Çfarë do të thotë financimi për Ukrainën dhe si do të financohet huaja e re për Kievin?

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky nuk i ka marrë asetet e ngrira ruse (që kapin vlerën totale rreth 190 miliardë euro) për të cilat kishte shpresuar, por një hua pa interes prej 90 miliardë eurosh gjithsesi do të ndihmojë ndjeshëm përpjekjet e Ukrainës në luftë.
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) vlerëson se Ukrainës do t’i nevojiten rreth 135 miliardë euro (158.5 miliardë dollarë / 118 miliardë paund) për vitet 2026 dhe 2027, raporton skynews.
Kreu i komisionit parlamentar të buxhetit në Ukrainë tha se qeveria ende duhet të sigurojë nga 18 deri në 20 miliardë dollarë financim të jashtëm për të mbuluar boshllëkun buxhetor të vitit të ardhshëm.
- YouTube www.youtube.com
Kievi planifikon të shpenzojë pjesën më të madhe të të ardhurave shtetërore – pak më shumë se 27 për qind të PBB-së – për financimin e përpjekjeve mbrojtëse në vitin 2026. Zyrtarët thanë se kostoja ditore e luftimit të forcave ruse tani vlerësohet në 172 milionë dollarë (rreth 152 milionë euro) në vitin 2025, krahasuar me 140 milionë dollarë (rreth 120 milionë euro) një vit më parë.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, foli për mediat pasi u njoftua huaja e re e BE-së për Ukrainën, shkruan skynews.
Huaja prej 90 miliardë eurosh pa interes do të financohet përmes huamarrjes, tha ajo, e mbështetur nga hapësira në buxhetin e bllokut dhe një marrëveshje për të ndryshuar të ashtuquajturin “kornizë financiare shumëvjeçare”.
Kjo është mënyra se si BE-ja përcakton buxhetet dhe planet e saj afatgjata të shpenzimeve.
“Ukraina do të duhet ta shlyejë huan vetëm pasi të marrë dëmshpërblime”, shpjegoi ajo dhe shtoi se “deri atëherë, asetet ruse të bllokuara do të mbeten të bllokuara dhe Bashkimi rezervon të drejtën për të përdorur balancat e parave për të financuar huan”. /Telegrafi/













































