Çeku: Kemi arritur rezultat shumë të mirë në Prishtinë

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku ka thënë se kanë arritur rezultat shumë të mirë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Tha se kanë përfunduar hapin e parë të angazhimit për të vazhduar në balotazh, raporton KosovaPress.
Sipas rezultateve të deritanishme të numërimit të votave sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Çeku është në garë të ngushtë me kandidatin e LDK-së, Përparim Ramën.
Në një konferencë për media, të mbajtur rreth mesnatës, Çeku tha se e marrin shuëm seriozisht garën dhe se nuk e nënçmojnë askënd.
“Ky është rezultat shumë i mirë. Është hapi jonë i parë drejt fitores tonë të madhe në Prishtinë. Të gjitha strukturat tona janë të mobilizuara. Nga nesër vazhdon puna deri në ditën kur mbahet balotazh, do t’i takojmë qytetarët sërish, do t’ua shpjegojmë vizionin tonë sepse kemi parë që disponimi i qytetarëve për ndryshim të madh në Prishtinë ekziston... Nuk e nënçmojmë askënd, e marrim shumë seriozisht këtë garë, por jemi të bindur në fitore. Këtë entuziazëm e kemi parë edhe te qytetarët. Kërkojmë mbështetjen e të gjithë qytetarëve, dhe kërkojmë koalicion me qytetarët për ta bërë ndryshimin në Prishtinë”, u shpreh ai.
Ai pati edhe disa zotime.
“Çka unë mund t’iu siguroj nga tash është që fjalën ‘bllokadë’ nuk do ta përdori ndaj qeverisjes time, nuk do të arsyetohem. Atëherë kur nuk do të mund ta shtyjë një punë përpara do ta marrë përsipër përgjegjësinë. Unë do të qeverisë me përgjegjësi dhe me ftesë për bashkëpunim. Përpjekje për konsensus maksimalisht, përpjekje deri në fund. Mirëpo aty ku nuk do të kem sukses, nuk do t’ia faturojë dikujt dështimin, por do ta marrë përgjegjësinë mbi vete. Kur i pari i komunës ka vullnet për të shtyrë punët përpara, zgjidhja gjithsesi gjendet. Unë propozoj një qasje më të moderuar, një qasje që tenton t’i afrojë njerëzit e jo të krijojë ndasi në qeverisjen lokale të Prishtinës”, tha Çeku.
Ai u ndal edhe te rezultati i LVV-së në komunat tjera, duke thënë se janë të vetmit që kanë rikonfirmuar në komunat ku kanë qeverisur dhe se janë të parët pa balotazh në Podujevë, Kamenicë dhe Shtime. Theksoi se po presin rezultatet edhe në Gjilan. Çeku shtoi se për këtë arsye kryetari i LVV-së, Albin Kurti nesër nga ora 10:00, do të mbajë një konferencë për media.



















































