LAJMI I FUNDIT:

Burrat që u arratisën nga Alkatrazi – me lugë!

Burrat që u arratisën nga Alkatrazi – me lugë!

Nga: Myles Burke / BBC
Përkthimi:  Telegrafi.com

Në maj të vitit 1964, Michael Charltoni i emisionit Panorama të BBC-së, nëpër ujërat e trazuar të Gjirit të San Franciskos kreu “udhëtimin më të frikshëm në botën kriminale” për të parë ishullin famëkeq të burgut të Alkatrazit. I mbiquajtur “Shkëmbi”, burgu federal mbante disa nga kriminelët më të rrezikshëm në ShBA. Konsiderohej si kështjellë e pathyeshme. Por, në orët e hershme të 12 qershorit 1962, tre burra arritën atë që mendohej si e pamundur: u arratisën.

Alkatrazi fillimisht ishte fortesë detare për të mbrojtur hyrjen në gji. Gjatë Luftës Civile në ShBA, për shkak të izolimit të ishullit, shkëmbinjve të thepisur dhe rrymave të shpejta e të ftohta që e rrethonin, atje u mbajtën të burgosurit e arrestuar të konfederatës. Në fillim të shekullit XX u rindërtua si burg ushtarak. Në vitet 1930, derisa ShBA-ja përpiqej të merrej me krimin e shfrenuar të organizuar që lulëzoi gjatë prohibicionit, Departamenti i Drejtësisë merr kontrollin e tij. Shumë shpejt nisën të vinin të dënuarit më të frikshëm nga sistemi federal i burgjeve. Ndër të burgosurit më të famshëm ishin gangsterët famëkeq Al Capone, Mickey Cohen dhe George “Machine Gun” Kelly, si dhe vrasësi i dënuar Robert Stroud i cili më vonë do të bëhej i njohur si “Njeriu zog [Birdman] i Alkatrazit”. “Burra shumë të këqij dhe problematikë për t’u mbajtur në një burg të zakonshëm”, ishte mënyra se si Charltoni i BBC-së e përshkroi situatën.

Katër vjet përpara se Panorama të udhëtonte atje, Frank Lee Morris kishte mbërritur në ishull. I mbetur jetim në moshën 11-vjeçare dhe i dënuar për krimin e tij të parë në moshën 13-vjeçare, Morrisi e kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës brenda dhe jashtë institucioneve të ndryshme korrektuese. I vlerësuar si shumë inteligjent, ishte kriminel i rryer, me një mori të akuzave që shkonin nga posedimi i drogës e deri te grabitja e armatosur dhe, ndoshta më e rëndësishmja – arratisjet nga burgu. U dërgua në Shkëmb në janar 1960, pas arratisjes së tij nga burgu shtetëror i Luizianës. Sapo mbërriti në Alkatraz, nisi të mendojë se si do të largohej. Qelia e tij ishte ngjitur me qelitë e vëllezërve John dhe Clarence Anglin dhe Allen Westit – të cilët ishin dënuar për grabitje bankash dhe të cilët ishin në burg në Alkatraz që nga viti 1957. Të gjithë burrat e njihnin njëri-tjetrin nga periudhat e mëparshme të përbashkëta në burgje dhe, meqë i kishin qelitë pranë njëri-tjetrit, kishin mundësi të flisnin gjatë natës.

Kur Charltoni i BBC-së e vizitoi lokacionin, një vit pas mbylljes, ishte i vetëdijshëm për reputacionin e frikshëm që kishte burgu për rojet e pamëshirshme, për kushtet e vështira dhe erërat ndëshkuese të detit të cilat të dënuarit duhej t’i duronin. “Një erë e pamëshirshme që dukej se nuk ndalet kurrë, që ulërin dhe jehon nëpër hekur”, tha ai. “Ndërtuar mbi fragmentet e hallakatura të një fortese të vjetër … themelet e Alkatrazit sot po kalben dhe po prishen”.

Me Morrisin që merr drejtimin, të katër të burgosurit nisën të sajojnë planin e përpunuar dhe të guximshëm për t’u arratisur. Gjatë një periudhe prej disa muajsh, burrat e copëtuan betonin e dëmtuar nga kripa rreth kanalit të ajrit nën lavamanët e tyre. Duke përdorur lugët metalike të nxjerra nga salla e ngrënies, një shpuese e punuar nga një motor i fshesës me korrent dhe tehet e hedhura të sharrës, ata gërmuan në një korridor të pambrojtur. Për të maskuar zhurmën e shpimit, Morris i binte fizarmonikës së tij gjatë orëve të caktuara ditore kur duhej të bënte muzikë për të burgosurit. Pasi e krijuan një vrimë mjaft të madhe për t’u zvarritur deri në korridor, u ngjitën në nivelin e sipërm bosh të bllokut të qelisë dhe krijuan një punëtori sekrete. Për të fshehur vrimat e mureve të qelisë, bënë grila të rreme me letra [teknika papier-mâché] nga revistat e bibliotekave të burgut. Kur ishin në punëtori, nisën ndërtimin e një gomone të improvizuar 183 me 427 centimetra dhe jelekët e shpëtimit të punuar nga më shumë se 50 mushama të vjedhura. Për të ngjitur gomën, atë e shkrinin duke përdorur gypat e avullit të nxehtë të burgut. Më pas harmonikën e kthyen në mjet për të fryrë gomonen, ndërsa lopatat i punuan nga kompensata.

Por, teksa punonin, duhej ta fshihnin mungesën nga rojet që bënin kontrolle periodike gjatë natës. Kështu, i skalitën versionet e kokave të tyre të punuara nga letra, sapuni, pasta e dhëmbëve dhe letra higjienike. Për t’i bërë që të duken më realiste, përdorën flokë të vërtetë nga dyshemeja e berberit të burgut dhe i lyen me tone lëkure duke përdorur materiale të vjedhura arti. Këto do t’i vendosnin në shtretër, me grumbuj rrobash dhe peshqirësh nën batanije në formën e trupit të tyre, që të dukeshin sikur ishin në gjumë. Teksa punonin për pajisjet e tyre të improvizuara të arratisjes, gjithashtu e kërkonin një rrugëdalje. Duke përdorur tubacionet hidraulike si shkallë, u ngjitën 9.1 metra dhe hoqën ventilatorin në maje të një kanali. E krijuan një shul të rremë nga sapuni për ta mbajtur në vend.

Më në fund, në natën e 11 qershorit 1962, ishin gati për të vënë në lëvizje planin e tyre të zgjuar. Duke lënë kokat e rreme në shtretërit e tyre për të mashtruar rojet, Morrisi dhe dy vëllezërit Anglin u zvarritën nëpër vrimat e mureve të qelisë. Arratisja e Westit dështoi meqë nuk ia doli të dilte me kohë nga qelia, kështu që të tjerët u larguan pa të. U ngjitën në çatinë e qelisë, vrapuan duke e kapërcyer – duke mbajtur varkën e tyre të improvizuar para kullës së rojeve – u hodhën poshtë përmes një tubi të kullimit të jashtëm, e kaluan oborrin e burgut, u ngjitën në dy gardhe të njëpasnjëshme me tela me gjemba (3.7 metra) dhe u zhdorgjën poshtë argjinaturës së pjerrët në bregun verilindor të ishullit. Buzë ujit e frynë varkën dhe u zhdukën gjatë natës. Alarmi nuk u dha deri në mëngjesin e ardhshëm kur u zbuluan kokat e rreme.

Ishulli ishte gjithashtu shtëpia e familjeve të rojeve që punonin në burg. Babai i Jolene Babyakut, i cili në atë kohë ishte ushtrues detyre i rojës në Alkatraz, e lëshoi alarmin. “Kur u zgjova, sirena vazhdonte. T’i shponte veshët, ishte jashtëzakonisht e zhurmshme, e tmerrshme, shumë e frikshme”, tha ajo në emisioni Witness History të BBC-së në vitin 2013. “Isha e tronditur dhe mendimi im i parë ishte se kjo nuk mund të jetë tentativë arratisjeje, por sigurisht që ishte”.

Burgu përjetoi izolim të menjëhershëm me kontroll intensiv të të gjitha ndërtesave, përfshirë akomodimin e oficerëve të burgut. Ndërkohë, babai i Jolenes nisi gjuetinë masive me qindra vetë nga personeli i zbatimit të ligjit, të cilët për ditë të tëra kërkonin gjerësisht në zonën përreth. Më 14 qershor, roja bregdetare gjeti një nga lopatat e të burgosurve. Po atë ditë, punëtorët gjetën një pako me sendet personale të Anglinëve, të mbyllura në gomë. Shtatë ditë më vonë, disa mbetje të gomones u lanë pranë urës së Portës së Artë [Golden Gate] dhe të nesërmen u zbulua një nga jelekët e shpëtimit të punuar me dorë. Por, tre të arratisurit nuk u panë më kurrë.

Edhe pse të burgosurit ikën nga burgu, autoritetet arritën në përfundimin se kanë mundur të mbyten në ujërat e pabesë, në përpjekjen për t’u larguar nga ishulli. Kjo padyshim ishte pikëpamja e drejtorit të burgut Richard Willard, kur BBC e intervistoi më 1964. “Po, na ikën disa, por ata nuk po mburren për këtë. Me fjalë të tjera, sipas nesh, supozohet se të gjithë ata që ikën u mbytën; askush nuk është parë rrugëve duke u mburrur se ka ikur nga Alkatrazi”, tha ai. “Pse jam kaq i sigurt? E dëgjon erën, apo jo? Dhe, e sheh ujin? Mendon se mund t’ia dalësh”?

Burgu i Alkatrazit u mbyll në vitin 1963, një vit pas arratisjes së burrave. Kjo pjesërisht ndodhi për shkak të strukturës së përkeqësuar dhe shpenzimeve për drejtimin e tij, por regjimi i ashpër i burgut ishte prej kohësh gjithashtu objekt i polemikave. Qysh në vitin 1939, Prokurori i Përgjithshëm i ShBA-së, Frank Murphy, u përpoq ta mbyllte duke thënë: “I gjithë institucioni është i favorshëm për psikologjinë që krijon qëndrim të keq dhe vicioz mes të burgosurve”.

Me kalimin e viteve, të burgosurit kishin vrarë ose gjymtuar veten – të paaftë për t’u përballur me kushtet e rrepta – dhe në vitet 1960 ShBA-ja shkonte drejt rehabilitimit të të burgosurve dhe jo vetëm dënimit të tyre.

Sa i përket tre të arratisurve, pavarësisht se nuk u gjetën trupat në gji, në vitin 1979 u shpallën ligjërisht të vdekur. FBI-ja e mbylli çështjen dhe ia dorëzoi përgjegjësinë Shërbimit të Mareshalëve të ShBA-së.

Por, spekulimet për fatin e tyre nuk janë zbehur kurrë. Në të njëjtin vit kur u shpallën të vdekur, u publikua filmi Arratisja nga Alkatrazi me Clint Eastwoodin që portretizonte Frank Morrisin. Dhe, që nga momenti i arratisjes së tyre në vitin 1962, pati raportime për hasjen e supozuar të burrave dhe për mesazhet e tyre.

Në vitin 2018, policia e San Franciskos zbuloi se pesë vjet më parë pranoi një letër misterioze, nga dikush që pretendonte se ishte John Anglini. Në letër thuhej: “U arratisa nga Alkatrazi në qershor 1962. Po, të gjithë ia dolëm atë natë, por me shumë vështirësi”! Letra pohoi se burrat kishin jetuar në fshehtësi, se Frank Morrisi vdiq në tetor 2005 dhe Clarence Anglini më 2008. Autori i letrës tha se ai tani donte të negocionte dorëzimin, në këmbim të trajtimit të kancerit. FBI e vlerësoi letrën, por nuk ishte në gjendje të verifikonte nëse ishte autentike ose jo.

Çështja është ende e hapur për Shërbimin e Mareshalëve të ShBA-së. Në vitin 2022 publikoi fotografi të përditësuara të asaj se si mund të dukeshin tani tre të burgosurit e zhdukur të Alkatrazit, ndërsa bëri thirrje për çdo informacion rreth tyre, me shpresën se më në fund mund ta zgjidhnin misterin. /Telegrafi/