LAJMI I FUNDIT:

Çështja e veriut

Mitrovica dhe pjesa veriore e ndarë, është realitet i krijuar qëllimisht dhe artificialisht, qysh nga ndërhyrja e Bashkësisë Ndërkombëtare, i arsyetuar më sigurinë e pakicës serbe. Ajo duket sheshazi dhe argumentohet më vendimmarrjet që nga ndërhyrja dhe deri më politikat e gjertanishme. Por, tani pas të gjitha këtyre proceseve, çështja është si të integrohet kjo pjesë. Trepça paraqet resurs shumë të rëndësishëm industrial i Kosovës, Liqeni i Gazivodës paraqet resurs të rëndësishëm të ujit. Nga aspekti i implikimeve politike është e qartë se politika e Serbisë më ndikimet negative të disa vendeve, gjithherë ka manipuluar, e edhe sot po manipulon më ndarje mbi baza etnike të komunitetit serb në këtë rajon. Qëllimet e saj ishin pengimi i funksionalitetit shtetëror të Kosovës. Pas shpalljes së pavarësisë, kishte pretendime edhe të ndarjes, nëse lejon bashkësia ndërkombëtare. Por, bashkësia ndërkombëtare përkrahu vetëvendosjen territoriale sipas kufijve ekzistues të njësive federative, e jo në baza etnike. (Parimi ndërkombëtar Uti possidetis).

Por, tani në proces të Bisedimeve më Serbinë dhe ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare, zgjidhjet juridike të Planit të Ahtisaarit u përfshin në tërësi në Kushtetutën dhe sistemin politik e juridik funksional. Edhe integrimi i suksesshëm i pakicës serbe (pos veriut), janë argumente të patejkalueshme për zgjidhjen e problemeve të veriut, përkatësisht integrimin e tij. Edhe qëndrimet ndërkombëtare janë të qarta, se nuk ka ndryshim kufijsh në baza etnike. Andaj, përpjekjet për ndarjen e kësaj pakice dhe roli destruktiv në institucionalizim e qeverisje kosovare, tani është i pamundur.

Rregullimi i marrëdhënieve në një nivel praktik në mënyrë që të ulen tensionet dhe të përmirësohen jetët e përditshme të njerëzve, është i arritshëm. Plani i Ahtisaarit (Propozim Gjithëpërfshirës për Vendosjen e Statusit të Kosovës) mbetet qasja më e mirë dhe e vetme në arritjen e këtyre qëllimeve. Marrëveshja mbi implementimin e tij do t’i shmangej edhe përpjekjes për të zgjidhur “problemin e veriut” përmes përdorimit të forcës. Plani i Ahtisaarit, Kushtetuta e Kosovës dhe integrimi i pakicës serbe në tërë Republikën e Kosovës, garantojnë të drejtat e komunitetit serb në pushtetin lokal dhe qendror më standarde më të theksuara demokratke. Ky është argumenti i mjaftueshëm dhe i fuqishëm për integrimin e kësaj bashkësie etnike të veriut.

Ky plan ofron elemente kryesore për të drejtat minoritare dhe pronësore, për një formë të fortë të qeverisjes lokale të decentralizuar. Neni 3.2 kërkon “mbrojtjen e identitetit nacional apo etnik, kulturor, gjuhësor dhe fetar të të gjitha Bashkësive dhe anëtarëve të saj”. Neni 4 ofron të drejtën e kthimit dhe rivendosjes së pronës. Neni 6 siguron që vetëqeverisja lokale dhe komunat “do të kenë të drejtën e bashkëpunimit ndërkomunal dhe ndërshtetëror mbi çështjet e interesit të përbashkët në ushtrimin e përgjegjësive të veta”.

Aneksi I (Neni 8.3) i jep komunave të drejtën e burimeve lokale për të hyrat dhe (8.4) për bashkëpunim “ndërkomunal dhe ndërshtetëror në fushën e kompetencave të veta dhe të shprehura”. Aneksi II (Neni 4) i siguron bashkësive të drejtën që të shprehin, ruajnë dhe zhvillojnë gjuhën dhe kulturën e tyre; të marrin arsimim publik parashkollor, fillor dhe të mesëm në gjuhët e tyre; të themelojnë dhe të ruajnë shkollat e tyre private (me financim publik); të ekspozojnë simbolet e bashkësisë; dhe të kenë mediat e veta (përfshirë TV). Aneksi I (Neni 1.6) siguron mundësinë që të mbahen dy shtetësi. Aneksi III definon qeverinë lokale, decentralizimin dhe lidhjet me Beogradin. Neni 3 i Aneksit i jep komunave fuqi të plotë dhe ekskluzive për zhvillimin ekonomik lokal, përdorimin e tokës, rregullimin urban, shërbimet publike, arsimim, shëndetësi dhe shërbime sociale, akomodim publik, licencimi i shërbimeve lokale dhe emërimi i rrugëve. Neni 4 u jep komunave me shumicë serbe “të drejta pjesëmarrëse të shprehura në emërimin e Komandantit të Stacionit të Policisë” dhe t’i sigurojë Mitrovicës Veriore kompetenca “të zgjeruara” për arsimim universitar dhe një spital. Neni 5 kërkon që qeveria lokale t’ia delegojë komunave përgjegjësinë për regjistrime kadastrale dhe civile, regjistrimin e votuesve, regjistrimin e bizneseve dhe licencim, distribuimin e pagesave të asistencës sociale (me përjashtim të pensioneve) dhe mbrojtjen e pyllëzimit. Aneksi III gjithashtu lejon që komunat të bashkëpunojnë (nen. 10) dhe të marrin financim nga (nen. 11) Beogradi dhe të përdorin material arsimor nga Serbia në shkollat lokale (nen. 7). Aneksi IV siguron që komunat do të kenë gjyqet e veta lokale dhe (nen. 2.2) mandaton që “Institucionet juridike kosovare … do të reflektojnë përbërjen etnike të fushës së tyre të juridiksionit.”

Në nivelin kombëtar, Plani i Ahtisaarit siguron pjesëmarrje të pakicave të rezervuara dhe të mbrojtura në qeverinë qendrore. Aneksi I siguron kuota për pjesëmarrjen “jo-shumicë” në qeverinë nacionale. Neni 3.3 kërkon një minimum prej dhjetë ulëseve (nga 120) të rezervuara për serbët e Kosovës Në Kuvendin e Kosovës, si dhe numrin minimal për pakica tjera kombëtare. Neni 3.7-9 siguron pjesëmarrjen dhe votimin e pakicave në Kuvend për çështjet të cilat ndikojnë në bashkësitë “jo-shumicë” duke mos referuar në votën e thjeshtë të shumicës apo referendum. Neni 5 kërkon një numër minimal të Serbëve dhe përfaqësuesve tjerë të bashkësisë siç janë ministrat dhe zëvendës ministrat dhe mandaton që shërbimi civil “reflekton llojllojshmërinë e njerëzve të Kosovës.” Aneksi I gjithashtu i jep përfaqësuesve jo-shumicë një rol të theksuar në zgjedhjen e anëtarëve të Gjyqit Kushtetues (Neni 6) dhe në procesin e ndryshimit të kushtetutës (Neni 10).etj.(Plani i Ahtisaarit, 2007).

Të gjitha këto janë të inkorporuara edhe në Kushtetutën e Kosovës dhe në zbatim të plotë në praktikën qeverisëse në pushtetin qendror dhe atë lokal. Pra, Plani i Ahtisaarit siguron një kornizë për një demokraci funksionale multietnike dhe shtetin kosovar e përcakton shtet të komuniteteve, edhe pse pakicat përbëjnë rreth 8% të popullsisë. Qëllimi ishte që pakicës serbe t’i sigurojë status të veçantë, për ta integruar dhe deinstrumentalizuar nga politika destruktive e Serbisë. Diplomati A. Rohan, zëvendës i Ahtisaarit në bisedimet e Vjenës, për caktimin e statusit të Kosovës, më hapjen e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, në kontest të veriut thotë se “Plani i Ahtisaarit përmban autonominë substanciale për serbet e veriut të Kosovës”. Andaj, “çdo largim nga ky Plan, krijon komplikime në sistemin politik e juridik të Republikës se Kosovës”. Këtë e kanë kuptuar të gjitha palët. Edhe Republika e Serbisë, e detyruar nga nevojat integruese, ka filluar të ndryshoj qasjen ndaj Kosovës dhe veriut. Fuqizimi i institucioneve dhe qeverisjes demokratike kosovare në të gjitha nivelet, do të ndikojë në integrimin cilësor të këtij komuniteti dhe territori. Andaj, pala kosovare në bisedime më Serbinë i ka të gjitha argumentet dhe zgjidhjet juridike e politike për veriun, ngase decentralizimi, sipas Planit të Ahtisaarit, siguron dhe garanton lirinë, barazinë, autonominë dhe integrimin e të gjitha komuniteteve në Republikën e Kosovës.