak të një momenti tragjik kur kishte guxuar ta sfidojë autoritetin e trajnerit kroat, Daliq). Një digresion: në këtë pikë, kroatët mund t’u japin mësim edhe argjentinasve (mes tjerëve) sepse një ekip pa trajner, pa disiplinë, pa zinxhir të hekurt, edhe kur ka yjet më të shndritshme të planetit, shkon në shtëpi e turpëruar!
– Kroatët na mësuan dhe na bindën në lidhje me një etiketë që u ishte ngjitur si rrodhe. Për një kohë të gjatë – dhe sidomos pas suksesit të botërorit të vitit 1998 – ballkanikët tjerë dhe sidomos serbët, u kishin thënë kroatëve se nuk është se kanë shkollë të tyre, por se sukseset e tyre janë meritë e shkollës së ish-Jugosllavisë.
Derisa kjo mund të ishte e vërtetë për gjeneratën e Bobanit, Shukerit, Asanoviqit, Prosineqkit e shokëve të tyre, kombëtarja e tanishme kroate përbëhet prej futbollistëve që kur është shpërbërë Jugosllavia, ose kanë qenë 3-4 vjeç, ose ende nuk kishin ardhur në jetë. Me fjalë tjera, po të ishte kjo meritë e jugosllavëve, jo e tyre, ku janë sukseset e sllovenëve, boshnjakëve, maqedonëve, malazezëve e serbëve, që krijojnë këto broçkulla. Nga kampionati Rusi 2018, kroatët përfundimisht na kanë bindur se më shumë i kanë dhënë Jugosllavisë se sa që kanë marrë – për dallim nga disa të tjerë.
Dhe, me suksesin në futboll, kroatët po u bien vulë edhe sukseseve tjera të përgjithshme kombëtare. Ata kanë shtet ligjor, janë shëruar nga metastazat kanceroze në shtetin e tyre, kanë ekonomi të zhvilluar, standard të lartë jetësor dhe janë integruar në Bashkimin Evropian jo me lutje, vaj e lutje të përulura, por si palë e vërtetë. Sot prodhimi më i njohur i tyre është fuqia e kualifikuar (jo e muskujve, por e trurit) punëtore, që është e lakmueshme nga tërë bota.
Futbolli është qershia mbi tortë e suksesit të shoqërisë kroate. Dhe, analistët tanë të sportit, në vend të përshkrimeve super-teknike që kanë një audiencë të kufizuar, duhet të fokusohen në këto mësime që mund të përdoren nga ana e shqiptarëve.
Ky botëror ka parë shumë gjëra fantastike, për futbollin dhe jashtë tij, por ne duhet të fokusohemi në mësimet që mund të nxirren nga ai. Rasti i Kombëtares së Kroacisë është shembull i përkryer, një minierë ari, nga e cila mund të nxirret shumë.
Nuk e di a jemi të fokusuar se nga mund të nxjerrim mësime.
Apo, pambarimisht po marrim pjesë në festa dhe eufori të huaja.
Kurrë pa u bërë palë.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëA e dini se për çfarë shërben butoni mbi shpatull tek palltot
Platforma ku mund ta shikoni duelin e vitit Jake Paul - Mike Tyson
Cristiano Ronaldo po largohet nga Al Nassr shkaku i garës së FIFA-s
Ledri Vula e pranon se ka fjetur me një fanse
“Në fillim ka qenë shumë e vështirë” - Ledri Vula flet për herë të parë për ndarjen nga Sara Hoxha
Meta nga burgu: Njerëz të SPAK më kanë sugjeruar të arratisem, s’ka akuzë zyrtare ndaj meje
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Platforma ku mund ta shikoni duelin e vitit Jake Paul - Mike Tyson
Cristiano Ronaldo po largohet nga Al Nassr shkaku i garës së FIFA-s
Publikohet lista e plotë me rregullat kontroverse për luftën Mike Tyson - Jake Paul
Trump dëshiron ta mbyllë Departamentin e Arsimit - çfarë do të thotë kjo për edukimin shkollor
Ledri Vula e pranon se ka fjetur me një fanse
John Thune zgjidhet kryetar i Senatit Amerikan - kandidati që donin shqiptaro-amerikanët