Nga: Simon Kuper / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com
Ndërsa armëpushimi i brishtë në Gaza po fillon dhe teksa i afrohemi 80-vjetorit të çlirimit të Aushvicit – të hënën e ardhshme – kam qenë duke lexuar librin Gjenocidi [Genocide] të kushëririt tim, Leo Kuper, botuar në vitin 1981. E kujtoj Leon si një plak të urtë, që endej në bungalon e tij plot me libra në Los Anxhelos. Sociologu hebraik, që lindi në Johanesburg në vitin 1908, shërbeu si oficer i inteligjencës britanike gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe më pas iu bashkua brezit të studiuesve që zhvilluan konceptin e “gjenocidit”. I tronditur nga Holokausti, ai shpresonte të parandalonte mizoritë e ardhshme.
Libri i Leos është njëherazi historik dhe me qasje vizionare. “A mund të dyshojë dikush”, shkroi ai, “për mundësinë e një konflikti gjenocidal në Lindjen e Mesme, të ngjyrosur nga ndasitë fetare, me një komponent ndërkombëtar që të kujton në mënyrë tronditëse epokën naziste”? Pyes veten nëse mund ta kishte imagjinuar ai kohën kur shumë studiues, në fushën e tij, do të arrinin në përfundimin se Izraeli ka kryer gjenocid.
Konventa e OKB-së për Gjenocidin, e miratuar në vitin 1948, e përkufizon atë si “akte të kryera me qëllim për të shkatërruar, tërësisht ose pjesërisht, një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar”. Vini re fjalët “pjesërisht”. Vrasja e vetëm një pjese të një grupi, siç ndodhi me masakrën e 8,372 myslimanëve boshnjakë nga serbët e Bosnjës në Srebrenicë në vitin 1995, është gjithashtu gjenocid. Konventa i detyron 153 shtetet nënshkruese “të parandalojnë dhe të ndëshkojnë” gjenocidet. Shumica nuk e kanë bërë. Por, e përmenda këtë konventë sepse është një përkufizim ligjor i gjenocidit, i pranuar ndërkombëtarisht, që mund të na ndihmojë të shkojmë përtej debatit të ndezur mbi Gazën.
Izraeli ekziston kryesisht për të mbrojtur hebrenjtë nga gjenocidi. Historiani James McAuley, i cili po shkruan një libër mbi kujtesën e Holokaustit, thotë: “Është e vështirë të mos nxjerrësh një përfundim sionist nga Aushvici”. Thirrja pas Aushvicit ishte: “Kurrë më”. Për hebrenjtë si Leo, kjo do të thoshte “Kurrë më për askënd”. Por, për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, duket se do të thotë: “Kurrë më për ne”.
Masakra e Hamasit ndaj më shumë se 1,200 njerëzve më 7 tetor 2023, përsëriti makthin më të madh në historinë hebraike. Teksa shkruaj këtë, Hamasi ende mban rreth 90 pengje nga ajo ditë. Por, gjenocidi ose krimet kundër njerëzimit nga njëra palë, nuk justifikojnë ato të palës tjetër. Një studim i publikuar në revistën mjekësore The Lancet, vlerëson se midis 7 tetorit 2023 dhe 30 qershorit 2024 ka pasur 64,260 vdekje palestineze nga lëndimet traumatike. Kjo është 41 për qind më shumë se shifra e raportuar nga Ministria e Shëndetësisë e Gazës, e kontrolluar nga Hamasi. Gjykata Penale Ndërkombëtare ka ngritur akuza ndaj Netanyahut për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Izraeli pohon se ka vrarë në vetëmbrojtje. Leo e kishte trajtuar këtë çështje. Në vitin 1915, disa turq e justifikuan dëbimin (dhe më vonë vrasjen) e armenëve duke i akuzuar ata për “mbështetje të armiqve të shtetit”. Leo shkroi se kjo mund të justifikonte “çarmatosjen” ose “internimin” e armenëve, por jo “masakrat”.
Qëllimi për të kryer gjenocid zakonisht është i pamundur për t’u dëshmuar. Vrasja e një grupi si një pasojë dytësore e një qëllimi tjetër, siç është marrja e kontrollit mbi fushat e naftës, nuk përbën ligjërisht gjenocid. Por, studiuesi i Holokaustit, Raz Segal, thotë se disa udhëheqës izraelitë kanë bërë “deklarata të qarta dhe të hapura për shkatërrim”. Për shembull, ish-ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant, deklaroi: “Po luftojmë me kafshë njerëzore dhe po veprojmë në përputhje me këtë”. Presidenti Isaac Herzog e quajti “të gjithë kombin” “përgjegjës” për sulmin e Hamasit. Shumë studiues, përfshirë historianët izraelitë të Holokaustit, Amos Goldberg dhe Omer Bartov, thonë se Izraeli ka kryer gjenocid.
Në epokën tonë, ku mungojnë të vërtetat e përbashkëta, mbrojtësit e Izraelit i shpallin kritikët për antisemitë. Kjo akuzë nuk mund të vërtetohet si e rrejshme. Askush nuk mund të dëshmojë se kritikët nuk ishin antisemitë. Ndoshta disa ishin. Por, kjo nuk është çështja kryesore. Pyetja është nëse veprimet e Izraelit përmbushin përkufizimin ligjor të gjenocidit.
Nëse po, atëherë kemi dështuar sërish për të ndërhyrë. Fotografitë rrëqethëse të bëra nga një aeroplan britanik i zbulimit në vitin 1944, tregojnë tymin që ngrihej nga krematoriumet e Aushvicit. Aleatët e dinin, por nuk vepruan. Kjo ndodh pothuajse gjithmonë.
Leo vdiq në maj 1994, gjatë gjenocidit në Ruandë. Ai u dëshpërua nga çdo dështim për të ndaluar mizoritë, por kurrë nuk u bë cinik. Ai bashkëthemeloi OJQ-në International Alert për të dhënë paralajmërime të hershme mbi dhunën etnike. Dekada para krijimit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare në vitin 2002, ai ëndërronte për një gjykatë që mund të nxirrte para drejtësisë autorët e krimeve. Sot, gjithnjë e më shumë shtete pretendojnë “juridiksion universal” për të ndjekur penalisht gjenocidin, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, kudo që ndodhin.
Në vitin 2022, një gjykatë gjermane dënoi një 97-vjeçar, ish-sekretar në një kamp nazist, si bashkëpunëtor në më shumë se 10 mijë vrasje. Drejtësia ndonjëherë funksionon ngadalë. Çdo tragjedi është unike. Numri i viktimave të Holokaustit ishte gati 100 herë më i madh se ai i Gazës. Por, ligji mbetet ligj. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
In Memoriam: Mario Vargas Llosa (1936-2025) - e jetoi jetën siç deshi dhe, mbi gjithçka, e dashuroi letërsinë

Historia e Grabitjes së Madhe të Trenit

Karnavalet, origjina dhe domethënia

Shpata dhe përkrenarja e Skënderbeut nuk janë origjinale?

Koka e Millosheviqit

Vendi i shqiponjave

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Për vetëm 29.95€ me Telegrafi Deals dhe Melodia PX, këto patika bëhen tuajat!

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Më të lexuarat

Zelensky u kërkoi amerikanëve t’ju shesin sistemet raketore Patriot, reagon Trump

Remzie Osmani dhe Nexhati e ndezin atmosferën në Big Brother - të ftuar në dasmën e Gjestit me Eglin janë edhe disa ish-banorë

MPJD: Deklarata e Serbisë ndaj Sudanit është shkelje e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit

Shpenzoi një milion dollarë dhe i kaloi 15 vite duke restauruar anijen që e bleu, tani po vajton 'vdekjen e tmerrshme' – historia e burrit nga SHBA

"Kosova u prezantua me fusnotë në Tiranë", zv.ministri largohet nga konferenca

Abdixhiku “godet” Hotin: Përdori argumente si ato të kundërshtarëve tanë politikë