Sot ka hyrë në fuqi vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili ua ndalon deputetëve çdo veprim lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës për të 54-në herë dështuan të konstituojnë Kuvendin e Kosovës, transmeton Telegrafi.


Mbrëmë ishte edhe tentativa e fundit para se të përfundojë afati 30 ditor, që është vendosur nga Gjykata Kushtetuese.

Për situatën e krijuar ka reaguar edhe Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Cakolli ka thënë se mbrëmë ishte një përfundim i turpshëm i një krize që u zvarrit me vetëdije.

"Kuvendi nuk u konstitua as në përpjekjen e 54-të, duke dështuar kësisoj në përmbushjen e obligimit kushtetues për t’u konstituar brenda 30 ditëve. Barra kryesore e përgjegjësisë politike së gjithë këtij dështimi bie qartazi mbi subjektin politik që ka dalë i pari në zgjedhje dhe që kishte të drejtën për të propozuar kandidatin për kryetar Kuvendi. Por e drejta nuk mjafton kur mungon vullneti për konsensus dhe për ta çuar procesin përpara", ka pohuar ai.

Ai ka deklaruar se "nga sot, nuk do të kemi më seanca me improvizime e arbitraritet, si në sagën e mbi 100 ditëve të kaluara – një periudhë që, mbi të gjitha, shpërfaqi mungesën e përgjegjësisë politike dhe refuzimin e kompromisit si vlerë demokratike".

"Tashmë jemi në një situatë të paprecedentë, me një Kuvend jofunksional e jolegjitim dhe me një qeveri në detyrë, të zgjedhur nga legjislatura e parafundit – anëtarët e së cilës nuk kanë as autoritet ligjor për vendimmarrje", ka theksuar Cakolli.

Në reagim, ai ka pohuar se "Qytetarët nuk e kanë merituar një shtet në pauzë për shkak të llogarive të ngushta partiake".

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur masë të përkohshme ndaj veprimeve dhe vendimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit, duke ndaluar çdo aktivitet parlamentar nga data 27 korrik 2025 deri në një vendim tjetër.

Në njoftimin zyrtar, Gjykata thekson se masa është vendosur ex officio, me arsyetimin se çdo veprim pas kësaj date mund të shkaktojë “dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyçe”.

Ndryshe, partia që ka dalë e para në zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje, ka propozuar Albulena Haxhiun për postin e kryetares së Kuvendit. Megjithatë, ajo nuk ka marrë mbështetjen e subjekteve të tjera politike për këtë pozitë.

Nga ana tjetër, partitë opozitare kanë deklaruar se Haxhiu nuk është e përshtatshme për këtë post.

Njohës të çështjeve politike kanë paralajmëruar se, për shkak të bllokadës së krijuar tash e disa muaj, vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja./Telegrafi/