Qeveria e Kosovës ka treguar disa informacione rreth komenteve që i ka dërguar para dy ditësh në Bashkimin Evropian për planin e sekuencimit të marrëveshjes me Serbinë. Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, bëri të ditur  se bëhet fjalë për një dokument shtatëfaqësh ku Kosova bën thirrje për zbatimin e marrëveshjes dhe ofrimin e sigurisë që pala tjetër të veproj me këtë qasje.

Këto deklarime dhe komente analisti politik Fidan Ukaj, po i sheh me shumë skepticizëm sa i përket rezultateve, ani pse i jep të drejtë Kosovës në kërkesat e saj.

“Mendoj që pala tjetër, ashtu siç ka kërkuar vazhdimisht do të kërkoj themelimin e asociacionit dhe akuzoj Kosovën si palë jokonstruktive në zbatimin e marrëveshjeve. Lënia në vullnet të palëve për të dërgu komente ka qenë vullnet i mirë, po nuk do të prodhojë diçka pozitive”, ka thënë Ukaj.

Ukaj kërkon që BE-ja të ketë qasje më të barabartë ndaj të dy vendeve.

“Nëse vazhdohet me një politikë të tillë toleruese ndaj Bashkimit Evropian karshi Serbisë, dhe i bëhet presion Kosovës për themelimin e Asociacionit me shumicë Serbe, dëmin më të madh dialogut ia ka bë zoti Lajçak duke nxjerr pikën 7 nga dakordimi i Brukselit dhe Ohrit dhe me vendos si pikën e parë për Kosovën”, ka shtuar Ukaj.

Komentet që palët patën për obligim t’i dërgojnë në Bruksel deri më 18 korrik, janë të dhjetat deri më tani për planin e sekuencimit të marrëveshjes bazike./Tv Dukagjini/