Cakolli: Deputetët do të paguhen rreth 750 euro për 39 minuta punë
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI, ka treguar se sa do të paguhen deputetët e Kuvendit të Kosovës për muajin prill, pavarësisht që ende nuk është bërë konstituimi i legjislaturës së re.
Cakolli ka thënë se që nga momenti i dhënies së betimit më 19 prill e deri më sot, janë mbajtur 6 seanca të Kuvendit.
“Këto seanca kanë zgjatur në total vetëm 39 minuta e 18 sekonda – apo 2,358 sekonda”, ka shkruar Cakolli në një postim në Facebook, transmeton Telegrafi.
Ai ka thënë se “për këtë ‘angazhim’, secili deputet do të marrë rreth 750€ pagë bruto. Kjo do të thotë se, secila minutë efektive e deputetit do t'i kushtojë taksapaguesve 18.93€, ndërsa çdo sekondë – 0.32€”.
“Për krahasim: Me 2 sekonda punë, një deputet fiton aq sa një qytetar paguan për një bukë (me çmimin e ri); Me 6 sekonda, fiton aq sa kushton një makiato me çmim të rritur në Prishtinë; Me 18 minuta punë, fiton aq sa është paga minimale në Kosovë”, ka shkruar ai.
Për të tetën herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Seanca konstituive do të vazhdojë të enjten, në ora 10:00.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, për të gjashtë herë nuk mori mbështetjen për postin e kryeparlamentares.
Kësaj radhe, ajo mori 54 vota për, 44 kundër dhe 3 abstenuan. Në seancat paraprake, për të kishin votuar 57 deputetë - por kësaj radhe disa deputetë të LVV-së munguan.
Seanca konstituive ka nisur më 15 prill dhe në shtatë seancat paraprake deputetët kanë arritur të kalojnë vetëm dy pikat e para të rendit të ditës – miratimin e raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe betimin e deputetëve – por, kanë ngecur në pikën e tretë, atë të zgjedhjes së kreut të ri të organit legjislativ. /Telegrafi/






























